AUDRONIUS A•UBALIS
Ditën e martë unë do të mirëpres në Vilnius Ministrat e Jashtëm të 56 shteteve pjesëmarrëse të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë (OSBE) – një komunitet me vlera të përbashkëta, që shtrihet në Amerikën e Veriut, Europë, Kaukazin e Jugut dhe Azinë Qendrore – si dhe ministrat e 12 vendeve tona partnere në Mesdheun Jugor, Azi dhe Australi. Për dy ditë me radhë, ne do të diskutojmë përparësitë tona të përbashkëta në fushën e sigurisë. Vitin e kaluar, liderët tanë rikonfirmuan vizionin që ne të gjithë ndajmë për një komunitet të lirë, demokratik, të përbashkët dhe të pandashëm euroatlantik dhe euroaziatik për sigurinë, bazuar tek angazhimet e miratuara dhe vlerat e qëllimet e përbashkëta. Ky vizion është ambicioz. Për të ndërtuar besimin që nevojitet për të përballuar me sukses sfidat e përbashkëta, ne duhet të diskutojmë hapur ndryshimet mes nesh dhe të mbetemi të angazhuar me durim e vendosmëri për të adresuar si kërcënimet e hershme, ashtu edhe kërcënimet e reja ndaj shteteve dhe shoqërive tona. Në vitin 2011, si kryesuese e OSBE-së, Lituania i ka ndihmuar shtetet pjesëmarrëse në marrjen e hapave pragmatikë dhe domethënës për reformimin dhe forcimin e institucioneve dhe praktikave tona në përputhje me angazhimet e OSBE-së. Pikërisht javën e kaluar, në Vilnius, ne rifilluam, pas një ndërprerjeje pothuajse gjashtëvjeçare, negociatat e papërfunduara për paqe lidhur me Transniestrinë. Kjo tregon përfitimet që mund të sjellin durimi, këmbëngulja dhe diplomacia e qëndrueshme parandaluese. Ne i kemi dyfishuar sërish përpjekjet tona kolektive për të adresuar kërcënimet ndërkufitare si krimi i organizuar, terrorizmi, trafikimi i drogës, armëve dhe njerëzve, dhe sulmeve kibernetike. Bashkëpunimi i përforcuar ndërkombëtar është i vetmi opsion, nëse duam të vazhdojmë të jemi një hap para atyre që kërcënojnë sigurinë dhe integritetin e shoqërisë sonë me sfida edhe më të sofistikuara. Çmimi i neglizhencës është tepër i lartë. Gjatë gjithë kryesisë sonë të radhës, jemi fokusuar jo vetëm te ndërtimi i marrëdhënieve më të forta midis shteteve, por edhe te rritja e besimit midis shteteve dhe qytetarëve të tyre. Kemi promovuar lirinë e shprehjes, duke vlerësuar rolin themelor që luan media në garantimin e lirive tona dhe respektimin e vlerave demokratike. I kemi kushtuar vëmendje të veçantë sigurisë së gazetarëve dhe kemi nxitur lejimin e zhvillimit të lirë dhe pluralist të medias dixhitale. Kemi zhvilluar disa aktivitete të nivelit të lartë, që kanë pasur për qëllim luftën ndaj mungesës së ngulitur të tolerancës ndaj pakicave etnike dhe grupeve fetare, e cila, për fat të keq, vazhdon të jetë e pranishme në shumë prej trojeve tona. Grupet e pakicave janë shpesh të parat që vuajnë në kohë krize. Më pak dramatike, por ndoshta më e rëndësishme ka qenë puna e institucioneve tona të veçanta dhe e 16 pranive në terren, duke përfshirë edhe praninë në Shqipëri. Bashkëpunimi në bazë, midis pranive tona në terren dhe organeve qeveritare, organizatave joqeveritare, medias dhe qytetarëve të angazhuar në të gjitha nivelet përbën themelet për institucione të sigurta demokratike, komunikim dhe qeverisje të hapur e transparente dhe ofron një bazë të qenësishme dhe gjithëpërfshirëse për sigurinë në të gjitha dimensionet e shoqërive tona. Në Samitin e Astanës, vitin e shkuar, liderët tanë vlerësuan se siguria e rajonit tonë është e lidhur pazgjidhshmërisht me atë të fqinjëve tanë, duke përfshirë Afganistanin dhe shtete të tjera në Azi dhe Mesdheun Jugor. Ngjarjet dramatike në Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut, të cilat të sjellin ndër mend luftën e vendit tim për pavarësi dhe demokraci dy dekada më parë, na kujtojnë aspiratat e popujve për të jetuar të lirë. Kur vizitova Tunizinë këtë vit, m’u kujtua se ku ishte Lituania njëzet vjet më parë, kur ndërmerrte hapat e parë drejt ripavarësisë dhe se sa shumë punë mbetej për t’u bërë. Gjithashtu, më kujtoi edhe se sa i rëndësishëm ishte inkurajimi dhe mbështetja e miqve dhe fqinjëve më të pjekur demokratikë, sidomos i atyre të rajonit nordik, të cilave Lituania u përket. Pikërisht ashtu siç iu desh kohë edhe rrugëtimit tonë, duhet ta dimë se tranzicioni në Mesdheun Jugor do të jetë një proces i gjatë, që do të kërkojë mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë, si ndaj institucionet shtetërore, ashtu edhe ndaj shoqërisë civile. Ne vazhdojmë të zhvillojmë dhe të ndajmë praktikat më të mira mes të gjitha shteteve pjesëmarrëse. Jemi të përgatitur t’i ndajmë përvojat dhe praktikat tona me partnerët tanë, si dhe të mësojmë prej tyre në këtë proces. Në të njëjtën kohë, përpjekjet e OSBE-së për të ngritur kapacitetet e partnerit të saj, Afganistanit, për zbatimin e ligjit, dhe për të nxitur aftësinë ripërtëritëse të shoqërisë në gjithë Azinë Qendrore, po bëhen gjithmonë e më urgjente në kontekstin e tërheqjes së ardhshme ushtarake. Me sfidat që solli kriza e vazhdueshme financiare dhe ritmi shumë i shpejtë i ndryshimit në Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut, tani nuk është koha t’i heqim sytë nga punët e pambaruara në vendet tona apo përtej kufijve tanë. Ne duhet të shfaqim vendosmëri dhe të përdorim forcën tonë kolektive për ta bërë hapësirën tonë gjeografike të përbashkët një komunitet sigurie të vërtetë.
*Ministër i Jashtëm i Lituanisë dhe kryetar i radhës i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë në vitin 2011.











