Në projektin e Kodit të ri Penal, instituti i amnistisë rregullohet nga neni 194. Kjo dispozitë e projektit parashikon se:
“1. Me aktin e amnistisë organi kompetent përjashton nga ndjekja penale, nga vuajtja tërësisht apo pjesërisht e dënimit ose bën zëvendësimin e dënimit me një lloj dënimi më të butë.
2. Amnistia shtrihet për ato vepra penale të kryera deri një ditë para shpalljes së saj, veç rastit kur në aktin përkatës vendoset ndryshe.
3. Konsiderohen vepra penale të kryera deri një ditë para shpalljes së amnistisë ato vepra, të cilat figurojnë të regjistruara në organet e rendit publik apo ato të procedimit.”
Nga viti 1995 në Kodin Penal në fuqi rezulton se amnistia rregullohet nga neni 71. Asnjëherë nuk është prekur me amendime kjo dispozitë. Aktualisht dispozita ka dy paragrafë, konkretisht e formuluar sikurse dy pjesët e para të rregullimit të nenit 194 të projektit të paraqitur më lart. Ndërkohë shkronja “ë” e pikës 1 të nenit 81 të Kushtetutës parashikon se ligji i amnistisë duhet të miratohet me 3/5 e deputetëve, që do të thotë 84 vota deputetësh në minimum. Është e çuditshme se si nga viti 1995 e deri më sot nuk ka më tepër se sa dy rregullime normative mbi amnistinë penale, ndërkohë që ka kaq shumë debate kushtetuese dhe konvencionale mbi drejtësinë e kësaj formë alternative dhe konkurruese të ushtrimit të pushtetit të gjyqësisë.
E njëjta situatë normative ka ekzistuar në Shqipëri edhe me institutin e faljes presidenciale deri në vitin 2010. Me Ligjin nr. 10295/ 2010 Kuvendi plotësoi një ometim legjislativ ndërdekadësh, duke normuar ligjërisht të gjithë procesin e administrativ të ushtrimit të kësaj kompetence presidenciale dhe nga ana tjetër duke normuar ligjërisht edhe aspektin substancial të ushtrimit të kësaj kompetence nga ana e Presidentit të Republikës. Por e njëjta gjë nuk ka ndodhur deri më sot me institutin e amnistisë, duke mos ekzistuar një ligj organik që të rregullojë ushtrimin e kësaj kompetence kushtetuese gati-gjyqësore nga ana e Kuvendit, qoftë nga pikëpamja procedurale dhe qoftë nga pikëpamja materiale. Kjo do të thotë se materialisht dhe proceduralisht amnistia nga Kuvendi ushtrohet sipas pikës “ë” të nenit 81 të Kushtetutës dhe nenit 71 të Kodit Penal, i cili, nëse pasohet me shndërrimin në realitet normativ të projektit të Kodit të ri Penal, atëherë do të pasohet nga neni 194 i tij.
Duke vlerësuar sërish, sikurse ngahera, se në Shqipëri ka nevojë dhe është domosdoshmëri që të rregullohet në mënyrë normative organikisht, nga pikëpamja procedurale dhe materiale, ushtrimi i kompetencës kushtetuese gati-gjyqësore e amnistisë nga ana e Kuvendit, pasi edhe ky pushtet kushtetues duhet të vetëdisiplinohet dhe vetëkufizohet në modalitetet se si ushtrohet, vlerësoj se këtë peticion të hapur dhe publik qytetar, drejtuar pushtetit ligjvënës dhe në mënyrë të përsëritur, ta mbyll këtu dhe të vetëkufizohem në vijim në trajtimin e problematikave kushtetuese që mbart neni 194 i projektit të Kodit të ri Penal. Sikurse konstatohet, në të nuk ka asgjë që të përbëjë risi apo zhvillim në raport me nenin 71 të Kodit Penal, duke qenë thjesht një përsëritje pak më e zgjeruar e tij. Kjo do të thotë se, bashkë me përsëritjen e një norme që ka vegjetuar në rendin juridik për 30 vjet, grupi i punës ka marrë prej aty edhe problematikat kushtetuese të keqrregullimit apo të ometimit legjislativ, të cilat janë të tilla që shkaktohen edhe nga vetë formulimi i normës, por edhe nga mungesa e një ligji organik për rregullimin e amnistisë.
