
Bashkëshortja e plagosur e Osama bin Ladenit ka qenë në qendër të një “lufte” diplomatike, ndërsa autoritetet pakistaneze refuzuan kërkesën e amerikanëve për ta marrë atë në pyetje.Debati u ndez, pasi akuzat se agjentët pakistanezë mund të ishin spiunët e Bin Ladenit u bënë më të drejtpërdrejta. Shërbimet sekrete pakistaneze janë akuzuar se kanë qenë ata që e kanë fshehur Bin Ladenin. Gruaja e tij e plagosur gjatë aksionit, 27-vjeçarja me origjinë nga Jemeni, Amai Ahmed Abdulfatah, besohet se mund të ketë shumë informacion mbi ish-kreun e Al Kaedës, pasi ka qenë me të deri në momentet e fundit. Por autoritetet e Pakistanit, të zemëruara edhe për faktin se Osama bin Laden u vra pa u dhënë atyre asnjë informacion, u janë përgjigjur amerikanëve me “jo”. Komandot e “Navy Seal” kishin në plan ta merrnin me vete Amain, më e reja prej pesë grave të tij. Por ata nuk mundën, nuk kishin hapësirë, pasi një prej helikopterëve të tyre u dëmtua dhe u dogj në kompleksin e Bin Ladenit. Edhe vajza 12-vjeçare e Bin Ladenit, kur u mor nga forcat pakistaneze, tha se kishin qenë me fat që u shkatërrua një helikopter, pasi kishin kuptuar se amerikanët donin ta merrnin me vete të gjithë familjen. Amai, e plagosur gjatë aksionit në pulpën e këmbës, u kurua në Spitalin e Ravalpindit, Pakistan. Autoritetet pakistaneze insistuan se Amai do të dërgohet në Jemen, atje ku e ka vendin, dhe jo në SHBA. Zyra e Jashtme pakistaneze tha se “Qeveria shpreh shqetësim të thellë dhe rezervime mbi mënyrën si e kryen Shtetet e Bashkuara këtë operacion”. Amai ka rënë pa ndjenja pasi është qëlluar, por më pas u tha hetuesve pakistaneze se ishte përpjekur të mbronte Bin Ladenin dhe prandaj ishte plagosur. Amai tha se Bin Laden u ekzekutua me gjakftohtësi, pak minuta pasi ishte kapur i gjallë. Këtë version dha gjatë marrjes në pyetje edhe vajza 12-vjeçare e Bin Ladenit. Besohet se në dhomë bashkë me ta kanë qenë tre fëmijë. Ndërkohë, tensioni me forcat pakistaneze është shtuar jo vetëm me SHBA-në, por edhe vendet e tjera perëndimore. Shërbimet sekrete britanike, MI6, ia kanë drejtuar gishtin e dyshimit Pakistanit, sipas burimeve të “The Sun”. Ata besojnë se agjentë pakistanezë ishin të paguar nga “Al-Kaeda” për të mbyllur sytë mbi praninë e Bin Ladenit në Abutabad. Shrëbimet sekrete britanike i kanë dërguar këtë javë një raport kryemisnitrit David Kameron, ku theksojnë dyshimet e tyre. Edhe kreu i CIA-s, Leon Paneta, tha se “Ne druheshim se çdo informacion që mund t’u jepnim shërbimeve sekrete të Pakistanit do të komprometonte aksionin tonë”. Por, autoritetet pakistaneze i janë përgjigjur me zemërim këtyre akuzave. Një natë më parë, ministri i Jashtëm pakistanez tha se ishte “fyese” që Perëndimi ngrinte dyshime mbi Pakistanin, pasi ata kishin luajtur një rol “parësor” në luftën kundër terrorizmit. Ndërsa Komandanti i Ushtrisë pakistaneze, gjeneral Ashfaq Parvez Kajani, tha të enjten se ai nuk do ta tolerojë një operacionin tjetër të mbuluar amerikan, si ai që vrau Osama bin Ladenin, duke paralajmëruar se çdo veprim i tillë do të çonte në rikonsiderimin e marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara. Në reagimin e tij të parë publik, që nga vrasja e Bin Ladenit, me një aksion që hodhi shumë hije dyshimi mbi aftësitë e ushtrisë pakistaneze, gjenerali Kajani e bëri deklaratën në një takim me dyer të mbyllura me gazetarë të përzgjedhur pakistanezë. Deklarata thotë “Çdo aksion i ngjashëm që shkel sovranitetin e Pakistanit do të detyrojë risimin e bashkëpunimit me SHBA në nivel ushtarak/shërbimi sekret”. Gjenerali Kajani ka vendosur që numri i personelit amerikan ushtarak në Pakistan të ulet “në minimumin esencial”, thuhet në deklaratën e tij.
