
PD: Është kandidat politik, po vendosni standard të ri.
Komisioni i Ligjeve e ka mbyllur dje sesionin parlamentar duke kaluar me konsensus të plotë kandidaturën e Igli Totozanit për postin e Avokatit të Popullit. Të majtë dhe të djathtë në Komisionin e Ligjeve kanë respektuar marrëveshjen midis dy forcave të mëdha, për t’i dhënë të drejtë opozitës të emërojë Igli Totozanin në krye të Avokaturës së Popullit. Mbledhja e djeshme është shoqëruar me debate lidhur me mënyrën e përzgjedhjes së kandidaturave nga ana e Partisë Socialiste. Sipas ish-ministrit të Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, miratimi i një kandidature partiake krijon një precedent të rrezikshëm pasi rrëzohet filtri i kandidaturave partiake në postet kushtetuese.
“PS s’mund të thotë që në institucionet kushtetuese të pavarura: Gjykata e Lartë apo Kushtetuese, Avokati i Popullit, kryetari i KLSH, prokurori apo Presidenti, s’mund të vendoset standardi mbi të tërën, mosqenia apo mosmilitimi në parti politike, së paku kjo do të duhet të jetë e qartë që nga krahu tjetër, nuk duhet të ngrihet më si një filtër për moskalimin e kandidatura respektive. Shkurt, sot ne jemi duke vendosur një standard të ri politik, ne mund të emërojnë në poste kushtetuese dhe kandidatë që militojnë qartësisht në radhët partiake në krahët e njërit apo tjetrit”, tha Alibeaj.
Qëndrimi i opozitës
Nënkryetari i Komisionit të Ligjeve, Fatmir Xhafaj, hodhi poshtë pretendimet e anëtarëve të PD-së duke thënë se përzgjedhja e kandidaturës së Avokatit i është ofruar nga vetë maxhoranca. “Ajo që më befasoi është që kolegu Alibeaj është dakord me kandidaturën, me CV-në e kandidatit, dakord me procesin që ka realizuar, por nuk është dakord me konsensusin. Ajo që më duhet të them është që procesi, për të qenë e drejtë e një pale për t’u propozuar, nuk është propozim i PS-së as sot, as dje, është një propozim i lidershipit të maxhorancës, i Kryeministrit dhe kryetares së Kuvendit, që i ka dhënë të drejtë PS-së për të miratuar me këto standarde siç pohuat ju”, tha Xhafaj.
Batutat në Komisionin e Ligjeve
Enkelejd Alibeaj: Ajo që rezulton e qartë për të gjithë ne dhe që duhet t’ua bëjmë të qartë edhe shqiptarëve është që ne sot po zgjedhim një Avokat të Popullit të PS-së, të ardhur nga një proces qartësisht partiak, transparent, dakord, i zgjedhur në mënyrë të fshehtë, dakord, po ia japim dhe këtë benefit. Së dyti, sot jemi duke ezauruar dhe duke i dhënë fund edhe një sjelljeje, për mendimin tim, hipokrite të flukseve politike.
Arben Isaraj: Jo, kjo s’është e vërtetë. Si e bëni qartësisht partiak kandidimin e Totozanit?
Dashnor Sula: Totozanin e keni si dhuratë për Vitin e Ri nga maxhoranca.
Fatmir Xhafaj: Përsa i përket anës partiake, po ju bëj një gjë që është shumë e njohur. Zoti Totozani për asnjë ditë s’ka qenë anëtar i PS-së, s’ka milituar me asnjë formë apo mënyrë në strukturat partiake apo mbështetëse të PS, është i pastër si një personalitet i shoqërisë civile.
Tritan Shehu: Mendoj se pavarësisht background-it politik që ka, duke e njohur kandidatin që në shkuarën e tij familjare dhe personale, jam i bindur se do të dijë ta kapërcejë këtë prejardhje politike për të kryer me sukses dhe pozitivitet detyrën e tij të re.
Arben Isaraj: Ne ju kemi lënë Presidentin juve!
Edi Paloka: Është e qartë se ne kandidaturën e Totozanit do ta votojmë në bazë të një marrëveshjeje të arritur mes dy partive. Të rimë të diskutojmë tani se sa i paanshëm është, e dimë të gjithë tashmë sa i paanshëm që është. Është absurde ta diskutojmë. A e vlerësojmë ne procesin e PS? Është prapë çështje e PS-së, megjithëse edhe ne e dinim një javë para se do vinte Totozanin, prej Koços, prej të gjithëve e kemi marrë vesh.
Tom Doshi: Nga e morët vesh, prej Korçës? (Të qeshura në sallë.)
Edi Paloka: Prej Koços, Koços! Kështu që është e kotë të diskutojmë për vlerë apo mungesë vlerash. Mendoj ta votojmë dhe ta mbyllim.
