Olldashi, akuzë Withersit: Thashetheme ballkanike

Sep 4, 2011 | 10:44
Ministri i Transporteve, Sokol Olldashi

Ministri i Transporteve, Sokol Olldashi, reagoi dje ndaj akuzave të zbuluara nga WikiLeaks.Gjatë një konference për shtyp për investimet dhe projektet e kësaj ministrie, Olldashi i cilësoi akuzat ndaj tij, të bëra përmes kabllogrameve të Ambasadës Amerikane në Tiranë, si thashetheme ballkanike dhe të pavërteta.
Ai ka kërkuar që të verifikohet burimi i tyre, duke u shprehur se ato mund të jenë spekulim nga vetë WikiLeaks. “Gjëja e parë që duhet verifikuar është burimi. Nuk kemi asnjë konfirmim zyrtar nëse ky është vërtet një burim nga Ambasada Amerikane, apo është një spekulim i hedhur përmes WikiLeaks-it? Kjo mbetet për t’u parë. Stili nuk më duket një stil zyrtar i të shkruarit, më duket një stil thashethemesh i tipit ballkanik, sesa referuar një administrate serioze siç është administrata e Shteteve të Bashkuara”, u shpreh Olldashi në përgjigje të pyetjeve të bëra nga gazetarët e pranishëm në këtë komunikim. Ministri i Transporteve u shpreh i hapur për t’u përgjigjur para Drejtësisë nëse këto akuza vërtetohen. “Pavarësisht burimit apo spekulimit, momentin që një ministër përmendet për akuza të tilla monstruoze, kjo meriton një shqyrtim dhe unë jam plotësisht i gatshëm të vihem në dispozicion qoftë të institucioneve, duke filluar nga institucionet e Drejtësisë, jam i gatshëm të raportoj përpara Kuvendit të Shqipërisë, jam i gatshëm të raportoj përpara Kryeministrit dhe jam i gatshëm të raportoj përpara çdo qytetari shqiptar mbi 18 vjeç, jam i gatshëm të vij në dispozicion të gjithkujt që do të dijë se në ç’mënyrë, me ç’procedurë dhe ç’aktivitet ka ushtruar një nëpunës publik, një funksionar publik, sikurse është ministri i Punëve Publike, në rastin konkret Sokol Olldashi. Jam i gatshëm të ballafaqohem me të gjitha të vërtetat dhe, në qoftë se cilido shqiptar, ndërkombëtar, alien, arrin të vërtetojë qoftë edhe një grimcë të vetme fajësie, jo vetëm për ato që përmenden aty, për çdo shkelje ligji të çfarëdo lloji, për çdo akuzë të secilit prej neneve të Kodit Penal të Shqipërisë, pra në qoftë se më provon një grimcë të vetme fajësie, unë jam i gatshëm të mbaj të gjitha përgjegjësit e mia ligjore, politike, qytetare”, u shpreh Olldashi.
Në një kabllogram sekret që ish-ambasadori amerikan në Tiranë ka dërguar në Departamentin e Shtetit në gusht 2009, një vit para se të përfundonte mandatin, Withers e implikon Olldashin në kontrabandë mallrash dhe narkotikesh. “Është tërësisht qesharake sepse thuhet që unë kam influencuar ish-ministrin e Drejtësisë së asaj kohe, z. Alibeaj, për të nxjerrë njerëzit nga burgjet. Ndërkohë, po t’u referohemi përsëri arkivave zyrtare, do të shikoni që pikërisht Enkelejd Alibeaj, në atë kohë ministër i Drejtësisë, menjëherë mbas zgjedhjeve të qershorit 2009, ka ndërmarrë një hetim bazuar në kërkesën e Partisë Socialiste, një hetim bazuar pikërisht për procedurat që ishin aplikuar nga institucionet e heqjes së lirisë, pra nga Burgjet, për të verifikuar me ç’procedurë njerëzve u ishin dhënë leje apo nuk u ishin dhënë leje. Ta thjeshtojmë bisedën; ç’sens do të kishte që unë implikuakam ministrin e Drejtësisë për të liruar njerëzit nga burgjet dhe ministri i Drejtësisë heton vetveten për procedurat e lirimit nga burgu? Është marrëzi nga fillimi deri në fund”, u shpreh Olldashi.

 

ARISTIR LUMEZI

© Panorama.al

Te lidhura