Një vajzë 27-vjeçare denoncon fqinjën e saj për mashtrim dhe shfrytëzim prostitucioni në Itali.Kallëzimi është regjistruar në zyrën e Antitrafiqeve në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, rreth katër ditë më parë nga e dëmtuara E. Berisha, e cila prej dy muajsh kishte arritur të kthehej në Shqipëri, duke u arratisur nga tutorët që pretendon se e kanë shfrytëzuar në Itali. Burime nga policia thanë se në denoncimin e saj, Berisha ka sqaruar skemën e mashtrimit dhe kurthin që i kishte ngritur fqinja e saj 56-vjeçare, banuese në Kombinat të Tiranës, e cila i kishte premtuar punësim në Itali. Por, që prej ditës së parë që ajo ka shkelur në Itali, gruaja e ka prezantuar me dy persona dhe vetë është “zhdukur”, duke mos e kontaktuar më. Prej atij momenti, Berisha tregon se është dhunuar fizikisht dhe psikologjikisht, duke u detyruar të dalë në rrugë për të punuar si prostitutë. Vajza 27-vjeçare tregon se është shfrytëzuar në Itali për rreth një vit, që prej verës së vitit 2010, e deri dy muaj më parë, kur mundi të largohej dhe të kthehej në Shqipëri me ndihmën e disa të njohurve të saj nga Tirana, të cilët i kishte takuar rastësisht. “Në momentin e parë që mbërrita në Tiranë, shkova menjëherë te shtëpia e gruas që më mashtroi dhe më futi në atë rrugë, nga ku nuk dola dot për një vit. Por nuk e gjeta, as atë dhe as ndonjë të afërm të saj. Nuk e di sa ku mund të ketë shkuar dhe nuk kam më asnjë adresë të saj”, mësohet të ketë treguar vajza para oficerëve të Antitrafiqeve. Menjëherë pas kallëzimit që 27-vjeçarja Berisha ka bërë në polici, agjentët dhe oficerët e Antitrafiqeve, kanë nisur verifikimet në lidhje me gruan që ajo denoncon, emri i të cilës nuk mund të bëhet i ditur për shkak të hetimeve. Burimet sqaruan se, nga verifikimet e kryera rezulton që 56-vjeçarja të jetë larguar prej disa javësh nga banesa ku jetonte me qira në Kombinat. Nga të dhënat paraprake ajo mund të jetë “arratisur” nga kryeqyteti, në kohën kur vajza, të cilën ajo e ka mashtruar është “arratisur” nga Italia, ku ushtronte prostitucion kundër vullnetit të saj. Mësohet se materialet, bashkangjitur kallëzimin e E. Berishës janë referuar në Prokurorinë e Tiranës, ndërsa është bërë shpallja në kërkim policor e gruas së denoncuar, e cila akuzohet për “shfrytëzim prostitucioni”.
ETLEVA DELIA











