OSBE, ndihmë policisë: Luftë krimit të organizuar

Dec 1, 2011 | 10:17
Ambasadori i OSBE-së në Shqipëri, Eugen Vollfarth

TIRANË- Prezenca e OSBE-së në Tiranë ka dhuruar një sërë pajisjesh teknike për policinë shqiptare, duke kërkuar prej saj të forcojë luftën ndaj krimit të organizuar si kusht për integrimin dhe partneritetit të mirë në Evropë.

Dorëzimi i pajisjeve teknike që do të shërbejnë gjatë operacioneve të infiltruara të policisë, për sigurimin e provave që mund të përdoren në gjykatë është bërë nga ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Eugen Volfarth.

“Besoj se këto pajisje do të ndihmojnë në forcimin e luftës kundër krimit të rëndë dhe të organizuar dhe parandalimin e krimit. Që prej ardhjes sime në Shqipëri kam pasur kënaqësinë të jem dëshmitar në progresin e policisë”- tha ambasadori i OSBE-së, në konferencën e përbashkët me kreun e përgjithshëm të policisë, Hysni Burgaj.

Nga ana e tij, Burgaj, duke falënderuar për ndihmën e vazhdueshme ka garantuar se pajisjet, trajnimet dhe gjithë ndihma e dhënë do të përdoret në rritjen e cilësisë së shërbimit dhe policisë së shtetit për të qenë sa më pranë komunitetit.

© Panorama.al

Te lidhura