Së pari, problematika kushtetuese e këtij rregullimi është mosrespektimi i nenit 2 dhe nenit 3 të KEDNJ, të interpretuara këto dispozita nga Dhoma e Madhe apo edhe seksionet e posaçme ndër vite të GJEDNJ. Sikurse konstatohet, nga neni 71 i Kodit Penal në fuqi dhe nga neni 194 i projektit të Kodit të ri Penal, Kuvendi nuk është vetëkufizuar apo nuk është vetëpërmbajtur për të amnistuar krimet shtetërore ndaj jetës qytetarëve dhe gjithashtu edhe krimet që përbëjnë veprën penale torturës. Ndërkohë tradicionalisht GJEDNJ ka vlerësuar se, për krimet shtetërore ndaj jetës së individit dhe për krimet shtetërore të torturës apo të keqtrajtimit të qytetarëve nga ana e agjentëve shtetërorë, ndjekja penale dhe dënimi nuk duhet të amnistohet, duke vlerësuar sakaq se shteti nuk duhet të lejohet të amnistojë krimet e kryera ndaj jetës apo integritetit fizik dhe psikik të qytetarëve nga agjentët që kanë vepruar me pushtetin shtetëror (shih çështjen “Abdülsamet Yaman c. Turquie” viti 2004; shih çështjen “Yeter c. Turquie”, viti 2009; çështjen “Association ‘21 Décembre 1989’ et autres c. Roumanie”, viti 2011; shih çështjen “Mocanu et autres c. Roumanie” Dhoma e Madhe e GJEDNJ viti 2014).
Kjo do të thotë se mënyra se si është formuluar neni 71 i Kodit Penal në fuqi dhe mënyra se si grupi i punës ka hartuar nenin 194 të projektit të Kodit të ri Penal nuk pajtohet me standardet e nenit 2 dhe 3 të KEDNJ të interpretuara tradicionalisht nga GJEDNJ. Nga ana tjetër, automatikisht këto norma nuk pajtohen edhe me standardet e nenit 17 në lidhje me nenin 21 (e drejta e jetës) dhe me nenin 25 (e drejta për t’iu mos nënshtruar dhe trajtimeve çnjerëzore, mizore dhe poshtëruese) të Kushtetutës. Për rrjedhojë Kuvendi dhe çdo grup pune duhet të ketë parasysh se, qoftë ligji organik mbi amnistinë dhe qoftë neni 71 i Kodit Penal në fuqi dhe qoftë neni 194 i projektit të Kodit të ri Penal duhet të parashikojnë si ndalesë absolute për veprimin e ligjit për amnistinë mbi krimet e kryera nga agjentët shtetërorë ndaj jetës dhe integritetit fizik e mendor të qytetarit. Kjo do të thotë ligji për amnistinë as nuk duhet të amnistojë ushtrimin e ndjekjes penale, as nuk duhet të amnistojë pjesërisht apo tërësisht ekzekutimin e dënimit penal dhe as nuk duhet të realizojë zëvendësimin e dënimit të dhënë nga gjykata me një dënim penal tjetër më të butë.
Së dyti, problematika kushtetuese e radhës së këtyre dy parashikimeve ligjore është shtrirja e fushës së zbatimit të ligjit të amnistisë në veprat penale në të cilat ushtrimi i ndjekjes penale ka karakter privat, që do të thotë se është qytetari në këto raste që mbart tagrin e iniciativës ligjore për ushtrimin e ndjekjes penale dhe jo prokuroria apo shteti. Forma të tilla të ushtrimit të ndjekjes penale në Shqipëri janë dy, konkretisht akuza private e viktimës së veprës penale, sipas nenit 59 të Kodit të Procedurës Penale, dhe ankimi penal i viktimës, sipas nenit 284 të këtij Kodi. Të gjitha veprat penale që ndiqen penalisht në këto forma përfaqësojnë më së pari të drejta të disponueshme të qytetarit, të cilat janë lënduar nga fakti penal historik dhe, duke pasur parasysh karakterin parësisht privat të këtyre veprave penale, ligjvënësi lejon që vullneti i viktimës së veprës penale në këto procedime të jetë determinant për ushtrimin e ndjekjes penale. Por ndërkohë që ligji dhe e drejta penale dhe e procedurës penale i njeh si të tilla këto të drejta të viktimës së veprës penale, neni 71 i Kodit Penal në fuqi dhe neni 194 i projektit të Kodit të ri Penal lejon Kuvendin apo shtetin të përvetësojë këto të drejta private të viktimës, duke njohur mundësinë ligjore për të disponuar renocimin e ndjekjes penale ndaj tyre dhe duke i privuar sakaq në mënyrë të njëanshme këto viktima të veprës penale nga e drejta e disponimit të tyre. Kështu shteti ushtron të drejtën e tij sovrane për të hequr dorë nga titullariteti i përgjegjësisë penale mbi çështje, të cilat ka detyrimin për t’i nisur dhe proceduar, por mbi të cilat nuk ka të drejtën për të nisur procedimin. Po të shikohen dënimet e ulëta që këto vepra penale kanë, universalisht ato korrespondojnë me kushtet dhe kriteret që ligjet konkrete të amnistisë ndër vite kanë parashikuar për të shuar ndjekjen penale. Në këtë mënyrë shteti nëpërmjet Kuvendit merr përsipër vit pas viti të amnistojë ndjekjen dhe dënimet penale që vetë me ligj ia ka njohur ekskluzivisht si të drejtë të dëmtuarve nga vepra penale, pavarësisht se këto të fundit kërkojnë që procedimi penal të nisë, të pandehurit e tyre të dënohen dhe të vuajnë dënimin e merituar. Duhet të kuptohet se procedimi penal si kërkesë ekskluzive e të dëmtuarit, nëpërmjet ankimit dhe gjithashtu edhe akuza penale private, janë mënyra ligjore mbrojtjeje e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, që krahas mbrojtjes administrative dhe civile, ligji ka ofruar një mënyrë alternative apo kumulative të mbrojtjes penale.
