
Pas 86 ditësh pro-testa, minatorët e Bulqizës padisin qeverinë në gjykatë. Përfaqësuesit e tyre sindi-kalistë kanë paditur qeverinë për dëm të shkaktuar shtetit shqiptar. Drejtuesit sindikalistë, në padinë e dorëzuar së fundi në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Dibër, janë shprehur se qeveria shqiptare është përgjegjëse pse nuk janë investuar 21 milionë dollarë në minierën e kromit Bulqizë. Konfederata e Sindikatave i referohet moskryerjes së investimeve nga ana e Albanian Krom në këtë minierë, pasi firma e huaj në kontratën e nënshkruar me palën shqiptare kishte garantuar kryerjen e punimeve të thellësisë. “Ne nuk tërhiqemi nga kërkesat tona të ligjshme”, është shprehur dje paradite Presidenti i Konfederatës së Sindikatave të Minatorëve, Kol Nikollaj, në tubimin e organizuar në qendër të qytetit të Bulqizës. “Muaj më parë jemi paditur nga RISHM-i, METE dhe Avokatura e Shtetit për “shpërdorim të pronës publike”, ndërkohë ne i jemi përgjigjur atyre me një kundërpadi për dëmin e shkaktuar shtetit shqiptar nga firma e huaj. Në këtë rast, e gjithë përgjegjësia sipas nesh i përket qeverisë, e cila ka lejuar këtë kompani fantazmë të marrë fitime përrallore nga miniera e Bulqizës, ndërkohë nuk ka kryer asnjë investim. Ne kemi fakte të shumta se si është keqmenaxhuar kjo minierë. Disponojmë fatura të shumta ku faktohet se mallrat, pajisjet dhe makineritë janë blerë me çmime të larta, madje ato mbajnë vulën e disa ndërmarrjeve që nuk i prodhojnë ato. Korrupsioni është shumë i madh dhe jemi të habitur se si organet e drejtësisë nuk veprojnë”, tha Nikollaj. Duke iu referuar padisë që Konfederata e Sindikatave ka bërë për qeverinë, Nikollaj sqaron se Gjykata e Dibrës në seancën paraprake u ka kërkuar sindikalistëve derdhjen e 3-përqindëshit të 21 milionë dollarëve, si tatim për hapjen e procesit gjyqësor, ndryshe padia e tyre është e paligjshme. “Ne nuk kemi mundësi financiare të derdhim në arkën e shtetit një shumë të tillë, ndërkohë Avokatura e Shtetit nuk ka detyrime të tilla si ne. Nëse do të na kërkohet shlyerja e këtij detyrimi, ne jemi të dorëzuar, pasi nuk arrijmë të derdhim 3% të 21 milionë dollarëve”, nënvizoi kryesindikalisti. Ndërsa ende nuk po gjendet zgjidhje e përbashkët mes sindikatës dhe firmës austriake, 9 grevistë vazhdojnë të qëndrojnë të ngujuar, ndërsa minatori Sali Alliu ndodhet prej dy ditësh ë nën kujdesin e mjekëve të Burrelit, në spitalin lokal “Xhavit Mara”. Këshilli sindikal kërkoi nga strukturat e shëndetësisë të bëjnë kujdes të veçantë për jetën dhe shëndetin e minatorëve, pasi ato po vuajnë për shkak të kushteve të rënda të ngujimit.
BULQIZE/ HASAN PASHA











