Padia e Priftit kundër ILDKP kalon në Gjykatën e Lartë

Sep 9, 2011 | 11:34

TIRANE – Mbërrin në Gjykatën e Lartë padia e ish-ministrit Dritan Prifti kundër Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive. Bëhet fjalë për kundërshtinë e ish-ministrit për një gjobe prej 300 mijë lekësh të caktuar ndaj tij nga ILDKP në shtator të vitit 2010. Masa administrative ndaj Priftit u vendos pasi nga ana e inspektorëve të ILDKP-së u vu se eksitonte konflikt interesi në emërimin e një prej anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës të OST-së. Burime zyrtare të Gjykatës së Lartë bënë të ditur se pak ditë më parë, në kryesekretarinë e kësaj gjykate është regjistruar kërkesë-padia me paditës shtetasin Dritan Prifti. Palë e paditur në këtë kërkesë është institucioni i ILDKP-së. “Anulim i aktit administrativ, vendimit nr. 83, datë 28.10.2010 të të paditurit Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive”, thuhet në objektin e kërkesës. Burimet sqaruan se Kolegji që do të shqyrtojë këtë kërkesë do të ketë për relatore gjyqtaren Mirela Fana. Më parë kjo padi ishte regjistruar në Gjykatën e Tiranës. Por, për shkak të kërkesave të palëve në lidhje me juridiksionin, dosja u pezullua në Gjykatën e Tiranës, deri në përfundim të shqyrtimit në Gjykatën e Lartë. “Gjykata relaton se nga kryesekretaria e kësaj gjykate është vënë në dijeni se është regjistruar rekursi i paraqitur nga pala e paditur lidhur me vendimin e marrë nga kjo gjykatë në seancën e datës 11.04.2011 lidhur me mospranimin e kërkesës së palës së paditur për nxjerrjen e çështjes jashtë juridiksionit gjyqësor, dhe në këto kushte, Gjykata çmon të vendosë pezullimin e gjykimit të çështjes deri në shqyrtimin e rekursit nga Gjykata e Lartë”, thuhej në vendimin e datës 21 prill të gjyqtares Anila Kristani.   ar.ba

Akuza

Ish-ministri i Ekonomisë, Dritan Prifti, është akuzuar se ka fshehur pasurinë e tij në lidhje me shitjen e aksioneve të veta në një kompani prodhuese. Sipas Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurisë, parregullsia ka ndodhur në kohën kur Prifti u bë ministër i Ekonomisë.

© Panorama.al

Te lidhura