GJIROKASTËR- OMONIA kërkon shtyrjen e rregjistrimit të popullsisë deri në gjashtë muaj. Në një deklaratë të bërë publike në Gjirokastër, OMONIA, ka kërkuar nga autoritetet shtetërore, shtyrjen e censusit të popullsisë që është parashikuar të implementohet më 1 tetor, derisa të shfuqizohet ligji i miratuar për këtë proces, cili ndalon vetëdeklarimin e qytetarëve. “Kërkojmë shtyrjen e afateve të regjistrimit dhe koha që do të mbetet të përdoret për rregullimin e mangësive dhe dashakeqësisë të procesit aktual, si përmirësimi i klimës, fushatë për pjesëmarrjen, materialin e parapërgatitur dhe pyetësor në gjuhën amtare dhe transparencë në analizimin e të dhënave”-thuhet në deklaratën e OMONIA-s.
Ajo kërkon shfuqizimin e amendamenteve të kaluara nga PDIU në ligjin për regjistrimin e popullsisë, ku çdo person që do të bëjë deklarim të rremë, do të gjobitet me 100 mijë lek. Krerët e OMONIA-s vendosën si kusht të panegociueshëm anulimin e këtij ligji që ndalon në realitet të drejtën e vetëdeklarimit dhe për këtë, ata kërkuan nga qeveria të shtyhen afatet e regjistrimit. Më tej, në deklaratën për shtyp, thuhet se procesi nuk i plotëson siç duhet kërkesat në mënyrë që të reflektojnë me saktësi çështjet e ndjeshme të BE-së, siç është demografia e minoriteteve.
“Regjistrimi është projektuar për të ulur artificialisht të dhënat statistikore për BE, përsa i përket të drejtave të minoriteteve dhe rrjedhimisht kjo gjë nuk mund të pranohet”-thuhet në këtë deklaratë, ku shtohet se formulari i regjistrimit duhet të jetë edhe në gjuhën amtare për pjesëtarët e minoritetit, si një e drejtë legjitime e tyre.
Nga ana e saj, OMONIA ka kërcënuar se, në rast se nuk plotësohen këto kërkesa, atëherë ajo do t’a kryejë vetë regjistrimin e minoritetit mbi bazat e BE. Ndërkohë, OMONIA nuk ka lënë pa komentuar dhe vendimin e pak ditëve më parë të Gjykatës Kushtetuese, duke e cilësuar atë si turp dhe zhgënjim për vendimin që u detyruara nga forca anti-greke. Piro Nase
© Panorama.al











