Qeveria ka dy variante për rritjen e pagave dhe pensioneve. Kryeministri Berisha tregoi dje se Financat po bëjnë gati paketën sociale për fillimin e korrikut.“Desha t’ju informoj se për këtë muaj, aktiviteti më i rëndësishëm i qeverisë dhe veprimtarisë tuaj është rritja e rrogave dhe pensioneve. Natyrisht do të behët kjo gjë, duke kontrolluar me lupë të gjitha shpenzimet e tjera. Nuk do të pranojmë të rritet qoftë dhe një qindarkë borxhi publik, që ne qëndrojmë në shifrën e borxhit që jemi zotuar”, sqaroi dje, deputetët Berisha. Por edhe pse në deklarata gjërat po shkojnë mirë, të dhënat e buxhetit nuk tregojnë se arka ka shumë para për pensionistët dhe rrogëtarët e tjerë të shtetit. Sipas të dhënave, në Ministrinë e Financave, në varësi të realizimit të të ardhurave dhe shkurtimeve në buxhet, ka dy variante për rritjen e pagave dhe pensioneve. Varianti i parë është ai i deklaruar në përgatitjen e buxhetit 2011, ku parashikohej që pagat e zyrtarëve të lartë drejtues të rriteshin me 1 për qind, pagat mesatare me 4 për qind dhe pagat e ulëta bashkë me ato të arsimtarëve, mjekëve dhe infermierëve, të rriten me 10 për qind. Ky, në variantin kur i gjithë fondi prej 14.9 milionë USD, që është i destinuar për politikë të re pagash, në buxhetin e vitit 2011 të përdoret për rritjen e rrogave. Por, qeveria ka vendosur të ndryshojë buxhetin dhe ka shumë mundësi që ky fond të mos jetë kaq i madh. Një tjetër variant është që zyrtarët e lartë drejtues, të mos kenë sërish rritje të pagave. Pagat e tjera mesatare të rriten me 2-3 për qind. Ndërkohë që pagat e ulëta dhe ato të mësuesve, infermierëve e mjekëve të rriten me 5 për qind. Më e qartë duket rritja e pensioneve. Qeveria pritet të vendosë që rritja e pensioneve të jetë 7-8 për qind për qytetin dhe 10 për qind për fshatin. Fondi për rritjen e pensioneve në buxhet është 20 milionë USD. Sidoqoftë, këto variante janë akoma në nivelin e diskutimeve. Gjithçka do të vendoset me ndryshimin e buxhetit. Një gjë është e sigurt, këtë vit inflacioni është 4 për qind dhe çdo rritje duhet të kalojë këtë shifër që të quhet reale për qytetarët.
Buxheti
Berisha e tha qartë dje se do të rishikohen me lupë të gjitha shpenzimet dhe se buxheti do të ketë një ndryshim. Në Ministrinë e Financave, të dhënat e thesarit tregojnë se deficiti po shtohet, kjo nga mungesa e të ardhurave, por edhe nga rritja e shpenzimeve si rezultat i fushatës zgjedhore. Deficiti në 4 muaj arriti 159 milionë USD. Për këtë arsye, duket se qeveria, përveç shkurtimit të shpenzimeve korrente, do të prekë dhe investimet kapitale. Një variant i suksesshëm ishte ai i bërë vjet, kur në fillim të shtatorit qeveria ndaloi të gjitha shpenzimet e reja. Buxheti i rishikuar i korrikut do të ketë më pak para në përdorim, si e vetmja rrugë për të mbajtur borxhin në nivelet 59% të GDP dhe si e vetmja mënyrë për të korrigjuar shpenzimet e ekzagjeruara të këtij fillimviti zgjedhor.
Rritja e pagave e pensioneve
14.9 milionë USD
fondi për rritjen e pagave të administratës
Varianti 1
1% shtesë pagat e zyrtarëve të lartë
4% shtesë pagat mesatare
10% shtesë pagat e ulëta, mësuesit,
shëndetësia
Varanti 2
0% shtesë pagat e zyrtarëve të lartë
2-3% shtesë pagat mesatare
5% shtesë pagat e ulëta, mësuesit,
shëndetësia
20 milionë USD
fondi për rritjen e pensioneve
7-8% shtesë pensionistët e qytetit
10% shtesë pensionistët e fshatit
Borxhi, Berisha “harron” uljen sipas formulës
Borxhi publik nuk do të rritet, por, ama, as do të ulet sipas parashikimit të bërë në kuadrin makrofiskal 2012-2014 që vetë qeveria miratoi në shkurt. Kryeministri Sali Berisha, gjatë mbledhjes së Grupit të PD-së ditën e djeshme, u ndal edhe te borxhi publik, duke argumentuar se niveli 59 për qind i tij vjen për shkak të investimeve të shumta, sidomos në infrastrukturë. Duke u ndalur në shkurtimet që do t’i bëhen buxhetit, ai theksoi se do t’i vihet një rëndësi e madhe borxhit dhe asnjë qindarkë më tepër nuk duhet të kalojë nivelin e përcaktuar. “Borxhi nuk do të mund të rritet, do të mbetet në shifrat e caktuara dhe do të mbahet në këto shifra gjer në vitin 2013. Kurse 2013-2017 do të jetë periudha e uljes së ndjeshme të borxhit publik të Shqipërisë, sepse kështu e kërkojnë rregullat”, tha Kryeministri. Deklarata e kreut të qeverisë në thelb mbart një kundërshtim me atë që vetë Ekzekutivi ka miratuar më herët për një ulje të borxhit dhe jo mbajtje në nivele statike. Buxheti i këtij viti ka parashikuar që borxhi të jetë 59.2 për qind, por kuadri makrofiskal 2012-2014 parashikon që në vitin 2012 borxhi të fillojë të ulet sipas formulës së miratuar dhe të arrijë 58.7 të GDP-së, ndërsa për vitin 2013 ky borxh është parashikuar të ulet në 58.1 për qind. Pra, diferenca në shifra mes deklaratës së Kryeministrit dhe kuadrit në fuqi është plot një për qind e GDP-së.
Borxhi publik
Buxheti 2011
Viti 2011 59.2 për qind e GDP-së
Borxhi në kuadrin makro-fiskal 2012-2014
Viti 2012 58.7 për qind e GDP-së
Viti 2013 58.1 për qind e GDP-së
Viti 2014 57.6 për qind e GDP-së
Borxhi sipas Kryeministrit
Viti 2011-2013 59 për qind
NERTILA MAHO
© Panorama.al











