Deputeti demokrat Klevis Balliu akuzoi qeverinë se ka miratuar pa konsultë dhe transparencë planin për ngritjen e 20 qendrave të reja të emigrantëve në qytetet e Korçës, Vlorës dhe Gjirokastrës, duke e cilësuar një papërgjegjshmëri.
Ligjvënësi i opozitës nënvizon se në një moment kur në vend nuk ka as siguri dhe as rënd, kur Policia nuk jep asnjë garanci për këtë siguri, qeveria ndërmerr një plan që rrezikon edhe komunitetet pranë këtyre qendrave që do ngrihen.
“Qeveria ka miratuar planin për ngritjen e 20 qendrave të reja të emigrantëve në Korçë, Gjirokastër dhe Vlorë, pa transparencë dhe pa garanci sigurie. Ky vendim rrit rrezikun për komunitetet lokale në një kohë kur rendi publik është në krizë dhe policia nuk garanton dot sigurinë elementare në qytetet tona”, shkruan deputeti i PD në rrjetin social Facebook.
Për këtë shkak ai shprehet se i ka kërkuar informacion Ministrisë së Brendshme për detajet, pasi qytetarët duhet ta dinë këtë plan.
“Të hapësh kampe me qindra persona nga zona të konfliktit, pa u konsultuar me qytetarët dhe pa një plan të qartë sigurie, pa transparencë, është papërgjegjshmëri e rëndë. Për këtë arsye, nën cilësinë e Zv. Kryetarit të Komisionit të Punëve të Brendshme dhe të Mbrojtjes, i kam dërguar Ministrisë së Brendshme një kërkesë zyrtare me shkrim për informacion të detajuar mbi masat e sigurisë, kapacitetet e policisë, arsyetimin e vendimit dhe koston e projektit”, thekson Balliu.
Në fund ai nënvizon se “siguria dhe rendi duhet të jenë prioriteti kryesor” në vend.
Postimi i plotë i Klevis Balliut:
“Qeveria ka miratuar planin për ngritjen e 20 qendrave të reja të emigrantëve në Korçë, Gjirokastër dhe Vlorë, pa transparencë dhe pa garanci sigurie. Ky vendim rrit rrezikun për komunitetet lokale në një kohë kur rendi publik është në krizë dhe policia nuk garanton dot sigurinë elementare në qytetet tona.
Të hapësh kampe me qindra persona nga zona të konfliktit, pa u konsultuar me qytetarët dhe pa një plan të qartë sigurie, pa transparencë, është papërgjegjshmëri e rëndë. Shqipëria nuk mund të shndërrohet në një korridor të pakontrolluar migrator ndërkohë që institucionet tona të rendit janë të mbingarkuara dhe të politizuara.
Për këtë arsye, nën cilësinë e Zv. Kryetarit të Komisionit të Punëve të Brendshme dhe të Mbrojtjes, i kam dërguar Ministrisë së Brendshme një kërkesë zyrtare me shkrim për informacion të detajuar mbi masat e sigurisë, kapacitetet e policisë, arsyetimin e vendimit dhe koston e projektit.
Qytetarët kanë të drejtë të dinë çfarë po ndodh me sigurinë e tyre dhe pse qeveria merr vendime të tilla në mënyrë të fshehtë. Qytetarët kanë nevojë që Shqipëria të mos shndërrohet në vendin që lejon depozitimin e të gjithë emigrantëve të paligjshëm në botë. Siguria kombëtare duhet të jetë prioritet absolut!”.
© Panorama.al