Ndërtuesi i kompleksit
Ndërtuesi i kompleksit të Osama Bin Ladenit dje tha se dinte çdo detaj të ndërtesës, por nuk e dinte se kush jetonte, duke shtuar se kur mbikëqyrësit flisnin për të, i referoheshin me “mjeshtri” apo “regjisori”. Gul Mohammed, 38 vjeç, tha se nuk e njihte pronarin, por kishte dyshime sepse “vetëm një apo dy bura vinin të mbikëqyrnin punën. Ata nuk pyesnin shumë për shpenzime. Kur i pyeta pse duhen muret me beton, më thanë: S’ka ç’të duhet ty”. “The Sun” ka zbuluar nga kontaktet me shërbimet sekrete pakistaneze se Bin Laden është zhvendosur në këtë rezidencë
më 6 janar 2006. Kompleksi i tij në të vërtetë kushtonte vetëm 250 mijë dollarë dhe jo 1 milion dollarë, siç u raportua më parë.
Editoriali i Kastros
SHBA e kanë ekzekutuar Bin Ladenin, por duke shpërfaqur “dobësi dhe pasiguri” me sulmin e tyre. Kështu është shprehur ish-lideri kuban, Fidel Kastro, në një editorial në organin shtetëror të informimit. Sipas Kastros, “Obama nuk ka asnjë mënyrë për të fshehur se Bin Ladeni është ekzekutuar në prani të gruas dhe fëmijëve”. Për Kastron, sulmi amerikan ka shkelur ligjet e Pakistanit dhe ka fyer dinjitetin kombëtar dhe traditat fetare. Kastro tha se SHBA do të kenë probleme të reja në lidhje me Bin Ladenin, edhe pse e vranë atë. “Vrasja dhe hedhja në thellësitë e detit janë shenja dobësie dhe pasigurie, e kanë transformuar Bin Ladenin në një figurë akoma më shumë të rrezikshme, sepse vrasja e tij do të shumëfishojë ndjenjat e hakmarrjes dhe urrejtjes kundër popullit amerikan”.
“Bin Ladeni u tradhtua nga Al Zauahiri”
Osama bin Laden është “likuiduar” nga fraksioni egjiptian i “Al Kaedës”, drejtuar nga numri dy i rrjetit të terrorit, Ayman al Zauahiri. Kështu shkruante e përditshmja saudite “Al-Vatan”, duke cituar një “burim rajonal pranë dosjes së terrorizmit”. Sipas tij, ka qenë “një korrier pakistanez dhe jo kuvajtian ai që ka çuar amerikanët në kompleksin e Abutabadit”. “Egjiptianët e Al-Kaedës e drejtojnë faktikisht organizatën që nga viti 2002 dhe kanë qenë ata që janë përpjekur, që pas sëmundjes së Bin Ladenit në 2004-n, që të marrin në dorë grupin”, citon burimi. Të dhëna të tjera tregojnë se kanë qenë pikërisht egjiptianët që e kanë bindur Bin Ladenin të largohet nga zonat e fiseve pakistaneze të veriperëndimit, të afërta me miqtë e tij talebanët dhe të strehohej në Abutabad. Egjiptianët besohet se e kanë organizuar këtë plan për të eliminuar Bin Ladenin që në vjeshtën e vitit të kaluar, pas kthimit nga Irani të terroristit egjiptian, Saif al-Adl, të kapur nga Teherani pas vitit 2002 e të liruar pak muaj më parë.
© Panorama.al











