TIRANE – Prokuroria duket se do të presë vendimmarrjen e Kolegjit Zgjedhor, për “t’i dhënë udhë” padisë së bërë nga Partia Socialiste ndaj kryetarit të KQZ, Arben Ristani. Burime nga organi i akuzës në kryeqytet thanë dje, se ndonëse është regjistruar si procedim penal, padia e PS ka një bazë të paqartë ligjore. Sipas burimeve nga organi i akuzës, nuk është gjetur ende një akt ligjor apo nënligjor që të përcaktojë si vepër penale veprimet e kryera nga KQZ. Nisur nga ky fakt, edhe për shkak të karakterit administrativ të thelbit të çështjes, Prokuroria duket se do të presë vendimmarrjen e Kolegjit Zgjedhor. Sipas burimeve nga grupi i hetimit, vendimet e Kolegjit Zgjedhor janë të formës së prerë dhe mund të merren si bazë ligjore për hapjen e një hetimi, në rast se dalin kundër qëndrimit që ka mbajtur Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Prokuroria e Tiranës ka regjistruar procedim penal për padinë e PS ndaj anëtarëve të KQZ, Arben Ristani, Klement Zguri, Vera Shtjefni dhe Hysen Osmanaj. Padia iu referua hapjes së kutive të ardhura nga komisionet zonave të administrimit të zgjedhjeve, rinumërimit të votave të hedhura gabim e më pas ndryshimit të tabelave të rezultateve. PS pretendon se katër anëtarët e KQZ që dhanë votat e tyre në këtë vendimmarrje, kanë kryer veprat penale shpërdorim detyre dhe falsifikim të dokumenteve e rezultateve zgjedhore, në bashkëpunim.
Gjiknuri: Kolegji të ngrihet përtej influencave partiake
Deputeti socialist, Damian Gjiknuri, menjëherë pas vendimit të Kolegjit për KZAZ-në 49, në një prononcim për mediat, tha se gjykimi në themel nuk ka përfunduar, ndërkohë që i ka bërë thirrje Kolegjit që të ngrihet mbi influencat partiake në mënyrë që të japë një vendim të drejtë. “Gjykimi në themel nuk ka përfunduar. Kolegji mund të jepte një vendim të drejtë edhe sot se argumentet tona ishin të qarta. Pra, dorëzimi i tabelave ishte bërë sipas ligjit, por Kolegji tha se KQZ e ka marrë një vendim. Ne kemi paraqitur kërkesën për një tabelë përfundimtare të rezultatit dhe aktin tjetër, që ne e quajmë si normativ, kemi kërkuar të shpallet i pavlefshëm. Çështja nuk ka mbaruar, megjithëse po ju përsëris se Kolegji i kishte të gjitha provat që të jepte edhe sot një vendim që KQZ ka shkelur ligjin. Kolegji duhet të ngrihet përtej influencave partiake. Kolegji duhet të kuptojë dhe peshën e vendimmarrjes së tyre, pasi me këtë kanë në dorë fatet e të ardhmes së vendit dhe stabilitetin e tij”, deklaroi Gjiknuri.
“Policia, rol korrekt në zgjedhje”
Misioni i vëzhguesve të OSBE/ODIHR vlerëson rolin e Policisë në zgjedhjet e 8 majit. Eksperti i Sigurisë së Misionit të Vëzhguesve të OSBE/ODIHR-it për Zgjedhjet Vendore në Shqipëri, Laszlo Belagyi, i dërgoi dje një letër Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Hysni Burgaj. “Profesionalizmi dhe përkushtimi që Policia e Shtetit tregoi gjatë përmbushjes së detyrës së tyre në këtë periudhë, ishte i lavdërueshëm”, thuhet në letër. Sipas saj, nuk ka pasur asnjë raportim për shkelje të ligjit apo aktivitete të tjera dëmtuese për asnjë oficer policie nga vëzhguesit afatgjatë apo afatshkurtër. “Të gjithë vëzhguesit afatgjatë kanë përmendur dhe lëvduar marrëdhëniet shumë të mira me Drejtoritë Rajonale të Policisë. Me sa duket, trajnimet e kryera për zgjedhjet nga ana e policisë në lidhje me detyrat e tyre, kanë qenë domethënëse”, thuhet në letrën e ekspertit të OSBE/ODIHR, Belagyi.
© Panorama.al











