OST: Kufizime në gjithë vendin prej mbingarkesës

Jan 18, 2012 | 12:20

Mbingarkesa në rrjetin e transmetimit të energjisë ka sjellë ditën e djeshme kufizime në një pjesë të mirë të kryeqytetit, në orare të alternuara të lajmëruara nga CEZ Shpërndarje. “Për shkak të mbingarkesës në nënstacionin e Sharrës, Operatori i Sistemit të Transmetimit ka kërkuar prej CEZ Shpërndarjes të kryejë stakime të alternuara për Kombinatin, Yzberishtin, Ndroqin, Vaqarrin dhe Mëzezin. Gjithashtu, mbingarkesa e nënstacionit të Sharrës rëndon nënstacionin e Selitës dhe e detyron CEZ Shpërndarjen të kryejë ndërprerje të alternuara për Selitën, Saukun, Kodrën e Diellit dhe bllokun ‘Vasil Shanto’”, thuhet në një njoftim të kompanisë së shpërndarjes. Po për shkak të ngarkesës ka pasur ndërprerje edhe në qytete dhe zona të tjera në të gjithë vendin, sipas kërkesës së Operatorit të Sistemit të Transmetimit. Kështu, për shkak të mbingarkesës në linjën 110 kilovolt Fierzë-Fushë Arrëz, OST-ja ka kërkuar që të ketë kufizime të alternuara për qytete të tilla si Kukësi, Hasi, Fushë-Arrëzi dhe Puka. Kurse mbingarkesa në nënstacionin rajonal 220 kilovolt Tirana ka sjellë kufizime për rrethinat e kryeqytetit, Laçit, Mamurrasit, Fushë-Krujës dhe Krujës. Me orar kanë qenë kufizimet edhe për fshatrat dhe periferitë e  Lushnjës, Fierit, Vlorës, Gjirokastrës dhe Sarandës. Me shumë mundësi të njëjtat kufizime të alternuara do të kërkohen edhe gjatë ditës së sotme nga ana e OST-së, pasi konsumi për shkak edhe të ditëve mjaft të ftohta, ka qenë shumë i lartë në vend. Sikurse njoftoi KESH një ditë më parë, konsumi ishte mbi 26 milionë kilovat/orë, nga të cilat 11 importoheshin dhe pjesa tjetër prodhohej në vend.

© Panorama.al

Te lidhura