
TIRANE- Në kuadër të kontrollve që Bashkia e Tiranës po ushtron në tregje për të mos lejuar abuzimet me çmimet përgjatë festave, nënkryetari i Bashkisë, Edmond Panariti tha se “duke nisur nga viti i ardhshëm do të hartohet, një etiketë “tip” e cila do të përmbajë krahas çmimit dhe artikullin ushqimor të cilit ky çmim i referohet, cilësinë dhe vendin e origjinës.
Panariti tha se kjo etiketë do t’i shërbejë konsumatorit për të mësuar më shumë për produktin, nëse është vendi apo importi, duke shtuar se, nesër, pasnesër, çdo problem që ky produkt mund të ketë, në raport me konsumatorin, dihet edhe vendi i origjinës dhe kjo i shërben natyrisht edhe Inspektoriatit, për të monitoruar dhe gjurmuar burimin e problemit, nëse ai do të ekzistojë.
Në fjalën e tij për mediat, Panarit siguroi konsumatorin se ky kontroll që po i bëhet tregjeve gjatë këtyre ditëve, nuk është thjesht një fushatë, por do të jete e mirëoganizuar dhe e strukturuar.
”Mbrojtja e konsumatorit është prioritet absolut i Bashkisë së Tiranës” – tha Panariti
Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Edmond Panariti, Drejtori i Agjencisë për Mbrojtjen e Konsumatorit, Geron Ibrahimi, Drejtori i Policisë Bashkiake dhe përfaqësues të Tatim – Taksave janë ndalur sot në tregun e fruta – perimeve, pranë Njësisë Bashkiake nr.2, ku as sot nuk konstatuan abuzim me çmimet e mallrave të shportës apo ato të fruta – perimeve.
© Panorama.al











