TIRANE – Një oficer i Repartit 5570 në Vlorë, me gradën Tetar, ka shkaktuar katër aksidente të njëpasnjëshme mëngjesin e djeshëm në Tiranë, duke përplasur dy kalimtarë dhe një automjet radhazi. Si pasojë e aksidentit mësohet se është plagosur edhe vetë ushtaraku. Ai ka përfunduar në Spitalin Ushtarak, ku edhe u zbulua se kishte konsumuar alkool dhe në këtë gjendje po drejtonte automjetin. Policia Rrugore ka nisur procedim penal në gjendje të lirë ndaj Bledar Zerajt, 33 vjeç, sepse rreth orës 06:40, në Rrugën e Kavajës, duke lëvizur nga kryqëzimi i Shkollës Teknologjike në Kombinat, me mjetin tip “Benz 190”, me targë FR 2331 D, ka aksidentuar këmbësoren Zeqene Afmeti, 50 vjeçe. Në momentin e aksidentit, gruaja po kalonte rrugën nga trotuari i njëri krah në tjetrin. Drejtuesi i mjetit ka marrë të dëmtuarën me mjetin e tij dhe është nisur drejt spitalit. Por vetëm disa metra më larg ka aksidentuar një tjetër kalimtar, Riza Durakun, 56 vjeç, teksa edhe ai po kalonte nga njëri krah i rrugës në tjetrin. Në këtë moment, Zeraj me mjetin e tij, në lëvizje e sipër është përplasur me mjetin tip “Benz”, me targë TR 5021 E, i cili ndodhej i parkuar në anë të trotuarit. Zeraj ka marrë edhe të dëmtuarin e dytë dhe është nisur përsëri drejt spitalit. Por nuk ka përfunduar me kaq. Në qendër, te xhamia, ka humbur drejtimin e mjetit, duke i rënë bordurës së trotuarit, ka hipur lart në të dhe aty ka ndaluar përfundimisht, duke u plagosur edhe vetë. Por sipas burimeve nga Policia, edhe dy aksidente të ngjashme kanë ndodhur mbrëmjen e dy ditëve më parë në Tiranë. Pothuajse e njëjta skemë aksidenti ka ndodhur në rrugën Tiranë-Ndroq-Durrës, në afërsi të fshatit Pezë-Helmes, ku autor i aksidentit të dyfishtë është Edmir Bardhi. Gjithashtu edhe në Kamzë, Hakik Domi ka përplasur një kalimtar e më pas është përplasur edhe vetë me shkallët e një lokali, duke u plagosur rëndë.











