Padia e Pangos, Apeli heq gjobën 400 mijë euro ndaj TCh

Sep 22, 2011 | 11:31

TIRANE – Gjykata e Apelit Tiranë shfuqizoi dje gjobën 400 mijë euro dhënë televizionit “Top-Channel” nga Shkalla e Parë në qershor të viti të kaluar. Bëhet fjalë për gjobën e paprecendentë të vendimit gjyqësor që deklaroi “Top-Channel”-in përgjegjës për shkaktimin e dëmit ndaj ish-ministrit të Kulturës, Ylli Pango, pas publikimit të një videoje të realizuar në shtëpinë e tij. Në këtë video, të transmetuar në emisionin investigativ “Fiks-Fare” shfaqej ish-deputeti dhe ish-ministri Pango, i cili kërkonte favore seksuale nga një femër, në këmbim të një vendi pune.
Një trupë gjyqtarësh të Apelit, të kryesuar nga gjyqtarja Flutura Skendëri dhe anëtarë, gjyqtarët Ilir Toska dhe Astrit Kalaja, vendosën dje prishjen e vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë.
Sipas vendimit, dosja do të kthehet për rigjykim në Gjykatën e Tiranës dhe do të rigjykohet nga një trupë e re gjyqtarësh. Më herët, avokati mbrojtës i Top-Channel sh.a argumentoi para gjykatës se përse vendimi i Shkallës së Parë duhet të prishej. Avokati ka radhitur shkeljet procedurale të kryera, të pretenduara prej tij, si të kryera në procesin e parë të kësaj dosjeje. Duke iu referuar rasteve nga Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut për çështje të ngjashme, mbrojtësi është shprehur se në to theksohet toleranca e funksionarëve të medias dhe të shprehjes së lirë, në rastet kur çështja është me interes publik. Po sipas mbrojtësit, vlera e gjobës 400 mijë euro, e dhënë nga Shkalla e Parë, ishte absurde për realitetin shqiptar, pasi ajo është e barasvlershme me 30 vite heqje lirie.
SHKALLA E PARË
Gjykata e Shkallës së Parë, me gjyqtar Agim Bendon, kishin vendosur: “Deklarimin e të paditurit Top-Channel sh.a. si përgjegjës për shkaktimin e dëmit ndaj paditësit Ylli Pango, si rezultat i publikimit nga ana e tij të të dhënave të pasakta dhe të vërtetuara si të përfituara në mënyrë të paligjshme nga ana e palës së paditur. Detyrimin e të paditurit Top-Channel sh.a për t’i paguar paditësit Ylli Pango shpërblimin e dëmit të shkaktuar për sa më lart, në vlerën prej 400 mijë eurosh”, thuhej në dispozitivin e vendimit të shpallur në Shkallën e Parë, në qershor 2010. Sipas vendimit, me transmetimin e videos nga emisioni “Fiks Fare” ishin shkelur të drejtat dhe liritë themelore të njeriut.
Po në këtë vendim thuhej se “nga gjykimi u provua plotësisht se regjistrimet audiovizive të transmetuara ne “Fiks Fare” janë kryer në mënyrë të fshehtë dhe pa pëlqimin e ministrit Pango, ndonëse ato paraqesin një informacion shumë personal dhe privat”.                      ar.ba

© Panorama.al

Te lidhura