PRISHTINE- Presidenti i Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli, pas një takimi që ka zhvilluar me kryetaren e Komisionit Qendror Zgjedhor , Valdete Daka, ka paralajmëruar ndryshmin e Ligjit për zgjedhjet.
Presidenti Pacolli tha se ishte një takim ku me kryetaren e KQZ-së, Daka, ka biseduar për reformimin e ligjit zgjedhor.
“Ju e dini se kemi pas një eksperiencë jo të mirë në zgjedhjet e fundit, prandaj e pash si të arsyeshme që të fillohet ndërrimi i Kushtetutës, e sidomos ajo pikë në Kushtetutë, e cila e përcakton Kosovën si një zonë zgjedhore”, tha Pacolli, cituar nga mediat kosovare.
Ai tha se qëllimi i Zyrës së presidentit është që sa më shpejtë të organizojë një tryezë me përfaqësuesit e partive politike, atyre parlamentare dhe joparlamentare dhe me shoqërinë civile, në mënyrë që të fillohet reforma e Ligjit zgjedhor.
“Në bazë të këtyre ideve, ne do të formojmë një komision, i cili do të punojë drejtë për së drejti në formulimin e një propozimi, i cili në të ardhmen me miratimin e spektrit politik dhe shoqërisë civile do të jetë edhe Ligji zgjedhor i ardhshëm”, tha Pacolli.
Edhe kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka theksoi se me presidentin kanë biseduar për reformat zgjedhore dhe pret ndihmë nga zyra e presidentit.
“Kemi pasur një takim për reformën zgjedhore, sidomos për rolin e KQZ-së në reformën zgjedhore, e cila pritet të bëhet me ndihmën e presidentit dhe të zyrës së presidentit. Ne e falënderojmë zotin president lidhur me grupin punues, ne shpresojmë se shumë shpejt ky grup punues do të fillojë punën”, ka thënë Daka.
© Panorama.al