Pandeli Majko: Unë mendoj se sot duhet të vlerësoheshim si partia e parë që ka sjellë një kandidat me procedura transparente që u zhvillua në publik. Lidhur me politizimin e zotit Totozani, unë e njoh më shumë se kolegët e tjerë. Mund t’ju them që nuk është aq i majtë sa mund t’ju duket.
Do miratohet akti normativ për buxhetin dhe Avokati i Popullit
Parlamenti në seancën e fundit për 2011, 10 projektligje në axhendë
Parlamenti i Shqipërisë do të mbyllë sot sesionin për vitin 2011. Në seancën e fundit janë depozituar nëntë projektligje, të cilat pritet të ngjallin diskutime midis maxhorancës dhe opozitës. Debate pritet të ngjallin dy nismat e depozituara nga Partia Socialiste për heqjen e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) për disa produkte ushqimore dhe energjisë elektrike. Draftet e opozitës janë rrezuar nga Komisioni i Ekonomisë disa ditë më parë dhe pritet të pësojnë të njëjtin fat në seancën e fundit të Kuvendit për shkak të mungesës së numrave. Deputetët e shumicës gjatë diskutimeve në komision e kanë cilësuar propozimin e heqjes së TVSH-së të padrejtë, pasi kërkohet favorizim i kompanive në treg. Sipas nismës së PS-së, produktet bazë si mielli, buka, qumështi, veza të tatohen me 0% TVSH dhe furnizimi për vajin, sheqerin dhe orizin janë furnizime të tatueshme në masën 10%, duke filluar nga data 1 janar 2012. Parlamenti do të miratojë dhe aktin normativ për ndryshimin e buxhetit të shtetit për vitin 2012. Në këtë akt normativ të qeverisë autorizohet Korporata Elektoenergjetike Shqiptare të marrë një kredi rreth 45 milionë dollarë, për të përballuar importin e energjisë gjatë periudhës së dimrit. Deputetët e PD-së e votuan aktin normativ ditë më parë në Komisionin e Ekonomisë, çka i mundëson KESH-i marrjes së kësaj kredie, që synon të garantojë furnizim pa kufizime të popullsisë me energji, ndërkohë që deputetët e PS-së votuan kundër, duke argumentuar se shkak i vështirësisë financiare është vetëm keqmenaxhimi. Ndër pikat e rëndësishme të Kuvendit është dhe plotësimi pas dy vitesh ngërç të institucionit të Avokatit të Popullit, kryetari i të cilit do të jetë Igli Totozani. Projektligji për mbikëqyrjen elektronike të të burgosurve do të jetë një tjetër pikë që pritet të ngjallë debate. Drafti parashikon që nga 1 prilli i vitit të ardhshëm dhe për vitin 2012 do të jenë 300 çipa elektronikë që do të jenë të disponueshëm për personat që do të dënohen me vendim gjykate.
Axhenda e Kuvendit
1. Projektligj “Për ratifikimin e Konventës rajonale për rregullat preferenciale Pan-Euro-Mediterane të origjinës”.
2. Projektligj “Për ratifikimin e Protokollit të Privilegjeve dhe imuniteteve të Qendrës për Zbatimin e Ligjit në Europën Juglindore”.
3. Projektligj “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në ndryshimet e Konventës për krijimin e Këshillit të Bashkëpunimit Doganor, bërë në Bruksel më 15 dhjetor 1950”.
4. Projektligj “Për disa ndryshime në ligjin nr. 8951, datë 10.10.2002 ‘Për numrin e identitetit të shtetasve’”.
5. Projektligj “Për disa ndryshime në ligjin nr. 10.129, datë 11.5.2009 ‘Për gjendjen civile’”.
6. Projektligj “Për mbikëqyrjen elektronike në fushën penale”.
7. Projektligje “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 7928, datë 27.4.1995 ‘Për tatimin mbi vlerën e shtuar’ të ndryshuar”. (2 nisma)
8. Projektligj “Për një ndryshim në ligjin nr. 7918, datë 13.4.1995 ‘Për miratimin me ndryshime të dekretit nr. 1030, datë 23.02.1995 ‘Për emetimin dhe shpërndarjen e bonove të privatizimit’ (lekë të privatizimit) dhe të dekretit nr. 1049, datë 27.3.1995 ‘Për disa plotësime në dekretin nr. 1030, datë 23.2.1995’ të ndryshuar”.
9. Akt normativ nr. 4, datë 14.12.2011 “Për një ndryshim në ligjin nr. 10.355, datë 2.12.2010 ‘Për buxhetin e vitit 2011’ të ndryshuar”.
10. Plotësimi i vendeve vakante në institucione.
FATION BINJAKU
© Panorama.al











