Olsi & Ervini udhëtojnë drejt Tailandës

Jan 14, 2012 | 14:25

Ervini: Një muaj në plazhet tropikale, që t’ia ngremë moralin Olsit.

Dy ish-banorët e spektaklit ‘’Big brother’’, Ervini dhe Olsi, këto ditë bëhen gati për të udhëtuar drejt Tailandës, shtet aziatik dhe shumë ekzotik për pushime të papara për persona të cilët e konsiderojnë veten aventurierë. E meqë Ervini dhe Olsi e vendosin veten në kategorinë e personazheve që duan të eksperimentojnë me jetën e tyre, pa dyshim që ky destinacion është i duhuri, në momentin kur që të dy janë ‘’single’’ dhe pas vetes nuk marrin asnjë femër, por do të udhëtojnë me disa miq, kurse atje do i presin bukuroshet aziatike. ‘’Tani jemi për Tailandë, këtë muaj do ikim bashkë dhe me disa shokë, të paktën të kalojmë një muaj në plazhet tropikale se kemi nevojë të dy për pak zhurmë, dhe që t’ia ngremë pak moralin Olsit’’, thekson Ervini. Për Olsin do të jetë kjo hera e parë që do të shkelë këtë vend të bukur, pasi ai ka fobi lartësinë dhe frikë udhëtimin e largët me aeroplan. Për më shumë detaje rreth udhëtimit, vendosjes dhe qëndrimit e festave atje, Ervini na rrëfen. ‘’Është vendi i parë në botë ku bëjnë Full Moon Party nëpër ishujt e Tailandës, imagjinoni sa femra dhe party ka atje. Aty unë kam dhe rezidencën, e njoh shumë mirë vendin, por Olsi s’ka qenë ndonjëherë, edhe pse ka pak frikë të udhëtojë gjatë, janë 9 orë me avion. Por në “Vale la Pena” do jetë një eksperiencë e bukur, pastaj dhe Olsi komunikon mirë anglisht, që është shumë e rëndësishme në atë vend; Plazhet janë fantastike, gjithashtu masazhet nëpër ishujt pranë bregdetit, ato pijet dhe frutat tropikale që na duhen se do konsumojmë shumë energji dhe patjetër peshqit barbeky, frutat e detit etj. S’di as unë nga do t’ia filloj se jam shumë i eksituar. Ai vend është parajsë për atë që është single (këtë jua siguroj), do i bëjë mirë Olsit dhe, kur të kthehet në Tiranë, do jetë i mbushur moralisht dhe fizikisht. Thashë jemi që jemi po e bëj dhe budist, ta bëjmë qeros, ka dhe ai nevojë të komunikojë me Budën, të tjerat duke parë e duke bërë. Do nxihemi pak, do na e marrin pak shpirtin vajzat, mjaft pushuam, tani jemi për sulm’’, përfundon rrëfimin e tij Ervini, duke theksuar se është shumë i lumtur për udhëtimin.

© Panorama.al

Te lidhura