“Oskar”, QKK vendos sot filmin kandidat

Sep 22, 2011 | 11:41
Nga filmi "Falja e gjakut"

Sot, Qendra Kombëtare e Kinematografisë Shqiptare do të vendosë se cili do të jetë filmi shqiptar që do të përfaqësojë Shqipërinë në Academy Awards, apo thënë më shqip, për çmimin më të madh kinematografik botëror, “Oskar”. U bënë disa vite tashmë që kineastët shqiptarë e kanë rritur ambicien e tyre, deri tek “oskarët”. Ndonëse në asnjë nga vitet kur kemi çuar kandidaturën, nuk kemi hyrë në listën e ngushtë të nominimeve, kjo nuk i dekurajon kineastët të pretendojnë. Sipas rregullit, filmat që mund të garojnë si kandidatë, duhet të jenë shfaqur brenda një viti kalendarik, jo më parë, por as më pas se kufiri që ka vënë Academy Awards. Këtë vit në ekranin e madh të kinemave shqiptare janë shfaqur filmat “Maya” me regji të Pluton Vasit, “Ballkan Bazar” i Edmond Budinës, “Amnistia” e Bujar Alimanit dhe së fundi është duke u shfaqur filmi me regji të Joshua Marston, “Falja e gjakut” (Forgivenes od blood). Të gjithë kanë marrë pjesë në festivale ndërkombëtare, madje kanë fituar edhe çmime. Kështu “Amnistia” ka fituar një çmim special në Berlinale dhe të tjerë trofe në festivale më të vogla, ndërsa “Falja e gjakut” ka fituar “Ariun e argjendtë” si skenari më i mirë në të njëjtin festival. Se cili do të hyjë në garën e madhe (paraprake)të çmimeve “Oskar”, këtë do e vendosë sot QKK. Në radhë të parë, filmat duhet të përmbushin kërkesat e Academy-së, që lidhen me shfaqjen në kinema, gjuhën, stafin etj., por edhe ca kritere të brendshme, sipas së cilave filmi duhet të prezantojë vlerat e kinematografisë shqiptare. Nëse do të merrej parasysh edhe impakti i filmave në aktivitete ndërkombëtare, favoritë janë “Amnistia” dhe “Falja e gjakut”. Gjithsesi, vendimi do të merret sot, në mbledhjen e radhës së bordit të QKK-së.

© Panorama.al

Te lidhura