Pacolli në Afrikë, lobim për njohjen e Kosovës

May 29, 2011 | 10:10

PRISHTINE- Behxhet Pacolli ka vazhduar lobimin në Afrikë. Sipas një njoftimi nga zyra e tij, Pacolli ka takuar zyrtarë të lartë të Ugandës, në përpjekje për t’i bindur ata që ta njohin pavarësinë e Kosovës.

Gjatë qëndrimit në këtë shtet të Afrikës Lindore, Pacolli ka takuar Presidentin Yoweri Museveni dhe Ministrin e Jashtëm, Sam Kahmba Kutesa.

“Në kuadër të angazhimeve për shtimin e numrit të njohjeve për shtetin e pavarur të Kosovës, Zv.kryeministri i parë, z. Behgjet Pacolli ka qëndruar sot në Rezidencën Presidenciale të Ugandës, ku ka shprehur falënderimet e tij për Presidentin, z. Yoweri Museveni, duke vlerësuar lart gatishmërinë e institucioneve të këtij vendi për të takuar autoritetet përfaqësuese të Shtetit të Kosovës”, thuhet në njoftim.
Për të dokumentuar takimet me dy zyrtarët e lartë të Ugandës, zyra e Pacollit ka dërguar edhe fotografi nga takimet.

Uganda është vetëm njëri nga shtetet e shumta të kontinentit afrikan që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

Pacolli ka udhëtuar drejt këtij kontinenti, javën e kaluar. Në paraqitjet e tij për media nga Afrika, ka bërë të ditur se planifikon të vizitojë edhe shtete të tjera.
Zyra e Pacollit ka bërë të ditur se gjatë takimit me zyrtarë ugandezë, Pacolli “ka diskutuar për zhvillimet demokratike në Kosovë, duke veçuar sfidat e rëndësishme që ka kaluar Kosova gjatë procesit të shpalljes së Pavarësisë së vendit dhe përkushtimin tonë për ndërtimin e institucioneve demokratike”.

“Z. Pacolli ka vlerësuar se vendosja e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Kosovës dhe vendeve të tjera të botës, është i rëndësisë jetike për të ardhmen e vendit tonë. Zhvillimi ekonomik, sundimi i ligjit dhe integrimi i Republikës së Kosovës në strukturat euroatlantike mbeten edhe më tutje sfidat kryesore të institucioneve demokratike të Kosovë”, thuhet në njoftim.

Zëvendëskryeministri i parë i ngarkuar me çështje të lobimit dhe çështjen e investimeve të huaja në vend ka prezantuar, sipas komunikatës, edhe argumentet kosovare për njohjen e pavarësisë.

“Z. Pacolli ka ofruar një numër të madh të argumenteve, të cilat dëshmojnë realitetin demokratik në Kosovë si dhe vullnetin e gatishmërinë e institucioneve të Kosovës për të vendosur sa më shpejt marrëdhënie diplomatike me shtetin e Ugandës, në pritje të një vendimi sa më të shpejtë të autoriteteve të Ugandës për njohje të pavarësisë së Kosovës”.

Pas këtyre takimeve, Pacolli ka udhëtuar drejt Burundit, ku ka takuar Presidentin e këtij vendi, Terence Sinunguruza.”

“Z. Pacolli ka vlerësuar gatishmërinë e Zv.presidentit për këtë pritje, duke e parë këtë si mundësi të mirë për të intensifikuar kontaktet ndërmjet përfaqësuesve institucionalë të të dy shteteve, në drejtim të vendosjes së marrëdhënie diplomatike, pasi Republika e Burundit të ketë shqyrtuar me vëmendje mundësinë e njohjes së Kosovës, si shtet të pavarur dhe sovran”, thuhet në njoftim. (Express)

© Panorama.al

Te lidhura