
Partia Socialiste ka depozituar dje në Kuvend kërkesën për zhvillimin e një seance urgjente me ministrin e Jashtëm, Edmond Panariti, për të raportuar lidhur me marrëveshjen e kufijve detarë me Greqinë. Nënkryetarja e Komisionit të Punëve të Jashtme, Arta Dade, kërkoi dje nga kreu i Komisionit Fatos Beja, që të thërrasë në seancë urgjente kreun e diplomacisë shqiptare për të dhënë llogari para ligjvënësve. Deputetët e opozitës kërkuan që ministri Panariti të japë sqarime për deklaratat kontradiktore, që sipas tyre janë bërë nga Kryeministri Sali Berisha dhe ministri i Jashtëm Edmond Panariti, për rifillimin e negociatave të fshehta me shtetin helen për kufijtë ujorë. Dade kërkoi që kërkesa e PS-së të përfshihet në axhendën e Komisionit të Jashtëm dhe të zhvillohet sa më parë të jetë e mundur. Në propozimet e PS-së kërkohet nga ministri Panariti që të japë sqarime edhe për zbatimin e ligjit për emërimet në diplomaci, që sipas Arta Dades është shkelur në mënyrë të përsëritur në emërimin e ambasadorëve. Nga ana e tij, kryetari i Komisionit të Jashtëm, Fatos Beja, deklaroi se kërkesat e deputetëve do t’i përcillen ministrit me një letër zyrtare të Kuvendit.











