Pak ditë pas dekretit të firmosur nga Presidenti Bamir Topi për t’i propozuar Kuvendit emrin e Bujar Leskajt si kryetar të Kontrollit të Lartë të Shtetit, vijnë reagimet e para nga Partia Demokratike. Deputeti i kësaj partie, Edi Paloka, tha dje në një prononcim për mediat se do të jetë Grupi Parlamentar ai që do të marrë një vendim lidhur me dekretin e kreut të shtetit, por shtoi se në këtë parti ka një mendim pozitiv për ish-ministrin e Kulturës. “Do të merret një vendim në grup, si gjithmonë për raste të tilla, dhe në bazë të këtij vendimi të Grupit do të veprohet. Për zotin Leskaj personalisht mendoj se mendimet janë mjaft pozitive”, u shpreh Paloka. Kthimi në Tiranë e Kryeministrit Berisha nga Izraeli, ku ndodhet për një vizitë treditore, do të qartësojë akoma më shumë mendimin e demokratëve për propozimin e Presidentit, edhe pse burime pranë kësaj partie bëjnë të ditur për gazetën se sipas të gjitha gjasave, PD do ta mbështesë ish-deputetin e saj për të marrë një mandat shtatëvjeçar. Nga ana tjetër, socialistët kanë shprehur votën e tyre kundër Leskajt. Sa u takon kërcënimeve të opozitës për prishjen e marrëveshjes nëse PD-ja nuk tërhiqet nga qarku i Fierit, Paloka tha se “është si t’i thuash Parlamentit nëse nuk fiton Bajerni këtë javë ne prishim marrëveshjen. Edhe në qarqe të tjera kanë votuar socialistët për Partinë Demokratike, siç ka pasur raste të kundërta në Shkodër. Nuk e di ku është shkelja këtu dhe ndërhyrja e pushtetit qendror. Ato janë interesa që çdo anëtar i qarkut i ka të lidhura me veten e tij, me partinë dhe bindjet e tij politike”.











