Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas debatit të krijuar në rrjetet sociale për projektin në Banjat Termale të Bënjës, duke i cilësuar akuzat për shkatërrimin apo betonizimin e zonës si një fushatë dezinformimi.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Rama tha se pretendimet për dëmtimin e Banjave të Bënjës janë pjesë e asaj që ai e quajti “propagandë dhe manipulim”, duke i krahasuar me debatet e mëparshme për flamingot.
“Prej 24 orësh është lëshuar një tjetër ‘raketë’ digjitale, që algoritmi e ka shpërthyer në qindra mijëra lajke e mallkime, për shkatërrimin, betonizimin dhe tharjen e Banjove Termale të Bënjës”, shkroi Rama.
Sipas kryeministrit, projekti në Banjat e Bënjës nuk lidhet me shkatërrimin e zonës, por me një ndërhyrje për rigjenerimin e saj.
Reagimi i Ramës: Prej 24 orësh është lëshuar një tjetër “raketë” digjitale, që algoritmi e ka shpërthyer në qindra mijëra lajke e mallkime, për shkatërrimin, betonizimin dhe tharjen e Banjove Termale të Bënjës🤡
Me të njëjtën metodë dhe me “ndihmën” e të njëjtave duar të huaja, që i dhanë algoritmit “dopingun” për një turravrap të paparë në përhapjen e alarmit për flamingot, organizatorët e kësaj trazire që synon të rrëzojë qeverinë e të kthejë mbrapa Shqipërinë, duke manipuluar njerëzit që kanë shqetësime të sinqerta, kërkojnë ta kthejnë Bënjën në një casus belli të ri🤡
Kush do të vërtetën e ka në këtë video, SOT, nga Banjot e Bënjës, ku s’ka flamingo, s’ka shitblerje, s’ka pronarë e as konflikte pronësie, po ka thjesht një projekt publik rigjenerimi e Rilindjeje Urbane, në funksion të mijëra e mijëra vizitorëve e turistëve që shkojnë aty çdo vit😍
© Panorama.al












