
Banorët e një pallati që ndodhet në qendër të qytetit të Pukës janë përfshirë në panik mbrëmë kur fasada e godinës ku ata jetojnë ka rënë krejt papritur. Burime në vendin e ngjarjes bënë të ditur se ngjarja ndodhi rreth orës 21:15, kur banorët e pallatit ku jeton edhe kryebashkiaku Beqir Arifi, kanë ndjerë një zhurmë të madhe e tronditje të godinës, e më pas një pluhur gjigant është ngritur në të gjithë zonën. Të përfshirë në panik ata kanë nxituar të dalin jashtë, nga ku kanë konstatuar se në mënyrë krejt të çuditshme pallati i tyre ishte “zhveshur” nga fasada. Në fakt, ata ishin ankuar disa herë për amortizimin e fasadës që po iu shkatërronte edhe banesat, por përgjatë të gjithë këtyre viteve nuk është vënë dorë për të investuar në të.
Ngjarja e mbrëmshme ka vënë në panik të gjithë banorët, ndërkohë që në vend mbërriti policia, vetë kryebashkiaku i Pukës, tashmë i prekur nga kjo ngjarje, si dhe përfaqësues të tjerë vendorë. Ata kanë parë nga afër situatën, ndërsa urdhëruan evakuimin e menjëhershëm të banorëve. Mësohet se pallati pesëkatësh ku ndodhi ngjarja ka mbetur tashmë me tek tullë. Megjithatë, specialistët në vend bënë të ditur se pallati i ndërtuar dhjetëra vite më parë nuk rrezikon të shembet. Pas verifikimit të këtij fakti, banorët janë futur në banesa sërish, ndonëse ata janë shprehur se kanë frikë dhe se duhet të ndërhyhet në mënyrë të menjëhershme, pasi jeta e tyre është e rrezikuar. Por, ata kanë shpresë për një ndërhyrje të shpejtë nga ana e strukturave vendore, duke qenë se i dëmtuar në këtë ngjarje është edhe kryebashkiaku i Pukës. Ky i fundit konfirmoi mbrëmë se kishte qenë në shtëpi kur kishte ndodhur ngjarja dhe se kishte dalë menjëherë jashtë kur ishte ndjerë zhurma e madhe. Fatmirësisht, në momentin e ngjarjes nuk ka pasur persona jashtë, duke mos shkaktuar asnjë viktimë veç dëmeve materiale e panikut të banorëve. Këta të fundit pohuan se në katin e parë ku ka ndodhur shkëputja e njërës anë të pallatit, ndodhet edhe një lokal. Fatmirësisht lokali ishte mbyllur, në të kundërt, ngjarja do të kishe pasur pasoja edhe më tragjike. Deri në orët e vona, në vend ishte policia e vendorët e Pukës, përfshirë edhe specialistë të ndërtimit, të cilët kanë verifikuar situatën dhe u kanë deklaruar 10 kryefamiljarëve se pallati i tyre nuk kishte rrezik shembjeje. Sipas specialistëve, shkak i ngjarjes mund të jetë lagështira e krijuar dhe amortizimi. Pak ditë më parë në Pukë ka pasur temperatura të ulëta e ngrica, ndërsa më pas ka pasur shira, çka dyshohet të ketë ndikuar në rënien e suvasë.
Arifi: Pallati i amortizuar
Kryebashkiaku i Pukës, Beqir Arifi, u shpreh mbrëmë pas ngjarjes se do të ndërhyhet në mënyrë të menjëhershme, në mënyrë që të sigurohet jeta e banorëve të këtij pallati. “Edhe unë ndodhesha në shtëpi. Dolëm të gjithë menjëherë jashtë dhe pamë që kishte rënë një pjesë e mirë e fasadës së njërës anë të pallatit. Lajmërova menjëherë policinë, por edhe zjarrfikëset që të hiqnin një pjesë që kishte mbetur gati në shembje”, u shpreh kryebashkiaku Arfifi. Sipas tij, pallati i ndërtuar 40 vite më parë ishte mjaft i amortizuar. Ai u shpreh se ishte menduar ndërhyrja nga ana e Bashkisë në fasadat e pallateve të amortizuara në këtë qytet, përfshirë edhe pallatin ku ndodhi shembja mbrëmë, në të cilin jeton edhe ai vetë. Në qytetin e Pukës nuk është ndërtuar asnjë pallat i ri pas viteve ’90.
PUKE/ RIDVAN DIBRA











