Pacolli: Respektoj Gjykatën, pres vendimin përfundimtar

Mar 30, 2011 | 10:53

Presidenti i Kosovës, Behgjet Pacolli, zgjedhja e të cilit u konsiderua jolegjitime nga Gjykata Kushtetuese e vendit, është shprehur më parë i gatshëm ta respektojë çdo vendim të Gjykatës.Në një intervistë për “RTK-në”, ai tha se do ta zbatojë vendimin e Kushtetueses, e cila një ditë më parë e rrëzoi zgjedhjen e tij President, duke e lënë kështu Kosovën pa President. Goditja për Pacollin erdhi vetëm 35 ditë pas zgjedhjes së tij. Nga Zyra e Presidentit nuk është dhënë asnjë deklaratë në lidhje me vendimin. Ndërkohë, Gjykata Kushtetuese nuk ka bërë asnjë sugjerim për Kuvendin e Kosovës, sesi duhet të veprohet më tutje. Sot, pritet që të ketë një vendim më të qartë se çfarë do të ndodhë me Pacollin: do të shkarkohet, do të dorëhiqet, do të rivotohet… Gjithashtu nuk është dhënë ndonjë afat kohor se brenda sa kohësh duhet të zgjidhet Presidenti. Gjykata nuk ka përmendur termin “kuorum” për zgjedhjen e Presidentit, duke e konsideruar të domosdoshme praninë e dy të tretave të deputetëve gjatë votimit të Kreut të Shtetit. Gjykata Kushtetuese ka gjetur edhe një shkelje tjetër në procesin e votimit të Presidentit: raundi i tretë nuk duhej të mbahej, pasi nuk ka pasur kundërkandidat dhe as kuorum të mjaftueshëm. Në nenin 86 të Kushtetutës së Kosovës, specifikohet se zgjedhja e të parit të shtetit duhet të bëhet me 2/3 e votave të të gjithë deputetëve, gjë që nuk ka ndodhur me rastin e Pacollit. Në zgjedhjen e tij, kanë marrë pjesë vetëm 67 deputetë në të tri raundet e votimit.
Në AKR-në, ish-partia e Pacollit (dha dorëheqjen pasi u zgjodh President), kanë thënë se duhet të presin vendimin e plotë të Kushtetueses për të dhënë përgjigje në këtë çështje. Por ushtruesi i detyrës së kryetarit të AKR-së, Ibrahim Makolli, tha se partia e tij sërish do të propozojë Pacollin për President. Edhe Partia Demokratike e Kosovës tha se do të presë zhvillimet e mëtejshme. Ndërkohë, partitë opozitare, të cilat e kanë dërguar në Kushtetuese këtë çështje, e kanë mirëpritur vendimin e këtij institucioni. Deputetja e LDK-së, Vjosa Osmani, ka shtuar se LDK-ja ende nuk ka vendosur nëse do të marrë pjesë në seancën e zgjedhjes së Presidentit, nëse Behgjet Pacolli do të rikandidohet për këtë post. Zgjedhja e Presidentit do të mbetet problem i madh, nëse Behgjet Pacolli do të rikandidohet për këtë post dhe mbetet kandidati i vetëm.

Anulohen takimet

Presidenti Behgjet Pacolli, kryeministri Hashim Thaçi dhe ambasadori amerikan, Kristofer Dell, i kanë anuluar dje të gjitha takimet e parashikuara, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese mbi jolegjitimitetin e zgjedhjes së Pacollit. Sipas gazetës “Telegraf”, Pacolli nuk i ka realizuar dy takimet me përfaqësuesit e biznesit, Thaçi nuk është paraqitur të martën në takimin me kryetarët e komunave të Kosovës, dhe ambasadori Dell nuk ka marrë pjesë në përurimin e dy projekteve të USAID-it, ku të hënën kishte njoftuar pjesëmarrjen.

BE respekton vendimin

Bashkimi Evropian e respekton vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, e cila ka shpallur jo-kushtetuese zgjedhjen e Presidentit Pacolli. “Ne presim që të gjitha palët të punojnë për një zgjidhje konstruktive dhe sipas procedurave të brendshme”, thuhet në komunikatën e përbashkët të kryediplomates, Katerin Ashton, dhe të komisionerit për zgjerim, Stefan Fyle.

Bisedimet, ngrihet grup pune për regjistrin civil

Raundi i dytë i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel solli miratimin e një marrëveshjeje për ndërtimin e një grupi pune për të dhënat e regjistrave civilë. Ekipi nga Beogradi i kryesuar nga Borisllav Stefanoviç, dhe ekipi nga Prishtina i kryesuar nga Edita Tahiri, do të formojnë një grup pune të kryesohet nga EULEX-i. “Është arritur një përparim i dukshëm për kadastrën dhe për librat amë si dhe për furnizimin me energji elektrike”, theksoi Stefanoviç. Ndërsa Tahiri shtoi se Beogradi do t’i dorëzojë Prishtinës kopje të dokumenteve. Ndërmjetësi i këtyre bisedimeve, Robert Kuper, tha se bëhet fjalë për çështje mjaft të vështira që kërkojnë kohë dhe punë.

© Panorama.al

Te lidhura