PRISHTINE- Behxhet Pacolli nuk e ka bazuar fushëveprimin e tij në Rregulloren për fushat e përgjegjësisë administrative të Zyrës së kryeministrit, të cilën e ka nxjerrë Qeveria.
Ai i ka përshkruar të tjera detyra vetes nga ato që parasheh rregullorja dhe do të angazhojë staf përtej asaj çfarë përcakton kjo rregullore.
Se çfarë do të bëjë në cilësinë e numrit dy të Qeverisë, Pacolli në detaje i ka listuar kompetencat në një dokument që e ka emërtuar “Memorandum përshkrues për angazhimin e zëvendëskryeministrit të parë të Kosovës”. Lajmi botohet sot ne “Koha Ditore” dhe gazeta ka siguruar një kopje të tij, ku tregohet rol i madh në adresimin e çështjeve në fushën e diplomacisë dhe të ekonomisë.
Të gjitha kompetencat arsyetohen me gjykimin e vënë në këtë dokument se zëvendëskryeministri i parë i Qeverisë mund të luajë një rol të rëndësishëm në nxitjen e investimeve të huaja me suksese të dukshme brenda këtij mandati të Qeverisë, si dhe në shtimin cilësor dhe sasior të numrit të njohjeve.
Aty është theksuar se aktiviteti do të kryhet “pa shqetësimin për aspekte protokollare të angazhimeve të mëparshme në raport me atë eventual në Qeveri”. Ndonëse e përshkruar kështu, memorandumi ia njeh të drejtën zëvendëskryeministrit të parë që të organizojë pritje të veçantë për burrështetasit që vizitojnë Kosovën, krahas pritjeve që mund të bëjë kreu i shtetit apo kreu i Qeverisë.
“Zëvendëskryeministri i parë i Kosovës në kuadër të këtyre dy mandateve, duhet të përfshihet në protokollin e takimeve me zyrtarë të lartë, presidentë, kryeministra, ministra të jashtëm, të industrisë, të ekonomisë, etj., që vizitojnë Kosovën, krahas takimeve me presidentin dhe kryeministrin e Kosovës”, thuhet në këtë dokument.











