Pacolli mori “bekimin” e Krasniqit

Feb 25, 2011 | 13:08

Dje u bë dorëzim-pranimi i detyrës nga ish-ushtruesi i detyrës së këtij posti, dr. Jakup Krasniqi, te Presidenti i zgjedhur i Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli. Krasniqi i uroi detyrën dhe sukses në kryerjen e saj Presidentit Pacolli. Ndërsa Pacolli tha se “Sot ishte një fillim shumë i mirë, i mbarë i ditës së punës. Me z.Krasniqi, kryetar i Kuvendit të Kosovës, do të vazhdojmë të bashkëpunojmë në të ardhmen”, u shpreh ai. Ndërsa Krasniqi tha se “Pushtetet janë të ndara dhe ne do t’i kryejmë detyrat tamam ashtu siç e jep Kushtetuta e Republikës së Kosovës dhe ligjet me të cilat punojnë dy institucionet”. I pyetur nga gazetarët pas takimit mbi “zhurmën e shkeljeve” gjatë pauzës para raundit të tretë të votimit të presidentit, Krasniqi ka heshtur. Ai tha se “me këtë çështje duhet të merren organet kompetente”. Krasniqi nuk ka komentuar as çështjen e SMS-ve të publikuara në media. “Unë nuk merrem me çështje private të individëve. Pyetni ata që i kanë shkruar SMS-të”, tha ai. As protagonisti Behgjet Pacolli nuk tha asnjë fjalë për këtë. Për Pacollin, urimi nga Krasniqi për detyrën e re “është marrja e urimeve më të mira”. Krasniqi tha se nuk e konteston Pacollin si President. “Jo unë nuk vazhdoj… Kuvendi i Kosovës me votat e veta i ka dhënë besimin Pacollit për të qenë President i Kosovës dhe unë sot jam këtu për t’i uruar detyrën”, tha ai. Ndërkohë, dje Presidenti Behgjet Pacolli u takua në kabinetin e tij edhe me kryeministrin Hashim Thaçi. Ky ishte takimi i tyre i parë zyrtar, pas krijimit të institucioneve të reja të vendit, ku ata premtuan bashkëpunim në të mirë të vendit.
Shkelja e Kushtetutës
Në një intervistë dhënë para takimit me Pacollin, kryeparlamentari Jakup Krasniqi ka pohuar se e ka shkelur Rregulloren e Punës së Kuvendit, kur iu lejoi deputetëve të dalin në pauzë pas raundit të dytë të votimit, por pohoi se kishte edhe shkelje të Kushtetutës. Krasniqi mbron qëndrimin se seanca nuk duhej të ndërpritej. Gjatë një interviste për “Express”, Krasniqi duket se nuk ishte në dijeni se LDK-ja dhe AAK-ja kishin paralajmëruar që Gjykata Kushtetuese të merret me rrjedhën e seancës së Kuvendit, por tha se “është e drejtë e tyre nëse ata mund ta argumentojnë”. Pasi ka insistuar disa herë duke devijuar përgjigjen se ajo “u tha dje”, ishte diçka që “ka ndodhur dje”, Krasniqi u rrëfye se “Rregullorja thotë që kur të hyhet në votim, votimi shkon deri në fund. Kjo është sa i përket votimit. Pastaj ekzistojnë edhe mënyra sesi kërkohet ndërprerja e debatit ose ndërprerja e seancës. Janë mënyra, rregulla që përcaktojnë edhe njërën, edhe tjetrën. Do të thotë se kërkesa nuk ka qenë si duhet, nuk është dashur të ndërpritet votimi dhe këto çështje janë të përcaktuara mirë me Rregulloren e punës së Kuvendit të Kosovës. E lejova, por unë konsideroj që e kam gjetur mënyrën më të mirë të mundshme t’ua tërheq vërejtjen që veprimi nuk është në përputhje me Rregulloren e Punës së Kuvendit të Kosovës. Dhe në fund të fundit nuk është as në përputhje me Kushtetutën, me kapitullin që përshkruan mirë detyrat dhe përgjegjësitë e Kuvendit të Republikës së Kosovës, si institucioni më i lartë legjislativ”, pohoi ai.

© Panorama.al

Te lidhura