OSBE: Hetimi i Spahiut, legjitim

Jan 20, 2012 | 10:46

Ambasadori i OSBE-së, Eugen Volfarth

Ambasadori tha dje se nuk ka përplasje kompetencash për hetimin e nënkryetarit të KLD

Volfarth: Një zyrtar t’ia kushtojë gjithë kohën detyrës

Për ambasadorin e OSBE-së në Tiranë, Eugen Volfarth, nuk ekziston asnjë përplasje kompetencash, lidhur me kërkesën e bërë nga Komisioni i Ligjeve për të shkarkuar nënkryetarin e KLD-së, Kreshnik Spahiun. Prezenca e OSBE-së e cilëson si legjitim procesin llogaridhënies në Kuvend të zyrtarëve publikë. Volfarth deklaroi dje se Parlamenti është institucioni i duhur për të ushtruar kontrollin dhe respektimin e demokracisë nga zyrtarët publikë. “Nga një zyrtar publik, në çfarëdo pozicioni qoftë, do të prisja që t’ia kushtojë gjithë kohën detyrës në të cilën është emëruar. Është jo vetëm legjitime, por është edhe shumë e rëndësishme që pyetjet e rëndësishme të bëhen, dhe përgjigjet e nevojshme të jepen në mënyrën e duhur në Parlament, sepse Parlamenti është vendi i duhur për këto pyetje”, deklaroi Volfarth. Shefi i OSBE-së në Tiranë, i pyetur nga mediat lidhur me përplasjet dy ditë më parë në Komisionin e Ligjeve, tha se “një detyrë publike, që mbahet me paratë e taksapaguesve, duhet të respektohet dhe sjellja duhet të jetë e përshtatshme”. Sipas tij, “kur ngrihen pikëpyetje mbi sjelljen, sidomos kur bëhet fjalë për çështje të larta zyrtare, Parlamenti është një vend shumë i mirë, vendi më i mirë, dhe ndoshta i vetmi vend për ta bërë këtë. Institucioni më i rëndësishëm që ka një vend është Parlamenti i zgjedhur në mënyrë demokratike, i cili duhet të respektohet”.
Qëndrimi i opozitës
Kreu i OSBE-së në Tiranë, i pyetur për qëndrimin e opozitës për çështjen “Spahiu” dhe kërkesën për shkarkimin e tij, Volfarth deklaroi se në këtë pikë maxhoranca dhe opozita janë në të njëjtën linjë. “Unë jam i sigurt se opozita u përmbahet rregullave demokratike. Nuk kam parë ndonjë shenjë se opozita ndryshon nga shumica në këtë pikë. Respekti demokratik për institucionet demokratike është thelbësor në çdo demokraci”, pohoi ambasadori. Volfarth pohoi më tej se opozita për këtë çështje po i përmbahet Kushtetutës së vendit. Gjatë mbledhjes së Komisionit të Ligjeve, opozita është larguar kur është hedhur për votim miratimi i Komisionit për të shkarkuar numrin dy të KLD-së. Gjatë diskutimeve, Fatmir Xhafaj e akuzoi maxhorancën se ka vënë në pikëpyetje moralin e saj politik. “Dje, ky ishte Nik Spahiu, luftëtari i madh i antikorrupsionit, pastaj u bë Kreshnik Spahiu, jurist i shquar që drejton Drejtësinë shqiptare dhe sot është sharlatani, faqeziu i Kryeministrit tuaj”, tha Xhafaj. Ndërsa Rusmajli u përgjigj duke thënë: “Në mbrojtje të nenit të Kuvendit, harrojini reminishencat nga e kaluara. Është koha që ne të mbrojmë dinjitetin e Kuvendit. Mbrojtja e dinjitetit të Kuvendit na e bën të domosdoshme që ne ta miratojmë ngritjen e komisionit hetimor në unanimitet”.
Kushtetuesja
Nënkryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Kreshnik Spahiu, deklaroi një ditë më parë se do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për të vlerësuar kushtetutshmërinë e komisionit hetimor të ngritur për shkarkimin e tij nga detyra. Por, ambasadori Volfarth u shpreh se Parlamenti është institucioni i duhur për të ballafaquar çështje të tilla. Nënkryetari i KLD-së deklaroi ditë më parë se në një shtet në të cilin qeveria është në luftë më të gjitha institucionet, arma e vetme për ta luftuar, për momentin, është Gjykata Kushtetuese, si arbitri për të ndalur këtë arbitraritet të egër dhe primitiv nga pushteti legjislativ. Gjatë deklaratës, Spahiu e cilësoi si “të rëndë dhe të paprecedentë” në historinë e parlamentarizmit dhe drejtësisë episodin e nxjerrjes së tij nga salla e Komisionit të Ligjeve. Duke “drejtuar gishtin” mbi kryetarin e komisionit, Spahiu u shpreh se në komision iu mohua e drejta e fjalës dhe e argumentimit të tij kundër kërkesës së 33 deputetëve të maxhorancës për shkarkimin e tij nga KLD-ja. Sipas tij, ndërprerja e fjalës kishte për qëllim shantazhimin për të mos paraqitur argumentet.

