Nuk ka më zi buke në Gaza, por shumica e popullsisë në enklavë përballet me nivele të larta të pasigurisë ushqimore, thanë Kombet e Bashkuara.
“Pas shpalljes së armëpushimit më 10 tetor 2025, analiza e fundit e IPC sugjeron një përmirësim të dukshëm në sigurinë ushqimore dhe ushqyerjen”, tha Korniza e Klasifikimit të Integruar të Sigurisë Ushqimore (IPC), e Kombeve të Bashkuara me seli në Romë.
Megjithatë, shumica e popullsisë në Rripin e Gazës vazhdon të përballet me “nivele të larta të pasigurisë ushqimore” dhe situata mbetet “kritike” pavarësisht “qasjes së përmirësuar” për ushqim dhe furnizime humanitare dhe komerciale.
“I gjithë Rripi i Gazës është klasifikuar si emergjencë (faza 4 e IPC) deri në mesin e prillit 2026. Asnjë zonë nuk është klasifikuar si uri (faza 5 e IPC)”, tha agjencia.
Sipas parashikimit të IPC për periudhën 1 dhjetor – 15 prill 2016, “situata pritet të mbetet e rëndë, me rreth 1.6 milion njerëz që vazhdojnë të përballen me pasiguri ushqimore në nivele “krize” ose më të këqija (faza 3 e IPC ose më e lartë)”.
“Uria në Gaza vazhdon të arrijë nivele të tmerrshme që mund të shmangeshin”, tha Oxfam France në një deklaratë.
“Izraeli po lejon shumë pak ndihmë të hyjë dhe vazhdon të bllokojë në mënyrë aktive kërkesat e dhjetëra organizatave të njohura humanitare”, tha OJQ-ja në një deklaratë.
© Panorama.al












