Pakti PD-PS, debat në Kuvend

Jan 16, 2012 | 13:01

Opozita kundërshton përfshirjen e ligjeve me 84 vota.

Parlamenti do të mblidhet sot në orën 17:00 për herë të parë për vitin 2012, në sesionin VI të legjislaturës XVIII. Kjo seancë pritet të zhvillohet mes debateve, për shkak të faktit se në axhendë janë përfshirë disa ligje me shumicë të cilësuar, për të cilat opozita kërkoi më shumë kohë për t’i shqyrtuar.
Rendi
Në rendin e ditës, i cili është bërë publik në faqen zyrtare të Kuvendit, është njoftuar se do të jenë katër pika, të cilat në pamje të parë janë formale. Kështu, pas hapjes së punimeve, pritet të miratohet procesverbali i mbledhjes së fundit, që ka qenë në dhjetor, miratimi i programit të punës për periudhën 16 janar-24 shkurt dhe miratimi i kalendarit 3-javor 16 janar-3 shkurt. Por, pikërisht në këtë pikë të fundit të rendit të ditës, pritet të ketë një reagim nga opozita, që zë fill nga mbledhja e fundit e Konferencës së Kryetarëve. Të enjten e kaluar, Konferenca miratoi vetëm me votat e maxhorancës kalendarin 3-javor, për shkak se opozita ishte kundër përfshirjes në rendin e ditës së ligjeve me 3/5-at. Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi, do të mbajë sot një fjalim para Parlamentit, ku në thelbin e qëndrimit të opozitës është fakti se ajo kërkon më shumë kohë për t’u njohur me këto nisma. Nga ana e saj maxhoranca e ka lexuar këtë qëndrim të socialistëve si prishje të marrëveshjes së muajit nëntor, ku u miratua një axhendë për aprovimin e ligjeve me shumicë të cilësuar. Në një deklaratë të Kuvendit, pas mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve, thuhej se “Konferenca përcolli me shqetësim kërkesën e Kryetarit të Grupit të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi, për të hequr nga kalendari pr/ligjet e mbetura që kërkojnë shumicë të cilësuar, si një kërkesë që rrezikon seriozisht implementimin në kohë të marrëveshjes së 14 nëntorit 2011”. Nga ana e saj, opozita nëpërmjet Taulant Ballës deklaroi se “ngutja e palës tjetër dhe sidomos arbitrariteti në vendimmarrjen e Konferencës së Kryetarëve nuk e justifikojnë as qëllimin e përbashkët për ta mbyllur këtë proces në mars e as domosdoshmërinë që ky proces të jetë serioz, cilësor e transparent.”

Kalendari
.Ndryshimet në Kodin Penal

.Ndryshimet në Kodin Civil

.Ngritja e Gjykatës Administrative

.Projektligji “Për transmetimin me zë dhe/ose figurë në Republikën e Shqipërisë”

.Projektligji “Për shëndetin mendor”

.Projektligji “Për mbledhjen e kontributeve të detyrueshme të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore në Republikën e Shqipërisë”

.Projektligji “Për portet turistike në Republikën e Shqipërisë

Financimi i rrugëve
Në ditën e parë zyrtare të punimeve të Parlamentit, pritet të mblidhet sot në orën 11:00 Komisioni i Veprimtarive Prodhuese, Tregtisë dhe Mjedisit. Në rendin e ditës së këtij komisioni është diskutimi i projektligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes së huas ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe BERZH-it, për financimin e projektit të BYPASS-eve të rrugës së Fierit dhe Vlorës”. Gjatë ditës së martë pritet të nisin nga puna edhe komisionet e tjera parlamentare.

ADI SHKEMBI

© Panorama.al

Te lidhura