Osmani: Nuk tolerojmë ndaj Bylisit

May 3, 2011 | 12:23

Tirana pa pretendime në kampionat ka në dorë fatin e Bylisit që rrezikon rënien nga kategoria. Mirëpo bardheblutë kanë edhe një inat të vjetër me të, pasi në Ballsh janë pritur jo fort miqësisht. Duke marrë shkas nga kjo, në kampin kryeqytetas kërkojnë të luajnë fort, për të marrë maksimumin. I së njëjtës linjë është edhe mbrojtësi Tefik Osmani, i cili garanton futboll të pastër në këtë sfidë. Në një deklaratë të dhënë për mediat, korçari shprehet se i druhet vetëm gjykimit, këtë e bazon tek dy ndeshjet e fundit, më Skënderbeun dhe Flamurtarin, ku anësor ka qenë i njëjti, Gëzim Koka. Ky i fundit u bë protagonist për penalltinë e dhënë në favor të korçarëve, si dhe të shtunën për anulimin një goli të Pero Pejiçit, që bardheblutë pretendojnë se është i rregullt. “Ndonëse ne na konsideroni jashtë objektivit, kjo s’është e vërtetë, sepse dua t’ju kujtoj që po përgatitemi në kuadër të finales së kupës. Pavarësisht dy humbjeve të fundit që erdhën si erdhën, ne kemi si qëllim vetëm fitore në dy sfidat e mbetura. Për sa i përket ndeshjes së nesërme, ne do të tregojmë se as shitemi dhe as blihemi, sikundër bëmë në dy takimet e luajtura së fundmi. Me pak fjalë, unë dal garant për të thënë se ata që do të zbresin në fushë do të japin maksimumin. Vetëm një gjë do dëshiroja nga kjo përballje, që të mos kemi të njëjtin anësor si ndaj Korçës dhe ndaj Vlorës. Jemi të vetëdijshëm që kjo ndeshje përcakton fatin e disa skuadrave që rrezikojnë rënien, por ne nuk na intereson aspak dhe nuk dua të flas në këtë drejtim”, – tha Osmani.

Vllaznia, pa grintë edhe ndaj vlonjatëve

“Vllaznia nuk ka qenë tolerante, por nuk ka pasur motivim”. Ky ka qenë në unison qëndrimi i drejtuesve dhe lojtarëve të Vllaznisë për takimin e fundit me Skënderbeun. Mosmotivimi i skuadrës ka qenë një nga arsyet që drejtuesit e klubit, ato të ekipit dhe vetë lojtarët e kanë gjetur si alibi për humbjen e së shtunës ndaj korçarëve. Pavarësisht se për mediat krerët kuqeblu, por edhe vetë lojtarët nuk kanë dëshirë ta komentojnë sfidën e fundit, jashtë ata pohojnë se realizimi i objektivit 3 javë para përfundimit të kampionatit bëri që të mos kishte motivim. Në fakt, një gjë e tillë u pa edhe në fushën e lojës, ku rastet e tyre ishin sporadike dhe lojtarët ishin pa grintë.

Dy titujt në juglindje, festohet nesër

Titujt në rajonin juglindor të vendit, duket se këtë sezon kanë ardhur të shumtë. Edhe qyteti fqinj i Pogradecit është shpallur kampion i Kategorisë së Parë, duke siguruar kështu një vend në Kategorinë Superiore. Pogradecarët kanë festuar gjatë të shtunës së kaluar, ndërkohë që do të jenë të pranishëm ditën e mërkurë në festën e korçarëve. Kështu, plot 300 ultras të Pogradecit do udhëtojnë drejt Korçës, për të mbështetur bardhekuqtë. Kështu, festa mes dy tifozëve fqinjë do të shkrihet në një të vetme, pasi edhe në esencë festat e tyre e kanë një emërues të përbashkët, titullin respektiv te gjithsecilit.

© Panorama.al

Te lidhura