Padia e PS për Ristanin, nis verifikimi

May 25, 2011 | 10:50

TIRANE – Prokuroria e Tiranës regjistroi dje procedim penal në lidhje me padinë e bërë nga Partia Socialiste ndaj kryetarit të KQZ-së, Arben Ristani dhe katër anëtarëve të tjerë të këtij institucioni. Sipas burimeve nga organi i akuzës, padia e Partisë Socialiste, e dorëzuar më 19 maj në Prokurori, është vendosur të regjistrohet si procedim penal me qëllim verifikimin e elementeve të veprës penale. Kjo është një procedurë formale me çështjet kryesore që denoncohen në prokurori. Organi i akuzës, me anë të regjistrimit të procedimit penal, fillon procedurat e verifikimit të fakteve që janë parashtruar në kallëzimin që është shqyrtuar nga njëri prej zv.prokurorëve të rrethit të Tiranës. Nëse gjen fakte dhe prova për shkelje të ligjit, më pas prokuroria vepron me hetimet ndaj personave të veçantë. Sipas burimeve të Prokurorisë së Tiranës, padia e Partisë Socialiste me akuzat “shpërdorim të detyrës dhe falsifikim të dokumenteve dhe rezultateve të zgjedhjeve në bashkëpunim”. Bashkë me kreun e KQZ-së, Ristani, PS dërgoi në Prokurori padi edhe për tre anëtarë të tjerë të KQZ-së:, Klement Zguri, Vera Shtjefni dhe Hysen Osmanaj. Pas një shqyrtimi disaditor të padisë penale të PS, Prokuroria ka vendosur të regjistrojë procedimin penal në pritje të përmbylljes së procedurës për të cilën flitet në padinë e PS-së. Objekti i kallëzimit është vendimmarrja e katër anëtarëve të KQZ-së, përfshi edhe kryetarin, të cilët, me votat e tyre numëruan votat e hedhura në kutitë e gabuara në qendrat e votimit në 11 njësi bashkiake në Tiranë dhe më pas rezultatin e dalë e përfshinë në bilancin e përgjithshëm të garës elektorale mes Lulzim Bashës dhe Edi Ramës. “Kryetari i KQZ-së, Arben Ristani, në shkelje të detyrimit për të shpallur rezultatin, si dhe për të shqyrtuar kërkesën ankimore në mbrëmjen e datës 17 maj, me qëllim falsifikimin e rezultatit të zgjedhjeve në favor të kandidatit Basha, inicioi hartimin e një akti të KQZ-së që do të krijonte mekanizimin ‘formal ligjor’ për të realizuar qëllimin e tij kriminal”, thuhet në padinë e bërë nga PS në Prokurori. Sipas kësaj padie, ko procedurë është në kundërshtim të hapur me parashikimet e nenit 122 dhe veçanërisht nenit 123, i cili qartësisht përcakton se nuk mund të ndryshohen tabelat e miratuara nga KZAZ dhe as ato të qendrave të votimit të numëruara, përveç rastit kur ka një gabim material ose në alternativë, kur KQZ është në shqyrtimin e një kërkese ankimore ndaj atyre vendimeve të KZAZ apo vendimit të saj.                                   tr.so

Procedura
Regjistrimi i procedimit penal nga Prokuroria është hapi i parë dhe paraprak i një hetimi. Kallëzimi penal i PS ndaj kryetarit dhe anëtarëve të KQZ-së është regjistruar në Prokurorinë e Tiranës, ndërkohë që në regjistrin e veprave penale nuk është hedhur ende asnjë emër. Për sa kohë që emri i anëtarëve të KQZ-së nuk është shënuar aty, ndaj tyre nuk ka hetime të filluara. Procedimi penal i regjistruar në Prokurori do të mundësojë kryerjen e verifikimeve hetimore për çështjen në kuadër të këtij procedimi, si dhe grumbullimin e provave dhe dokumentacionit që bën fjalë për pretendimet e ngritura.

Prokuroria e Gjirokastrës, hetim Flamur Bimes
Prokuroria e Gjirokastrës ka nisur zyrtarisht sot hetimet për kryetarin e Bashkisë, Flamur Bime. Organi i akuzës, pasi është njohur me të gjitha pretendimet e paraqitura nga ana e deputetit të LSI-së, Vangjel Tavo, ka vendosur të iniciojë hetimet dhe më pas çështja, nëse vlerësohet me prova, të kalojë për shqyrtim në shkallën e parë të Gjyqësorit. Gati tri javë më parë, deputeti dhe nënkryetari i Kuvendit, Vangjel Tavo, depozitoi në organin e akuzës së Gjirokastrës dy padi, njëra prej të cilave penale për shpifje për shkak të detyrës dhe një civile për dëmshpërblim moral kundër kryetarit të Bashkisë së Gjirokastrës. Arsyeja ka qenë moria e shpifjeve nga ana e Flamur Bimes në adresë të ish-deputetit socialist. Në aktpadinë e dorëzuar në Prokurorinë e Gjirokastrës, Tavo kërkon nga Bime 150 mijë euro për shpifjet e bëra në adresë të tij. Sipas tij, nëse Bime cilësohet fajtor nga organet e drejtësisë, do t’i duhet të dëmshpërblejë ish-deputetin socialist me shumën e lartpërmendur. Kjo shumë, sipas Tavos, do t’u jepet fondacioneve bamirëse dhe njerëzve në nevojë.

© Panorama.al

Te lidhura