Në këtë drejtim konstatoj se Kuvendi dhe grupet e punës ndër vite, mirë që nuk kanë mbajtur parasysh jurisprudencën e GJEDNJ në rastet e shteteve të tjera të Këshillit të Europës që kanë pasur këto problematika, por nuk kanë mbajtur parasysh edhe jurisprudencën e GJEDNJ që mbajtur kundër Shqipërisë, konkretisht çështjen “Pulfer v. Albania” viti 2018. Para 7 vitesh Seksioni II i GJEDNJ konkludoi se amnistitë e herëpashershme mbi pushimin e ndjekjes penale dhe neglizhenca e organeve të ndjekjes penale për të hetuar dhe dërguar për gjykim të disa veprash penale për të cilat viktima e veprës penale (kërkuesja) kishte paraqitur ankim penal në prokurori kishte shkaktuar cenimin e nenit 3 të KEDNJ. GJEDNJ konkludoi, sikurse ka bërë tradicionalisht, se amnistimi i veprave penale të tilla nuk pajtohet me KEDNJ.
Së treti konstatoj se neni 71 i Kodit Penal në fuqi dhe neni 194 i projektit të Kodit të ri Penal nuk kanë kufizuar fushën e veprimit të ligjit për amnistinë kundrejt krimeve gjenocidare, krimeve kundër njerëzimit dhe krimeve të luftës. Sjell në vëmendje se Shqipëria ka ratifikuar Konventën e Kombeve të Bashkuara për Moszbatimin e Afateve të Parashkrimit në Krimet kundër Njerëzimit dhe Krimet e Luftës në vitin 1971. Nga ana tjetër, një regjim i tillë juridik parashikohet në mënyrë të njëjtë edhe nga Konventa e Këshillit të Europës për Moszbatimit të Afateve të Parashkrimit në Krimet kundër Njerëzimit dhe Krimet e Luftës. Megjithëse Shqipëria nuk e ka ratifikuar këtë instrument ndërkombëtar, kjo normë dhe këto detyrime janë pjesë e së drejtës ndërkombëtare të përbotshme (jus cogens). Gjithashtu neni 29 i Statutit të Romës, marrëveshje ndërkombëtare e ratifikuar nga Shqipëria në vitin 1998 dhe për të cilën është dorëzuar instrumenti i ratifikimit në vitin 2003, parashikon se krimet penale ndërkombëtare të Gjykatës Penale Ndërkombëtare nuk mund të jenë objekt i parashikimeve të ligjit penal për parashkrimin. Nga ana tjetër, parashikime të tilla Shqipëria i ka marrë ndërkombëtarisht në vitin 2007, në momentin kur ka ratifikuar Konventën Ndërkombëtare për Mbrojtjen e të gjithë Personave nga Zhdukja me Forcë. Por ndryshe nga sa Shqipëria ka ratifikuar ndër vite marrëveshje ndërkombëtare, asgjë në këtë drejtim nuk është konkretizuar me ndryshime të nenit 71 të Kodit Penal apo nuk është mbajtur parasysh nga grupi i punës për të hartuar nenin 194 të projektit të Kodit të ri Penal. Kjo do të thotë se Kuvendi dhe çdo grup pune që do të krijohet, me këtë fushë veprimtarie, do të duhet që të kufizojë fushën e veprimit të nenit 71 të Kodit Penal apo nenit 194 të projektit të Kodit të ri Penal sa u takon këtyre krimeve. Sikurse këto krime nuk mund të parashkruhen nga ana e ligjvënësve, që kanë ratifikuar këto instrumente të detyrueshme të së drejtës ndërkombëtare, ashtu edhe këto krime nuk mund të amnistohen. Me togfjalëshin “nuk mund të amnistohen” duhet të nënkuptohet mos parashikimi dhe moszbatimi i ligjit për amnistinë për ushtrimin e ndjekjes penale, për shuarjen pjesërisht apo tërësisht të ekzekutimit të dënimeve të caktuara nga gjykata dhe gjithashtu edhe të mos ekzistencës së mundësisë ligjore për Kuvendin që dënimet e caktuara nga gjykata t’i zëvendësojë me dënime penale më të buta.
