TIRANE – Pesë punonjës policie të Komisariatit Nr. 1 të Tiranës janë goditur mëngjesin e djeshëm nga deputetë e mbështetës të opozitës, gjatë tentativës për të hyrë në oborrin e KQZ-së. Policët janë dërguar për ndihmë mjekësore në Spitalin Ushtarak e më pas janë zëvendësuar në kordonin e ngritur në hyrje të Komisionit të Zgjedhjeve. Policia deklaroi dje se është dëmtuar edhe zv.drejtori për Rendin dhe Sigurinë Publike në Policinë e Tiranës, Gjergj Jorgo. Burime zyrtare të Policisë konfirmuan se kanë referuar materialet në Prokurori për “kundërshtim dhe goditje të forcave të rendit” për 24 persona, mes të cilëve edhe deputetë socialistë dhe kryesisht policë bashkiakë. Sipas policisë, deputetët e Partisë Socialiste kanë kundërshtuar me dhunë punonjësit e policisë duke tentuar të hyjnë në KQZ dhe se referimi në Prokurori është bërë ndaj 16 prej tyre. Burime zyrtare të Policisë së Tiranës thanë se janë referuar materialet në Prokurori për Paulin Sterkajn, Tom Doshin, Eduard Shalsin, Saimir Tahirin, Armando Prengën, Fatmir Xhafën, Besnik Baren, Gazmir Bizhgën, Dashamir Pezën, Taulant Ballën, Fidel Yllin, Armando Subashin, Arben Ahmetajn, Artan Gaçen, Fatmir Toçin dhe Blendi Klosin. Përveç deputetëve, policia tha dje se janë identifikuar dhe janë referuar materialet në Prokurori dhe ka nisur procedim penal edhe ndaj 8 personave të tjerë, punonjës të Bashkisë Tiranë, policë bashkiake dhe persona me precedentë penalë. Njëri prej personave që është çuar për ndjekje penale në Prokurori është edhe drejtori i Policisë Ndërtimore të Bashkisë, Ardit Kaja. Ai ka pasur disa incidente dhe madje ndaj tij është bërë edhe një atentat me armë para fushatës zgjedhore. Ndërsa personat e tjerë që janë dërguar në Prokurori, sipas policisë, janë: Shpëtim Marku dhe Ibrahim Porja, punonjës të Bashkisë së Tiranës dhe me precedentë penalë. Denoncim në Prokurori është bërë edhe për katër persona të tjerë me precedentë: Urim Markun, Dritan Agën, Genc Luljen dhe Marjo Luljen.
23 persona
pjesëmarrës në grumbullimet e PS janë dërguar nga Policia për ndjekje penale në Prokurori, me anë të padive të adresuara për akuzat: fyerje, goditje dhe kundërshtim për shkak të detyrës ndaj uniformave të rendit











