Pakti i Ramës, debat Malaj-Ruçi

Sep 27, 2011 | 11:20
Malaj, Islami, Blushi e Bello

Mbledhja e djeshme e Grupit Parlamentar socialist nuk ka kaluar pa debate lidhur me paktin e PS-së, “Shqipëria si gjithë Europa”. Kreu i Grupit Parlamentar, Gramoz Ruçi, ka lexuar 10 pikat e paktit të bërë publik ditën e premte nga kryetari socialist, Edi Rama. Pasi i ka njohur deputetët zyrtarisht në mbledhjen e tyre të Grupit Parlamentar, drejtuesi i Grupit, Gramoz Ruçi, ka kërkuar organizimin e debatit parlamentar për rendin e ditës së Kuvendit. Por, anëtari i Kryesisë socialiste, Arben Malaj, pasi ka vlerësuar paktin e deklaruar nga kreu socialist, ka argumentuar qëndrimin e tij pse pakti duhet të kishte marrë pëlqimin dhe miratimin e Asamblesë Kombëtare. Sipas tij, diskutimi dhe miratimi në Asamblenë Kombëtare do të rriste kredibilitetin e këtij dokumenti politik, duke e paraqitur atë si një dokument partiak dhe jo të kryetarit. Kreu socialist mungonte dje në mbledhjen e Grupit Parlamentar, një ritual i vendosur me fillimin e sesionit të ri parlamentar. Kreu i Grupit Parlamentar, Ruçi, është shprehur se në mbledhjen e fundit të Asamblesë Kombëtare u miratua kursi i ri politik, pjesë e të cilit është dhe pakti i propozuar nga Edi Rama për integrimin e vendit.
Propozimi
Pakti i PS dhe propozimet për reformë parlamentare janë bërë objekt i fjalës së Kryeministrit Berisha në mbledhjen e Grupit të PD. Në përgjigje të deklaratave të Kryeministrit, selia rozë, përmes nënkryetarit të Grupit, Sajmir Tahiri, i cili tha se propozimet e PS janë të qarta dhe presin një përgjigje. “PS ka bërë një propozim shumë të qartë, për të cilin duhet një përgjigje në interes të qytetarëve dhe të vendit për integrimin në BE. Edhe pse duhet thënë se ne jemi mjaft të qartë se Sali Berisha nuk e do integrimin e vendit në BE. Sepse vetëm duke qenë larg integrimit europian mund të mbajë në këmbë një qeveri të paaftë dhe injorante. Gjithsesi, ne jemi të vendosur t’i çojmë deri në fund përpjekjet tona, së bashku me qytetarët”, u shpreh Tahiri pas mbledhjes së Grupit të PS-së.
Kokteji
Deputetët socialistë kanë mbetur të surprizuar në sallën e mbledhjeve në selinë rozë, kur kanë gjetur një koktej të përgatitur në tavolinat e sallës. Dy deputetët, Arben Malaj dhe Marko Bello, të cilët një javë më parë mbushën 50 vjet, kishin organizuar këtë pritje ditën e mbledhjes së Grupit Parlamentar ku ndodhen të gjithë deputetët. Ata kanë marrë urimet “zyrtare” me rastin e përvjetorit të lindjes së tyre, ndërsa këtë mundësi nuk e ka pasur kreu socialist Edi Rama, i cili ndodhej jashtë shtetit që prej fundjavës.
Një javë më parë, në mbledhjen e kaluar të Grupit, në fund të fjalës së tij, Rama uroi Malajn dhe Bellon për 50-vjetorin, urim ky që ngjalli jo pak xhelozi në ambientet e Grupit Parlamentar. Deputeti Paulin Sterkaj, pas urimit që Rama u bëri dy deputetëve, u shpreh qejfmbetur se nuk kishte marrë një urim të tillë. “Edhe unë, kryetar, kisha ditëlindjen dhe s’më uroi njeri. Pse ky diferencim?!”, mësohet t’i ketë thënë Sterkaj kreut socialist Rama. Deputetët kanë shkëmbyer batuta mes tyre, ndërsa dikujt i ka rënë në sy mungesa e Andis Harasanit. “Kjo ceremoni bëhet dhe në 2-vjetorin e nisjes së Lëvizjes për Mendimin Ndryshe, ndërsa ka shumë mundësi që Harasani të ketë shkuar në Nju Jork për të regjistruar LMN në Bursë si ‘Blue Chips’”, mësohet të ketë thënë një nga deputetët e Grupit Parlamentar socialist gjatë koktejit.

Rendi i ditës
Deputetët socialistë kanë diskutuar dhe për rendin e ditës të seancës parlamentare të së enjtes. Ata kanë caktuar listën e diskutimeve për aktin normativ të qeverisë për largimin e varrezave të makinave të prishura, duke e cilësuar ata në interes të biznesit privat për skrap. Gjithashtu ata kanë përcaktuar dhe deputetët që do të diskutojnë në 60 minutat e diskutimeve të lira.

Debati në mbledhjen e Grupit të PS
Gramoz Ruçi: Pikat e paktit tonë tregojnë edhe njëherë seriozitetin e forcës sonë dhe vendosmërinë për të zgjidhur krizën politike dhe arritjen e qëllimit që të jemi sa më pranë Europës. Tani presim një reagim nga maxhoranca që ai të konkretizohet dhe të kthehet në objekt pune parlamentare.

Arben Malaj: Shoku Gramoz, unë e vlerësoj paktin që paraqiti kryetari, por mendoj se ai duhej të ishte paraqitur shumë kohë më parë dhe duhej të kishte kaluar nëpër instancat vendimmarrëse të partisë sonë, siç është Asambleja Kombëtare. Një njohje dhe miratim në këtë forum do të shtonte më shumë kredibilitetin e këtij dokumenti, por dhe do t’i jepte më shumë peshë politike si një dokument politik i forcës më të madhe politike në vend.

Gramoz Ruçi: Në mbledhjen e fundit të Asamblesë Kombëtare, kryetari i PS-së, shoku Edi, paraqiti kursin e ri politik të PS, kurs mbi të cilin diskutoi dhe Asambleja në mbledhjen e datës 2 korrik. Pakti i paraqitur ditën e premte dhe që mori pëlqimin e Kryesisë së Grupit dhe kryetarëve dhe nënkryetarëve të komisioneve parlamentare, është një detajim i kursit të ri të PS, që do të pasohet dhe me aksione të tjera.

Arben Malaj: Unë vazhdimisht kam qenë institucional dhe respektoj çdo instancë vendimmarrëse të PS, por pikat e paktit janë një vendimmarrje shumë e rëndësishme politike, që i kalon kufijtë dhe kompetencat e Kryesisë së Grupit Parlamentar.

ARISTIR LUMEZI

© Panorama.al

Te lidhura