Opozita: Buxheti i Shëndetësisë, i falimentuar

Nov 15, 2011 | 8:45
Ministri i Shendetesise, Petrit Vasili

Opozita e ka quajtur të cunguar dhe të falimentuar buxhetin e Ministrisë së Shëndetësisë, të planifikuar për vitin 2012. Pas prezantimit të detajuar që ministri i Shëndetësisë bëri dje në Komisionin Parlamentar të Shëndetësisë, filluan reagimet e para. Ato priten të vijojnë më tej në mbledhjen e radhës, kur buxheti të diskutohet nen për nen. ”Buxheti i Ministrisë së Shëndetësisë është parashikuar të rritet në masën e 339 milionë lekëve për vitin 2012, në krahasim me buxhetin e rishikuar të vitit 2011. Ai përfaqëson 2.09 për qind të PBB dhe ka për qëllim të përmirësojë ofrimin e shërbimit parësor, zvogëlimin e vdekshmërisë amtare, si dhe rritjen e vizitave ndaj pacientit”, tha Vasili. Ai shpjegoi se investimet nuk do të përqendrohen në Tiranë, por kryesisht në spitalet rajonale. Deputeti i opozitës, Eltar Deda, theksoi se buxheti nuk do të sjellë asnjë përmirësim në sistemin shëndetësor. ”Ky buxhet tregon edhe një herë falimentimin e kësaj qeverie. Edhe nga mënyra se si ju shpjeguat zërat e investimeve, flisni për vendosje skanerësh e rezonancash në qytete, kur nuk keni personel. Reformat që keni ndërmarrë deri tani, janë të dështuara. Opozita është gati t’ju mbështesë për një reformë të mirëfilltë shëndetësore, por jo për qarkullimin e parave të pista”, tha Deda.

© Panorama.al

Te lidhura