Topi-Volfarth: Të përfundojnë reformat
Përfundimi i reformave, asaj zgjedhore, parlamentare dhe miratimi i Gjykatës Administrative është cilësuar si jetike për vazhdimin e rrugës drejt BE-së. Kjo deklaratë erdhi gjatë takimit midis Presidentit Bamir Topi dhe ambasadorit të OSBE-së në Tiranë, Eugen Volfarth. Kreu i Prezencës së OSBE-së i shprehu Presidentit Topi mbështetjen e mëtejshme e të palëkundur për ushtrimin e mandatit të tij në respekt të Kushtetutës e ligjeve në fuqi, duke vënë njëkohësisht në pah rëndësinë që të gjitha palët duhet të shënojnë përparim konstruktiv me reformën zgjedhore dhe reformat e tjera të nevojshme, që i shërbejnë interesave madhore të popullit shqiptar.

Shtyhet Kodi Civil, opozita kërkon kohë
Komisioni i Ligjeve ka shtyrë në kohë diskutimin për Kodin Civil. Maxhoranca dhe opozita, ashtu si në seancën e shkuar parlamentare, nuk kanë rënë dakord për të nisur shqyrtimin e projektligjit për Kodin Civil. Gjatë mbledhjes së djeshme, kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ilir Rusmali dhe deputeti Damian Gjiknuri debatuan lidhur me përfshirjen e kësaj nisme ligjore në axhendën e Komisionit të Ligjeve. Opozita kërkoi më shumë kohë në dispozicion dhe për këtë arsye Kodi Civil është shtyrë në kohë, duke bërë që konsensusi midis PD-së e PS-së të vihet në pikëpyetje. Në pritje për t’u shqyrtuar janë nismat ligjore të Kodit Penal dhe Gjykata Administrative, të cilat presin prej vitesh në sirtarët e Kuvendit.

“Freedom House”: Është ulur indeksi i lirisë
Sipas raportit të “Freedom House”, Shqipëria ka pësuar një ulje në krahasim me një vit më parë, për sa i përket indeksit të lirisë. Zv.presidenti për Strategjinë dhe Analizën në “Freedom House”, Christopher Valker, në një intervistë për “Zërin e Amerikës” tha dje se vrasjet e 21 janarit dhe vështirësitë në luftën kundër korrupsionit, ishin ndër arsyet kryesore që ulën në renditje Shqipërinë, në raportin për indeksin e lirisë 2011. “Në raportin e këtij viti ne arritëm në përfundimin se Shqipëria ka pasur rënie dhe për disa arsye. Njëra prej tyre ishte dhuna në protestat e janarit 2011, që shkaktoi vdekjen e disa protestuesve. Po ashtu, ne identifikuam vështirësi në luftën kundër korrupsionit, që është një sfidë në gjithë rajonin, por në Shqipëri e kemi hasur rregullisht në paaftësinë e sistemit për hartuar mekanizma të frytshme për të luftuar korrupsionin. Arritëm gjithashtu në përfundimin se në zgjedhjet vendore Shqipërisë i është vendosur shigjeta e rënies së lirisë pas vrasjes së protestuesve të opozitës në muajin janar, polarizimi i mekanizmit elektoral që shoqëroi zgjedhjet në maj, paanshmërinë gjatë një procesi korruptiv. Valker renditi ndër problemet edhe pavarësinë e Gjyqësorit dhe politizimin, çka sipas tij dëmtojnë hapat drejt anëtarësimit në BE. Valker theksoi më tej se moszgjidhja e problemit të korrupsionit është një nga pengesat e Shqipërisë në Bashkimin Europian.

FATION BINJAKU

© Panorama.al

Te lidhura