Olta Ahmetaj: Me Fabin e kemi menduar edhe martesën

Jan 28, 2012 | 14:52

“Kërcimin ua këshilloj jo vetëm artistëve, por sidomos politikanëve

Në “Dancing with the stars” ai është narratori dhe ajo balerina profesioniste në krah të një personazhi VIP. Por në jetë janë dy artistë që bashkëjetojnë në një apartament, duke shijuar lidhjen katërvjeçare të dashurisë së tyre. Balerina Olta Ahmetaj tregon se sekreti i “çiftit të lumtur” është fantazia. Ajo zbulon planet e tyre artistike dhe atë të martesës.
Jemi para nisjes së edicionit të ri të “DWS”, një eksperiencë që e provon për herë të tretë. Pas Nik Xhelilajt dhe Big Bastës, cili do të jetë VIP-i që do e instruktosh në kërcim?
Këto janë sekrete të produksionit dhe mbeten surprizë për ne deri në momentin e fundit. Megjithatë, kushdo të jetë personazhi që unë do shoqëroj këtë vit, jam e sigurt që do ia kalojmë mirë dhe do kënaqemi në skenë, pasi tek e fundit ky është dhe qëllimi i kërcimit, dëfrimi.
Mendon se kërcimi është bërë kusht i domosdoshëm për artistët, sidomos këngëtarët? Pas këtij spektakli kanë ardhur artistë që kanë kërkuar kurse kërcimi tek ty?
Po. Në fakt, sot e kësaj dite, që një artist të quhet i kompletuar, duhet të ketë informacion nga aktrimi, këndimi dhe kërcimi. Këngëtarët e ndiejnë më shumë të nevojshme të performojnë këngët e tyre në skenë dhe, si pasojë, kërkesa për të mësuar kërcime është më e madhe nga ana e tyre. Nga ana tjetër, kërcimi është një formë destresimi dhe një formë për të mbajtur trupin në formë, gjithashtu dhe një mënyrë argëtimi për këdo, ndaj ua këshilloj jo vetëm artistëve dhe njerëzve të thjeshtë, por sidomos politikanëve.
Në çdo fillim viti, artistët bëjnë planet e vitit që vjen. Çfarë ke planifikuar?
Planet dhe dëshirat janë gjithmonë të shumta… Megjithatë, përpos të gjithë projekteve dhe bashkëpunimeve që janë të përvitshme, plani që tashmë e kam vënë në zbatim është një palestër kërcimi “Olta Dance Studio”, e cila ndodhet në katin e parë të shtëpisë sime dhe po i dedikohem tërësisht asaj. Është shumë e rëndësishme për mua që klientet, si ata të moshave të vogla, por dhe ata të moshave të mëdha, të marrin një pjesë nga dashuria që kam unë për baletin. Gjithashtu kam formuar dhe një grup, trupë, për të realizuar koreografitë për planet e mia apo dhe kërkesat e këngëtarëve apo produksioneve. Kemi filluar punën në mënyrë që koreografitë në fund të kenë firmën time, në tërë kuptimin e fjalës.
Punon për performancat e këngëtarëve në skenë, cilët janë ata me të cilët ke bashkëpunim për momentin?
Kjo është periudhë pauze për të gjithë. Megjithatë, unë ka tre vjet rresht që marr pjesë me performanca në festivalin “Kënga Magjike”, nga të cilat dy herë jam vlerësuar me çmimin e performancës më të mire skenike. Një fillim mjaft i mbarë dhe një treg që nuk e kisha menduar me parë, por gjithsesi e gjej veten shumë komode. Jam ndier shumë mirë duke punuar me këngëtarë që në radhë të parë i kam miq, si Big Basta, “Produkt 28”, Rezarta Shkurta, Orinda Huta, Klejvis Saliaj, por edhe miq që kam bërë gjatë rrugës, si Adelina Tahirin etj. Për sa u përket bashkëpunimeve të radhës. presim të fillojë sezoni koncertor. Shpresoj të më besohen materiale të mira. siç më janë ofruar deri tani.
Ndërkohë që po bashkëjeton me Fabin e “Produkt 28”, është e vështirë lidhja mes dy artistëve? Ju ndodh të grindeni apo të keni konflikte?
Aspak, madje është shumë e thjeshtë dhe e bukur. Përveç faktit që jemi të dy artistë dhe, duke e kuptuar botën e artit, e këshillojmë dhe e mbështesim njëri-tjetrin për çdo gjë, kemi dhe mënyrën e jetesës shumë të ngjashme e tolerante. Ne grindemi vetëm kur bëhet fjalë për ushqimin, pasi Fabi është shumë tekanjoz, ndërsa unë jam krejt e kundërta.
Një këngëtar dhe një balerinë a kanë gjithmonë çfarë të flasin me njëri-tjetrin? Çfarë e mban bashkë një çift të tillë të bashkuar, duke menduar se jeni bashkë prej gati nëntë vitesh?
Në fakt ne kemi gati nëntë vjet që njihemi, por lidhja jonë është katërvjeçare. Nuk jemi vetëm një këngëtar dhe një balerinë, ne jemi Fabi dhe Olta, kjo na mban bashkë. Sigurisht që flasim dhe diskutojmë çdo gjë të ditës, dhe çdo gjë që na vjen ndër mend, ndaj duke qenë pak artistë e pak peshq në shenjën e horoskopit, fantazia nuk mbaron kurrë, gjithashtu dhe diskutimi.
Për çfarë e këshillon ti Fabin dhe për çfarë të këshillon ai ty?
Për çdo gjë e kërkojmë mendimin e njëri-tjetrit, duke filluar që nga pyetja çfarë do hamë për drekë apo çfarë të vesh sot, e deri te vendimet e rëndësishme të profesionit.
Duket se deri tani keni ecur me hapa të ngadaltë e të sigurt, njohje, bashkëjetesë, fejesë. Po martesën kur e keni planifikuar?
Kur t’i vijë koha. Nuk është se nuk e kemi menduar, por për momentin kemi disa plane të tjera përpara se te martohemi.

KLOTILDA HARKA

© Panorama.al

Te lidhura