Shpend Krujës i shkrehet arma në trup gjatë gjuetisë në Shkodër. Vetëvritet nga pakujdesia kreu i Shoqatës së Gjuetarëve në Tiranë. Shpend Kruja, 47 vjeç, banues në kryeqytet ka gjetur vdekjen në spitalin e Shkodrës, në fshatrat e të cilit kishte shkuar mesditën e djeshme për gjueti.
Ngjarja ndodhi në Zagore, të rrethit Malësi e Madhe, kur Kruja kishte shkuar për gjueti bashkë me dy miq të tij.
Burime të Policisë së Shkodrës bënë të ditur se arma e gjahut që 47-vjeçari kishte marrë me vete është shkrehur në një moment pakujdesie. Fillimisht, saçmet e dala nga çiftja kanë përshkuar trupin e Krujës, duke e lënë të plagosur rëndë atë. Nga hetimet e policisë, ka rezultuar se në momentin e ngjarjes arma ka qenë e mbushur. Dëshmitë e dy personave që ndodheshin me Krujën në gjueti, një shtetas italian dhe një banor i zonës, kanë treguar se në një moment, 47-vjeçarit i është dashur të kapërcejë një shteg. Një çast pakujdesie ka bërë që arma të shkrehet në mënyrë të pavullnetshme, duke plagosur rëndë pronarin e saj. Dy shokët e tij të gjuetisë e kanë transportuar me shpejtësi Krujën drejt urgjencës së spitalit të Shkodrës. Mjekët kanë pohuar dje se ata i kanë dhënë ndihmën e nevojshme Krujës, por për shkak të plagëve dhe hemorragjisë së shkaktuar prej tyre, 47-vjeçari ndërroi jetë pas rreth 2 orësh. Lajmi i rëndë ka tronditur veç familjarëve të viktimës, edhe komunitetin e gjuetarëve në mbarë vendin. Ashtu siç dëshmuan dhe miqtë e Krujës, edhe Policia e Shkodrës doli në konkluzionin se bëhet fjalë për një ngjarje aksidentale. Me gjithë përvojën në fushën e armëve të Shpend Krujës, dyshohet se mund të ketë qenë ndonjë pengesë gjatë kapërcimit të shtegut, e cila ka bërë që gryka e armës së mbushur të drejtohet nga trupi i 47-vjeçarit. Kruja drejtonte në Tiranë dhe një biznes të shitjes së armëve dhe pajisjeve për gjueti, si dhe njihej nga disa restorante në kryeqytet, pasi i furnizonte me gjahun e gjuajtur vetë nga udhëtimet në vende të ndryshme. Ashtu siç ishte nisur dhe dje në fshatin e Malësisë së Madhe, por që fatkeqësisht mbeti vetë viktimë e një pakujdesie fatale për jetën e tij.











