Opera “Flauti magjik”, një takim me të vegjlit

Jan 19, 2012 | 13:03

Një variant i përshtatur i operës “Flauti magjik” vjen sot për të rinjtë dhe fëmijët. Në kuadrin “Opera për të rinjtë dhe të vegjlit”, Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit dhe Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve, në bashkëpunim me Drejtorinë Arsimore të Tiranës, kanë hartuar një kalendar aktivitetesh që synojnë njohjen e këtyre grupmoshave me gjinitë operistike, baletin, këngën, vallen etj. Një projekt që ka për qëllim krijimin e publikut të së ardhmes. Veprat që shfaqen për fëmijët, organizohen në mënyrë të tillë nga ana regjisoriale, që të jenë sa më interesante, të mos jenë shumë të gjata  në kohë (1 orë deri në 1 orë e 15 minuta). Një tregimtar i shpjegon hap pas hapi dhe bën lidhjen e elementeve të shfaqjes me qëllim kuptimin e përmbajtjes sa më saktë dhe thjesht nga fëmijët. Përpara shfaqjes së veprës ose në mbarim të saj do të organizohet dhe një diskutim me fëmijët, ku do të jenë të pranishëm dhe artistët që do të interpretojnë, të cilët do t’u shpjegojnë detaje e prapaskena të veprës. Për vitin 2012 do të organizohen: “Për herë të parë në Opera”, një takim i të vegjëlve me disa artistë dhe vizitë në Opera, sot në orën 13:00 dhe në datën 23 janar do të shfaqet opera-përrallë “Flauti Magjik” nga W.A.Mozart, që do të shoqërohet dhe me një takim me dirigjentin, regjisorin dhe këngëtarët. Në datat 26 dhe 27 janar do të zhvillohet: Si ta kuptojmë baletin “Zhizel”, shoqëruar me një takim me koreografin Agron Aliaj dhe solistët e baletit. Nuk do të mungojë dhe një koncert me perlat e muzikës popullore dhe artistët e Ansamblit Popullor, si dhe një takim me mjeshtrin Rexhep Çeliku dhe grupin e valleve, në datën 25 janar, ora 13:00.

© Panorama.al

Te lidhura