TIRANE- Vetëm një ditë pasi Gjykata e Lartë pranoi padinë e disa prej të të dëmtuarve nga shpërthimi tragjik i 15 marsit 2008 në Gërdec kundër ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, e ka pushuar atë. Sipas saj, në padinë e depozituar nga banorët e prekur nga tragjedia e Gërdecit nuk ka elementë të veprës penale.
Nga 27 persona që e akuzonin për “plagosje të rëndë nga pakujdesia” ish-ministrin e Mbrojtjes, aktualisht ministër i Mjedisit, gjykata pranoi vetëm kërkesën e katër prej tyre. Të dëmtuarit e ligjëruar si palë në proces i janë përgjigjur gjithashtu negativisht pyetjes së Gjykatës për zgjidhje të çështjes me pajtim. Trupit gjykues i është kërkuar një ditë më parë që të procedohej me kërkesën në Parlament për heqjen e imunitetit të ministrit Mediu, kërkesë për të cilën Gjykata nuk u shpreh.
Përveç Mediut, në padinë e të dëmtuarve në këtë proces akuzohej edhe Ylli Pinari, Mihal Delijorgji, Dritan Minxolli, Sokol Ngjeci, si dhe Ministria e Mbrojtjes dhe Këshilli i Ministrave, për të cilët gjykata shpalli moskompetence, duke shtuar se është kompetente Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë
Banorët e Gërdecit, të plagosur dhe dëmtuar nga shpërthimi tragjik i 15 marsit 2008, kërkonin“shpërblimin e dëmit pasuror dhe jopasuror” dhe gjykimin e të sipërpërmendurve për akuzën penale të “plagosjes nga pakujdesia”.
© Panorama.al











