Panariti në Kinë: Shqipëria, potencial për investime

Aug 22, 2012 | 12:04
Panariti me homologun kinez

Ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Panariti, në kuadrin e vizitës së tij zyrtare në Republikën Popullore të Kinës, zhvilloi dje një takim me homologun e tij kinez, Yang Jiechi. Gjatë bashkëbisedimit, ministri Panariti e siguroi palën kineze për vendosmërinë e qeverisë shqiptare për t’i forcuar marrëdhëniet dypalëshe më tej në të ardhmen, në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë, sidomos në rritjen e investimeve kineze në Shqipëri. Duke u ndalur në potencialin e madh të bashkëpunimit dypalësh, ministri i Jashtëm i Shqipërisë u kushtoi vëmendje të veçantë marrëdhënieve në fushën ekonomike, sidomos investimeve kineze në fusha konkrete, si në energjetikë, në industrinë e minierave, turizmit, në zonat e lira me status “Park Industrial”, si dhe përkushtimit të qeverisë shqiptare për këto fusha, nëpërmjet gjithë kuadrit të nevojshëm ligjor, për t’u krijuar lehtësi investimeve të huaja. Nga ana tij, ministri Yang Jiechi u shpreh se marrëdhëniet janë mjaft premtuese, jo vetëm për shkak të  traditës, vullnetit politik, por edhe për faktin që realiteti i zhvillimeve të vendeve tona ofron një potencial të madh për ta ngritur këtë bashkëpunim, sidomos në fushën ekonomike, në një stad të ri. Më pas, ministri Panariti përsëriti dëshirën që Republika Popullore e Kinës të luajë rolin e saj në njohjen e pavarësisë së Kosovës. Kjo njohje prej saj, tha ministri Panariti, do të jetë një kontribut tjetër i madh në forcimin e paqes dhe stabilitetit në rajonin e Ballkanit dhe më gjerë.

© Panorama.al

Te lidhura