Lëvizja për riorganizimin e Partisë Demokratike nga brenda saj është e vonuar dhe duhet të ishte bërë më parë, pasi kjo i shërben në fund të fundit edhe vetë kryetarit Sali Berisha, për ta reformuar.
Kështu u shpreh pedagogu dhe analisti politik Afrim Osmani, sot në emisionin “Studio 24” të “News 24”, ku u diskutua për zhvillimet më të fundit brenda opozitës dhe takimi i organizuar nga ish-deputeti Ervin Salianji, me më të votuarit e listave të hapura të PD gjatë zgjedhjeve të 11 majit.
“Jo vetëm që është koha e duhur, por është shumë e vonuar, jashtëzakonisht e vonuar. Ilir Alimehmeti dhe të tjerët janë më të votuarit, i takon ta bëjnë dhe duhet të bëjnë. Njëra palë me narracionin e heqjes së liderit kryesor dhe tjetra për një frymë të jashtëzakonshme, askush nuk po duket, e kjo do një frymë. Pra nuk po duket as nga zoti Alimehmeti dhe as nga të tjerët. Pra ky është varianti i parë, dhe e dyta, një produkt politik, do vij me një konjukturë. Unë mendoj se jemi në pozicionin e të dytës, ku nuk kërkohet që të largohet Berisha që në këtë sekondë, por të nisë lëvizja me njerëzit e duhur, pra me më të votuarit, me kapital politik”, tha analisti.
Osmani nënvizoi domosdoshmërinë për këtë lëvizje dhe për reformimin e Partisë Demokratike, ndërsa e cilësoi kohën e duhur tani reagimin politik për të afruar produkt nëpërmjet vlerave.
Ai kërkoi gjithëpërfshirje jo vetëm të më të votuarve në zgjedhjet e fundit apo grupit në fjalë, por edhe të gjithë personazheve që kanë vlera dhe kapital politik apo akademik.
“Por mendoj se kjo është më minimalja, duhet të jenë të gjithë aktivët në PD dhe këtu nis ndryshimi, ofrimi i vlerave. Në gjithë botën po nuk ofrove vlera nuk jep as produkt. I gjithë grupi duhet të mblidhet dhe të ofrojë një vlerë, le të kujtojmë KOP-in e PD më 2005 me shumë emra, me produkt e kapital publik, akademik dhe politik. Ofruan vlerë. Unë mendoj se ka dembelizëm politik dhe janë futur në fazën e procedurave, duhet të marrin iniciativë, të organizohen dhe të ketë lëvizje”, shtoi pedagogu.
Pedagogu këmbënguli se ndryshimi dhe reformimi vjen me njerëz që mendojnë ndryshe dhe nga vetë brenda partisë:
“Unë do doja ta quaj lëvizje sepse janë njerëz me kapital politik. Për mua duhet të vijnë të gjithë që mendojnë ndryshe në PD dhe këtu fillon ndryshimi. Këtu fillon ofrimi i vlerës, duhet gjithë grupi të takohet dhe të ofrojë vlerë. Këtu ka një dembelizëm të madh politik, secili duhet të marrë përsipër, jo vetëm të denoncojë, por çfarë do bëjë. Do vijë pranvera dhe do dalë një grup sepse PD duhet të udhëhiqet me një Kryesi dhe të dalë një lidership”.
Osmani nuk sheh më kthim pas, ai mendon se lëvizja do veprojë nga brenda për të shtyrë PD-në drejt riorganizimit të thellë dhe se kjo do i shërbente edhe vetë kryetarit Sali Berisha.
Për analistin, bëhet fjalë për variantin e dytë, ku nuk kërkohet largimi i menjëhershëm i Berishës, por ofrimi me kalimin e kohës të një figure kur të afrohet stina e pranverës.
“Do vij pranvera dhe do dali vetë personi, e rëndësishme është të ketë një grup, PD duhet të udhëhiqet me një kryesi dhe pastaj të dalë personi. Për mua më shumë nga të gjithë ka nevojë për këtë lëvizje vetë zoti Berisha, juve ju duket pak e çuditshme por unë mendoj se ai ka nevojë për këtë”, përfundoi analisti.
© Panorama.al