Nga ana tjetër sjell në vëmendje se në vitin 2017 ligjvënësi për herë të parë në Kodin Penal në fuqi vendosi të shtojë paragrafin e dytë të nenit 66 të këtij Kodi, duke parashikuar se veprat penale të vrasjes me dashje nuk mund t’u nënshtrohen afateve të parashkrimit të ndjekjes penale. Por konstatoj se i njëjti parashikim apo e njëjta logjikë juridike nuk u reflektua edhe në rregullimet ligjore të nenit 71 të Kodit Penal, konkretisht në dispozitën ligjore të vetme që rregullon organikisht amnistinë. Grupi i punës në nenin 185 e ka suprimuar këtë ndalesë ligjore por rezulton se ka parashikuar në pikën 3 të kësaj dispozite ndalesën ligjore të veprimit të afateve të parashkrimit të shuarjes së ndjekjes penale për krimet gjenocidare, krimet kundër njerëzimit dhe krimet e luftës, sipas zotimeve ndërkombëtare por duke ometuar për të përfshirë këtu edhe krimin e zhdukjes me forcë (shih nenin 832). Por rezulton se, ndërkohë që grupi i punës parashikon pamundësinë e veprimit të afateve të parashkrimit të ndjekjes penale, duke e mbyllur derën e kësaj mundësie që nuk duhet të ekzistojë, lë të hapur zbatimin e ligjit për amnistinë për këto krime, duke lënë hapur dritaren alternative të amnezisë apo abstenimit penal ndaj këtyre krimeve që s’mund dhe s’duhet të falen. Vlerësoj se një gjë e tillë nuk mund të lejohet që të ndodhë dhe se Kuvendi dhe çdo grup pune duhet që të parashikojë në mënyrë eksplicite se amnistia nuk mund të shtrihet në këto vepra penale.
Së katërti, vlerësoj se duhet të kuptohet se ligji për amnistinë si kompetencë kushtetuese e Kuvendit nuk mund të konceptohet si ushtrim dhe konkurrim i pushtetit gjyqësor, pasi në këtë mënyrë do të cenohej parimi i ndarjes dhe balancimit të pushteteve, i sanksionuar nga neni 7 i Kushtetutës. Qoftë në nenin 71 të Kodit Penal në fuqi dhe në nenin 194 të projektit të Kodit të ri Penal parashikohet se përmes amnistisë Kuvendi mund të zëvendësojë një dënim penal të rëndë me një dënim penal më të butë. Pavarësisht se tradicionalisht është parashikuar një mundësi e tillë prej ligjit dhe se ajo në këto kushte duket se e ka fituar qytetarinë si zgjedhje e ligjvënësit, vlerësoj se zëvendësimi i dënimit penal më të rëndë me një dënim penal më të butë nuk mund të jetë e pranueshme kushtetutshmërisht të bëhet me ligj, por se do të duhet të bëhet rast pas rasti dhe individualisht me vendim gjyqësor, i cili duhet të përditësohet konkretisht me të gjitha karakteristikat juridike dhe faktike të çdo rasti konkret. Nuk mund të jetë e konceptueshme që dënimi me burgim të përjetshëm të zëvendësohet me dënimin me burgim apo me gjobë, që dënimi me burgim të zëvendësohet me dënim me gjobë apo që dënimet kryesore të zëvendësohen me ligj me dënime alternative apo me dënime plotësuese.
Për rrjedhojë vlerësoj se, qoftë nga neni 71 i Kodit Penal të fuqi dhe qoftë nga neni 194 i projektit të Kodit të ri Penal, duhet të suprimohet mundësia e Kuvendit për të zëvendësuar dënimin penal më të rëndë me një dënim penal më të lehtë. Zëvendësimi i dënimit penal është kompetencë ekskluzivisht gjyqësore dhe se nuk mund të tjetërsohet në natyrën juridike kushtetuese të saj edhe në mundësi për Kuvendin për ta jetësuar përmes ligjit për amnistinë.
Autori, gjyqtar pranë Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar
/Gazeta Panorama
© Panorama.al












