Numërimi i votave, pa mësim nxënësit në 7 shkolla

May 12, 2011 | 10:16

Nxënësit e 7 shkollave të kryeqytetit janë përfshirë pa dashur në procesin zgjedhor.Në 2 të tjera mësimi po kryhet, edhe pse një pjesë e ambienteve po përdoren për tjetër mision. Prej 4 ditësh tempujt e dijes janë konvertuar në tempuj të votës, ku procesi i numërimit ecën me ritme jo fort të shpejta. Krerët e drejtorisë arsimore kanë shpresë se mësimi do të nisë normalisht ditën e hënë, por “siç duken bathët”, zor se do arrihet. Jashtë ambienteve të shkollave këto ditë mund të takosh që nga të fortët e lagjes e deri ministra e deputetë. Veç nxënës jo. Një pjesë e tyre janë të kënaqur me ditët e pushimit. Ndoshta nuk e dinë ende se do t’u duhet t’i zëvendësojnë një për një orët e mësimit. Prindërit presin lajmërimet e radhës për t’i rikthyer në klasa. Gjithsesi, drejtoria arsimore e Tiranës në bashkëpunim me drejtuesit e këtyre shkollave ka bërë gati planin për mënyrën si do kryhet zëvendësimi. “Për 3 ditët e para programi mësimor përmban po kaq orë të lira mësimore në kuadrin e projekteve të ndryshme lëndore, pra nxënësit i kanë kryer këto orë. Ndërsa për ditët e tjera, mësimi do të zëvendësohet të shtunave”, shprehet drejtoresha e drejtorisë arsimore të Tiranës, Arjana Bekteshi. Sipas saj, nëse procesi i numërimit do të vazhdojë edhe pas të hënës, pritet që të bëhet një tjetër lajmërim. “Gjithsesi le të shpresojmë se deri të hënën procesi do të jetë mbyllur. Janë orientuar stafet e pastrimit që të jenë në gatishmëri për të kthyer shkollat në ambiente normale mësimi”, është një tjetër sqarim që bëri drejtoresha e drejtorisë arsimore të kryeqytetit. Ndërkohë, sipas Ministrisë së Arsimit, e njëjta gjë do të ndodhë edhe për shkollat e tjetra të vendit ku është pezulluar mësimi aktualisht. “Vetë drejtoritë arsimore janë orientuar që të marrin masat për zëvendësimin e mësimit në ato shkolla të cilat momentalisht s’po zhvillojnë mësim”, sqaruan burime zyrtare nga MASH.
Vonesat me numërimin
Me ritme të ngadalta, sidomos në Tiranë. Kështu ka ecur procesi i numërimit të votave këto ditë. Ende nuk janë mbyllur kutitë për Bashkinë e madhe. Po të kemi parasysh se në vijim do të numërohen votat edhe për minibashkitë, Këshillin Bashkiak dhe këshillin e minibashkive, e hëna nuk është datë premtuese që shkollat të jenë gati për të pritur nxënësit. Kjo sidomos për ato njësi vendore që momentalisht konsiderohen si me problematiket në Tiranë, përkatësisht Njësia Nr.5 te shkolla “Vasil Shanto” apo Njësia 6 në Kombinat, në shkollën “Myslym Keta”. Në këto qendra ka pasur tensione dhe është ndërprerë disa herë numërimi i votave. Por, pavarësisht kësaj, edhe Ministria e Arsimit shprehet optimiste se kjo situatë nuk do të cenojë aspak nxënësit dhe brenda ditës së hënë do të nisë mësimi. “Por, edhe në rast se për ndonjë qendër procesi do të vonojë më shumë, sigurojmë prindërit dhe nxënësit se nuk do të lihet asnjë orë pa u zëvendësuar”, sqaruan burime zyrtare nga Ministria e Arsimit. Aktualisht, mësimi po zhvillohet normalisht tek Shkolla e Kuqe, pasi vetëm palestra e kësaj shkolle po përdoret për numërimin e votave për Njësinë 8 në kryeqytet. Po kështu edhe shkolla “Gustav Majer”, të cilën e ndan një mur nga shkolla “Naim Frashëri”, ku dhe nxënësit po bëjnë mësim aktualisht. Duhen dhe pak javë që të mbyllet zyrtarisht viti shkollor dhe kjo shkëputje jo e vogël duket se nuk është fort e favorshme për 100 nxënës të këtyre shkollave.

Njësitë e mbetura te Muzeu dhe Politekniku

Nga 11 njësitë vendore të Tiranës, vetëm në dy prej tyre procesi i numërimit është instaluar në ambiente joshkollore. Bëhet fjalë për Minibashkinë Nr. 9, për të cilën kutitë janë transferuar pranë Muzeut Historik dhe për Minibashkinë Nr. 11, ku votat po lexohen në ambientet e Universitetit Politeknik. Këto ambiente janë lënë në dispozicion dhe nuk krijojnë asnjë problem, sado të zgjasë numërimi.

Shkollat ku numërohen vota në Tiranë

.    “Kushtrimi i Lirisë”
.    “1 Maji”
.    “Vasil Shanto”
.    “Bajram Curri”
.    “Avni Rustemi”
.    “Gustav Majer”
.    “Myslym Keta”
.    “Hasan Prishtina”
.    “Shkolla e Kuqe”

Shumë duhan dhe pak higjienë
Duhan, mbeturina, monitorë dhe dhjetëra njerëz që hyjnë e dalin. Sigurisht, ato që shihen më shpesh janë kutitë e votimit dhe komisionerët që kalojnë fletët e lexuara. Kjo është panorama që të ofrohet në pjesën më të madhe të shkollave ku po kryhet procesi i numërimit të votave në Tiranë. Ambientet e kanë humbur rregullin e zakonshëm që karakterizon mjediset mësimore. Nga sa bënë me dije drejtuesit e Drejtorisë Arsimore, personeli i pastrimit është udhëzuar të marrë të gjitha masat që fill pas mbylljes së procesit të vërë rregull, duke i kthyer ambientet e shkollave në gjendjen e mëparshme.

 

ZIRINA LLAMBRO

© Panorama.al

Te lidhura