Sipas vendimit te zbardhur te Gjykates Kushtetuese, tri gjykatat, ajo e Shkodres, Permetit dhe Sarandes, në kërkesën e tyre kanë parashtruar se:
7.1. Në të drejtën ndërkombëtare publike, termi “kombësi” nuk trajtohet si nocion juridik, por si përkatësi etnike. Për këtë arsye, kombësia nuk passjell të drejta dhe detyrime për individin dhe nuk është e rëndësishme për të individualizuar të drejtat e tij në aspektin familjar.
7.2. Në bazë të parashikimeve të nenit 20 të Kushtetutës, shteti nuk duhet të ndërhyjë duke vendosur detyrim ligjor për personat që u përkasin pakicave kombëtare që të shprehin përkatësinë e tyre etnike. Personat që ju përkasin pakicave kombëtare kanë të drejtë të shprehin lirisht, pa u ndaluar, as detyruar, përkatësinë e tyre etnike, kulturore, fetare e gjuhësore. Me ligjin për gjendjen civile, elementi “kombësi” është përcaktuar si element përbërës i gjendjes civile të një shtetasi shqiptar, duke detyruar çdo shtetas shqiptar të deklarojë kombësinë e tij, që do të evidentohet në regjistrat e gjendjes civile.
7.3. Zgjedhja e ligjvënësit për të njohur kombësinë si element përbërës të gjendjes civile, në rrethanat kur më parë nuk kishte një rregullim ligjor lidhur me mënyrën e përcaktimit dhe pasqyrimit të saj në aktet e gjendjes civile, jo vetëm që është i papajtueshëm me nenin 20 të Kushtetutës, por krijon një pamundësi objektive për zbatimin e këtij kriteri ligjor, duke pasur parasysh se ligji civil nuk ka fuqi prapavepruese për të rregulluar një marrëdhënie juridike që nuk ka qenë më parë e rregulluar me ligj.
7.4. E drejta e përkatësisë etnike, ashtu si dhe e drejta e përkatësisë fetare, trajtohen tashmë në kuadrin e të Drejtave të Njeriut si të drejta që lidhen me jetën private të individit. Nëse, në kuptim të nenit 20/2 dhe 24 të Kushtetutës, ashtu sikurse është pranuar tashmë nga jurisprudenca, qytetarët nuk mund të detyrohen të deklarojnë të dhëna mbi përkatësinë e tyre fetare, në të njëjtën mënyrë ata nuk mund të detyrohen të deklarojnë të dhëna mbi përkatësinë e tyre etnike, kulturore dhe gjuhësore dhe çdo ligj që merr përsipër të vendosë një detyrim të tillë, është antikushtetues.
7.5. Ligji për gjendjen civile krijon pabarazi në trajtimin e shtetasve që kanë lindur përpara hyrjes në fuqi të tij, të cilëve, përpara ligjit nr. 8950, datë 10.10.2002 “Për gjendjen civile”, i shfuqizuar, nuk iu përcaktohej asnjë kombësi e përkohshme por vetëm kombësi e përhershme, dhe atyre që kanë lindur pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, edhe pse mund të jenë në kushte absolutisht të barabarta, si p.sh. fëmijë të prindërve të njëjtë. Shtetasit që kanë lindur përpara hyrjes në fuqi të ligjit për gjendjen civile dhe atij të shfuqizuar të vitit 2002, nuk kanë asnjë mundësi të provojnë përpara gjykatës pretendimet e tyre, pasi ata nuk kanë një kombësi të përkohshme, ndërsa ata të lindur pas hyrjes në fuqi të ligjit të vitit 2002, të cilët kanë një kombësi të shënuar të përkohshme, nuk kanë asnjë detyrim për të provuar kombësinë e tyre pasi mund të zgjedhin secilën nga kombësitë e prindërve. Pabarazia në trajtim, duke mos i dhënë të drejtën e zgjedhjes së kombësisë disa individëve vetëm për shkak se ata kanë lindur përpara hyrjes në fuqi të ligjit për gjendjen civile dhe mungesa në ligj e trajtimit të situatës së këtyre subjekteve, është antikushtetuese, në bazë të nenit 18 dhe 20 të Kushtetutës.
7.6. Në nenin 42/2, germa “e”, të ligjit për gjendjen civile, ku flitet për regjistrimin e lindjes së një fëmije, termi “kombësinë në përputhje me kombësinë e prindërve” nuk i përgjigjet edhe rastit kur fëmija ka lindur nga prindër me kombësi të ndryshme, gjë që në mungesë të marrëveshjes midis tyre, cenon interesat e palës tjetër.
7.7. Sipas nenit 58/1 të ligjit për gjendjen civile, shprehja “kur sipas ligjit vërtetohet pasaktësia e kombësisë së prindërve” lejon çdo fëmijë madhor, edhe pas vdekjes së prindërve, të kërkojë vërtetimin e pasaktësisë së kombësisë së prindërve, në kundërshtim me sa kanë shprehur vullnetin ata kur kanë qenë gjallë. E drejta e shprehjes së lirë të çdo individi në moshë madhore për të vërtetuar pasaktësinë e kombësisë së prindërve, pa e provuar një vullnet të tillë të kundërt, cenon lirinë e shprehjes lidhur me përkatësinë etnike.
© Panorama.al











