Dy efektiva policie kanë akuzuar deri tani Dajtin për vrasjen e dy kolegëve të tyre. Në seancën e djeshme në ngarkim të Dajtit dhe dy të bashkëpandehurve të tij, Ergest Xhoxhi dhe Mariglen Muça, gjykata përfundoi pyetjen e dëshmitarit P.S., një prej oficerëve të policisë, pjesëmarrës në operacion. Pjesa e parë e dëshmisë së P.S. është marrë në javën e parë të janarit të këtij viti, në një seancë që u ndërpre për shkak të largimit të një prej avokatëve të procesit. Në vijim, kryesisht për shkak të problemeve me avokatët, por edhe për shkak të gjendjes jo të mirë shëndetësore të Dajtit, procesi ka shënuar disa seanca të shtyra. Dje dëshmitari u dha përgjigje pyetjeve të të pandehuri Dajti në lidhje me ngjarjen. Seanca u zhvillua me dyer të mbyllura, për shkak se dëshmitari është pjesë e strukturave sekrete të Policisë së Shtetit. Po dje, gjykata ka nisur edhe pyetjen e dëshmitarit F.G., po ashtu ish-pjesëmarrës në operacion, por seanca është ndërprerë pa vijuar pyetjen e tij. Sipas të dhënave, ky dëshmitar ka parë në operacion vrasjen e oficerit Sajmir Duçkollari nga ana e Dritan Dajtit.
DËSHMIA
Dëshmitari P.S. ka dhënë dje shpjegimet e fundit të tij mbi ngjarjen ku iu vranë katër kolegë. Burime pranë seancës bënë të ditur se në dëshminë e tij, dëshmitari ka përfshirë direkt të pandehurin Dritan Dajti në vrasjen e Fatos Xhanit. Po sipas dëshmisë së dhënë prej tij në procesin ndaj Dajtit, Xhoxhit dhe Muçës, dëshmitari P.S. është personi që ka neutralizuar Dritan Dajtin. Sipas rrëfimit të P.S., në pjesën e parë të dëshmisë, ditën e ngjarjes, atij dhe kolegëve të tij u ishte pohuar se do të ndalonin një të shumëkërkuar. Ai dhe Kastriot Feskaj, një nga policët që u vra më pas, ishin bashkuar me pjesën tjetër të grupit në vendin e quajtur “Ura e Dajlanit”. I shumëkërkuari atyre iu ishte përshkruar që mbante veshur një kapele të kuqe dhe që lëvizte me një automjet “Touareg”. Për momentet e ngjarjes, dëshmitari ka pohuar se “Fatos Xhani iu afrua automjetit dhe thirri “Ndal policia!”. Nga brenda mjetit u dëgjuan të shtëna. Ndërkohë që nga pas makinës, një djalë i gjatë u largua me vrap. Iu vumë nga pas unë dhe Kastriot Feskaj. E kapëm dhe e shtrimë përtokë sapo tentoi të futej në një rrugicë degëzuese. Në këto momente dëgjuam të shtëna. U kthyem të shihnim ç’po ndodhte. Nuk po e kuptonim. Kishte shumë të shtëna”. Më pas, dëshmitari ka rrëfyer se ka parë Kastriot Feskajn teksa vraponte në drejtim të të riut që u largua. Por pak sekonda më pas, dëshmitari e kishte parë Feskajn të shembur përtokë. Ndërkohë që pak më larg, ai kishte vënë re një person të shtrirë që thërriste “A e dini se kush jam, jam Dritan Dajti!”. Ai pati qëlluar me armë drejt dëshmitarit, pa e lënduar atë. Sipas tij, në këtë moment ka dëgjuar një nga eprorët e tij t’i thoshte “arrestoje”. “Iu afrova dhe vetëm i shmanga pistoletën nga duart”, është shprehur dëshmitari në seancën e janarit. ar.ba
Dajti: Nuk e dija që ishin oficerë policie
Në seancën e djeshme, Dajti është përpjekur para gjykatës të mbrojë alibinë e tij se ditën e 7 gushtit 2009 nuk e dinte se u rrethua nga policia. Burime pranë seancës me dyer të mbyllura pohuan se ky argument u pretendua nga Dajti gjatë kohës që po pyetej dëshmitari. Mospasja e mjeteve identifikuese të policisë në operacionin për arrestimin e tij nga ana e punonjësve të rendit është pretenduar nga Dritan Dajti që në seancat e para të këtij procesi. Ndërkohë, në pothuajse të gjitha dëshmitë e marra deri më tani, ky fakt është kundërshtuar nga dëshmitarët. Sipas tyre, punonjësit e policisë kanë pasur jelekët me mbishkrim “policia”, si edhe janë prezantuar si të tillë në momentin që i janë afruar mjetit ku ndodhej Dajti.











