Obama nis turneun europian, vizita e parë në Dublin, në kërkim të rrënjëve të familjes

May 24, 2011 | 9:14
Presidenti Obama dhe e shoqja Michele

Presidenti amerikan, Barak Obama, ka nisur turneun e tij gjashtëditor në Europë me një vizitë në Irlandë, në kërkim të rrënjëve të vjetra të familjes së tij. Ai e ka vlerësuar si shembull procesin e paqes në këtë ishull. Forma dhe “mënyra se si është arritur paqja në mes të Republikës së pavarur të Irlandës dhe Irlandës Veriore, si pjesë e Britanisë së Madhe, mund të jetë një mësim për rajonet e trazuara në mbarë botën”, tha Obama pas një takimi me kryeministrin irlandez, Enda Keni. Në takim është diskutuar gjithashtu për gjendjen ekonomike dhe financiare të vendit të futur thellë në borxhe. Irlanda u detyrua të kërkojë një paketë ndihme prej 85 miliardë eurosh nga Bashkimi Europian. Në Dublin, Obama u takua edhe me presidenten, Mari MekAliz. Obama dhe zonja e parë amerikane, Mishel, pas bisedimeve me krerët politikë, në Dublin, zhvilluan një vizitë të shkurtër në fshatin Moneygall. Nga ky fshat e ka prejardhjen katragjyshi i Obamës, nga e ëma. Ai u largua nga ky fshat për në SHBA gjatë periudhës së urisë në mes të shekullit të 19-të. Banorët e fshatit kanë emëruar një kafene “Caffe Obama” në nder të vizitës së tij, duke  pritur, sipas përshkrimeve të mediave amerikane, sikur në fshat të kishte lindur vetë Barak Obama, dhe jo katragjyshi i tij. Presidenti amerikan qëndroi aty për të pirë një birrë me banorët. Obama mbajti më pas një fjalim në “College Green” të Dublinit, parku më i madh brenda një qyteti në Europë. Nga Irlanda, Obama udhëton sot për në Britaninë e Madhe. Obama do të marrë pjesë të enjten në samitin e G8-s, në Deauvill të Francës. Më pas ai do të vizitojë Francën dhe Poloninë.

“Incidenti”

Një aventurë e vogël nuk mungoi për Presidentin Obama, ndërsa ai vizitonte zyrtarisht Dublinin. Gjatë daljes nga Ambasada Amerikane, makina e tij, me pseudonimin “Bisha”, për shkak të blindimit të veçantë që ka, ngeci në portën kryesore me sinjalet ndezur, duke provokuar të qeshurat e njerëzve që ishin mbledhur për të parë Presidentin.

© Panorama.al

Te lidhura