Panariti: Imuniteti jo kusht i KE, shanse për statusin në tetor

Sep 6, 2012 | 10:59
Edmond Panariti

Ministri i Jashtëm, Edmond Panariti, deklaroi dje se imuniteti nuk është një nga 12 pikat e vendosura si kusht nga Komisioni Europian për marrjen e statusit të vendit kandidat. Në një konferencë për shtyp, pas vizitës së tij në Bruksel, Panariti ka deklaruar çështja e imunitetit nuk e mban peng dhe as nuk çliron statusin e vendit kandidat. Kreu i diplomacisë tha se Shqipëria ka perspektivë të qartë europiane dhe të gjitha shanset janë që kjo të arrihet brenda muajit tetor. “Nuk është një çështje që mban peng apo çliron statusin e vendit kandidat. Statusi i vendit kandidat është një çështje shumë më komplekse që ka të bëjë me avancimin në mënyrë të njëkohshme të reformave dhe të 12 prioriteteve të përcaktuara në marrëveshjen me Komisionin Europian, kështu që një çështje e vetme nuk mund të mbajë peng një proces të tërë. Çështja e imunitetit nuk është pjesë e 12 prioriteteve të përcaktuara nga Komisioni Europian, por është një sfidë që Shqipëria, politika shqiptare i vuri vetes dhe që ka të bëjë, në një farë mënyre, me krijimin e një bazamenti më të shëndoshë për institucionin e sistemit të Drejtësisë dhe, në këtë kuptim, pa dyshim, mbetet një obligim për t’u realizuar, gjë që kërkon konsensus. Unë nuk shikoj absolutisht asnjë lloj arsyeje pse ne të mos avancojmë për votimin e këtij ligji, për sa kohë që në draft-propozimin e ligjit të dyja palët ranë në konsensus të plotë, madje u votua propozimi i opozitës dhe, pa dyshim, këndqasjet e ndryshme për mënyrën se si shikohet votimi apo si kushtëzohet votimi i këtij ligji, për mua nuk duhet të përbëjnë pengesë”, deklaroi kreu i diplomacisë shqiptare.

© Panorama.al

Te lidhura