
Deputeti i PD-së, Gazmend Oketa, tha dje se do të votonte për Bamir Topin për një mandat të dytë presidencial, por në të njëjtën kohë atij do t’i këshillonte që të mos futej në këtë garë. Në një intervistë për emisionin “Intervista” të gazetarit Alfred Peza në “Vizion Plus”, ish-zv.kryeministri tha se do të votojë çdo kandidaturë të PD-së për postin e kreut të shtetit.
A ka paguar PD-ja ndonjë faturë për shkak të videos Meta-Prifti?
Personalisht mendoj se po. Në rast se u referohemi zgjedhjeve lokale, LSI pretendon se ka një ngritje në votat që ka marrë, ndërsa PD ka pasur një tkurrje. Duket sikur PD-ja ka marrë të gjitha kostot e këtij koalicioni. Nuk kemi pse e fshehim, në kontaktet që kemi me bazën e partisë, duket sikur ka diçka që në bazë nuk funksionon siç duhet. Fatkeqësisht, ky lloj koalicioni po përdoret edhe brenda maxhorancës për hakmarrje personale. Piketohen persona të ndryshëm dhe këto poste i serviren si kërkesa të aleatëve brenda koalicionit.
PD në 2005-n “kalin e saj të betejës” kishte luftën ndaj korrupsionit. Kjo video dhe raporti me LSI e ka komprometuar këtë gjë?
Besoj se po. Besoj se këtij “kali beteje” që ne kishim minimalisht i kanë rënë patkonjtë. Nuk besoj se jemi në atë situatë që ishim në 2005-n. Kjo është krejt normale, pushteti të konsumon, por nuk besoj se tani kemi moralin që para qytetarëve të bëjmë “kalë beteje” luftën kundër korrupsionit.
A mund të shmangej 21 janari?
Është një çështje që po hetohet nga Drejtësia. Ajo që duhet të bëjmë ne politikanët, është të inkurajojmë Drejtësinë. Në rast se nuk do ishte lënë që ajo krizë e nisur në vitin 2009 të shkonte në atë ekstrem, besoj që 21 janari do të ishte eliminuar.
A duhet ndryshuar apo korrektuar sistemi zgjedhor?
Qëndrimi im personal është që unë jam në favor të ish-sistemit që kishim me 100 zona maxhoritar, ku kandidatët përballen me kundërshtarin politik në një zonë të caktuar dhe qytetarët kanë të drejtë të zgjedhin kë duan në zonën përkatëse. Por kjo nuk ndodh se do të ishte një kthim mbrapa. Kodi aktual ka problemet e tij. Krijon pabarazinë e votës, pasi në qarqe të ndryshme duhet numër i ndryshëm votash për të fituar mandatin. Jam edhe kundër listave të mbyllura, jam për lista të hapura. Në fund, mendoj se kod ideal nuk ka. Mirëfunksionimi i çdo Kodi Zgjedhor apo i çdo Rregulloreje varet nga vullnetet politike.
Topi tha që do rikthehet në politikë. Ju ishit i idesë që Topi për shkak se është President ka një vend në strukturat drejtuese të PD-së. I qëndroni edhe sot?
Kjo nuk është ide imja, është e të gjithë anëtarëve të PD-së, pasi është e shkruar në statutin e PD-së. Është një ligj që nuk ka asnjë pikë diskutimi. Nëse Topi do të vijë apo jo, është çështje e tij. Të drejtën për të qenë anëtar i Këshillit kombëtar nuk ia mohon askush, ose duhet ndryshuar statuti i PS-së. Më pas se çfarë vendimi do të marrë Topi, ai e ka bërë publik.
Nëse Topi rikandidon, do ta votonit?
Nëse Topi do të rikandidonte, unë do t’ia jepja votën pro. Nëse Topi do të kërkonte një mendim timin nëse duhet të rikandidonte, këshilla ime do të ishte ‘jo’, të mos rikandidonte. Vështirë të kuptoj ata kandidatë që do t’i ofrohen këtij posti duke parë ndryshimet që kanë ndodhur në Kushtetutë, reduktimin e kompetencave dhe sulmet që i bëhen institucionit të Presidencës në mënyrë frekuente.
Si i keni raportet me Kryeministrin?
I kam shumë korrekte, siç i kam pasur edhe më parë. Janë marrëdhënie që bazohen mbi një respekt reciprok, duke respektuar qëndrimet dhe mendimet e njëri-tjetrit.
Kur e keni pasur komunikimin e fundit me Berishën?
Para zgjedhjeve lokale.
Do ta votonit Topallin për President?
Unë do të votoja çdo kandidat të PD-së, pa bërë asnjë dallim. U qëndroj parimeve dhe nuk merrem me emra.
Papa Benedikti, mesazh urimi Bamir Topit
Më 1 Janar të vitit 2012 do të kremtohet Dita Botërore e Paqes. Me këtë rast, Papa Benedikti XVI i ka dërguar dje një mesazh kreut të shtetit, Bamir Topi. Arqipeshkv Ramiro Moliner Inglés i dorëzoi kryetarit të shtetit shqiptar në prag të Vitit të Ri, mesazhin e Papës, që hapet me këto fjalë: “Fillimi i Vitit të Ri, dhuratë kjo e Hyjit për njerëzimin, më nxit t’ju drejtoj të gjithëve, me besim dhe dashuri të madhe, një urim të veçantë për kohën që kemi përpara, me qëllim që ajo të jetë konkretisht e shënuar prej drejtësisë dhe prej paqes”. Më tej, Ati i Shenjtë u drejtohet para së gjithash të rinjve, duke u paraqitur mesazhin e “një perspektive edukuese” me bindjen se ata “me entuziazmin dhe idealizmin e tyre, mund të ofrojnë një shpresë të re për botën. Duhet t’u kumtohet të rinjve vlerësimi dhe vlera pozitive e jetës, duke ngjallur tek ata dëshirën për ta përdorur jetën në shërbim të së mirës”. “Në detyrën për të edukuar të rinjtë për drejtësinë e paqes, të gjithë jemi të angazhuar personalisht”, thekson Ati i Shenjtë. Papa Benedikti XVI e mbyll mesazhin e tij duke i shprehur Presidentit Topi urimet më të mira për paqe dhe përparim për Vitin e Ri 2012, vit në të cilin Shqipëria do të kremtojë 100-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së saj.
ADI SHKEMBI












