“O Prindi im Qiellor”, thirrja morale e Gaqo Apostolit në mbrojtje të Zvërnecit! Si e kthen poeti dhimbjen për Shqipërinë në një akt poetik rezistence

Jun 19, 2026 | 11:26

Ka momente kur debati publik nuk mund të shprehet më vetëm përmes gjuhës së politikës. Ka çaste kur statistikat, projektet urbanistike, deklaratat zyrtare dhe polemikat partiake nuk arrijnë të prekin thelbin e një shqetësimi qytetar.

gaqo apostoli

Pikërisht në këto momente hyn fjala që nuk synon të bindë me argument teknik, por të zgjojë ndërgjegjen. Poema “O Prindi im Qiellor” e poetit, këngëtarit dhe ish-politikanit Gaqo Apostoli është një tekst i tillë. E shkruar enkas në mbështetje të protestave qytetare kundër ndërtimeve në Zvërnec, ajo shkon përtej një reagimi të zakonshëm ndaj një konflikti lokal. Në thelb, poema është një akt proteste morale. Është një dialog i njeriut me ndërgjegjen e tij, me Zotin, me historinë dhe me fatin e vendit të vet. Në lexim të parë, poezia duket si një rrëfim shpirtëror.

Autori i drejtohet “Prindit Qiellor” me një gjuhë intime, të ngarkuar me mall, ankth dhe reflektim. Por sa më shumë ecën leximi, aq më qartë kuptohet se ky dialog nuk është vetëm personal. Ai është një dialog me Shqipërinë e sotme. Apostoli e përshkruan veten si një njeri të vendosur mes dy poleve: nga njëra anë dashuria për njerëzit e mirë, për vendin dhe për natyrën; nga ana tjetër zhgënjimi përballë një realiteti që ai e sheh të mbushur me lakmi, hipokrizi dhe shpërdorim pushteti.

Kjo përplasje përshkon të gjithë poemën dhe i jep asaj forcën e një akuze morale ndaj degradimit të jetës publike. Zvërneci nuk përmendet drejtpërdrejt në çdo varg, por fryma e protestës është e pranishme kudo. Kur autori flet për “trashëgiminë e vendit”, për “teatrin njerëzor” që po shkatërrohet, për “qeveritarë që shesin Shqipërinë”, ai po ngre një pyetje themelore: kujt i përket kjo tokë? Kujt i përkasin brigjet, pyjet, lagunat, peizazhet dhe kujtesa historike e një kombi? Pikërisht këtu poema fiton një dimension më të gjerë sesa vetë konflikti i Zvërnecit. Ajo bëhet një reflektim mbi marrëdhënien midis pushtetit dhe së mirës publike. Midis interesit ekonomik afatshkurtër dhe përgjegjësisë ndaj brezave që do të vijnë.

Në shumë pasazhe, Apostoli përdor figura të forta morale. “Ujqëria”, “kanibalët”, “faqezinjtë”, “laketë”, “këneta e hipokrizisë” nuk janë thjesht metafora poetike. Ato përfaqësojnë një kritikë të drejtpërdrejtë ndaj një kulture politike që autori e percepton si të shkëputur nga interesat e qytetarëve dhe nga vlerat e ndershmërisë publike. Megjithatë, poema nuk është vetëm protestë. Ajo nuk është një tekst i ndërtuar mbi zemërimin. Përkundrazi, në qendër të saj qëndron shpresa. Edhe kur përshkruan errësirën, autori vazhdon të besojë te drita. Edhe kur flet për humbjen e lirisë, ai vazhdon të besojë te ardhja e pranverës. Një tjetër aspekt i rëndësishëm është dimensioni qytetar i tekstit. Apostoli nuk e paraqet protestën si akt të një grupi të vogël aktivistësh. Ai e sheh atë si pjesë të një përgjegjësie kolektive. Kur i drejtohet “Njerëzve të Mirë”, ai po flet për një komunitet moral që duhet të ngrihet në mbrojtje të asaj që i përket të gjithëve. Në këtë kuptim, mbështetja për protestat në Zvërnec nuk paraqitet si kundërshtim ndaj zhvillimit.

Përkundrazi, poema ngre pyetjen se çfarë kuptimi ka zhvillimi nëse ai cenon peizazhin, trashëgiminë dhe identitetin e vendit. Çfarë vlere ka një investim ekonomik nëse kostoja e tij është humbja e pasurive që nuk mund të rikrijohen më? Në pjesën përmbyllëse, autori e shndërron tekstin në një testament moral. Trashëgimia që dëshiron të lërë pas nuk është pasuria, pushteti apo fama. Prandaj “O Prindi im Qiellor” duhet lexuar jo vetëm si poemë proteste, por si manifest i një ndjeshmërie qytetare që refuzon të pajtohet me shkatërrimin e asaj që konsiderohet e shenjtë për komunitetin.

POEMË NGA GAQO APOSTOLI

O Prindi im Qiellor…

Oh, sa më ka marrë malli për Ty,
O Prindi im Qiellor !
Më thuaj, të lutem, çfarë po ndodh me mua kështu ?

Mendimet më përplasin pa mëshirë,
Nga akulli i një politike vrastare,
Në zjarrin e një dashurie të dlirë.

I mbështetur në shpatullat e ditëve plot
shqetësime,
Nën zjarret e mendimeve që koha i ndez,
Me mall kujtoj vitet e jetës sime,
Mes këtyre Njerëzve të Mirë.

Pranë të cilëve u linda, dhe …
Pranë të cilëve do të vdes.

Për një çast, o Prindi Im Qiellor,
Humbas i tëri në këtë botë yjore ndërtuar nga Ti,
Ku edhe ligjet gjejnë shpjegime…

Kërkoj në yllësitë që mbi tokë ndërtuan njerëzit
Dhe, gjej se ndër më të bukurat,
Mbetet Yllësia e Shqiptarisë,
E Shtëpisë Sime.

Unë ndjej,
O Prindi Im Qiellor,
Se që nga lart, përmes syve të mi,
Ti e vështron çdo çast
Këtë peisazh të dhimbshëm njerëzor.

Në çdo prag dhimbje dhe dëshpërimi,
Në çdo orë, më ngushëllon e më thua:
Jetoje këtë botë,
Ku më shumë se me njerëz të mirë,
Të ndershëm e shpirtmëdhenj,
Do të ndeshesh me gënjeshtarë horra,
Me vrasës, hajdutë dhe lakej.

Do të ndeshesh me Uiriah Hipër,
Me faqezinj që dynden sipër,
Që shtrëngojnë mes dhëmbëve buzëqeshjen thikë,
E pas ballit fshehin të pashprehurën frikë.

Dynden pushtetit lukunitë,
Plot epsh, pa fije burrërie.
Retina e syrit të tyre nuk mbart dritë,
Është një kënetë hipokrizie.

Oh, o Prindi Im Qiellor,
Më frymëzo ta jetoj këtë botë
Mbushur me Uiriah Hipër,
Ndjenjaulokë, shpirtrakitikër,
Ku vetëm pak
Shëmben poshtë në këtë jetë,
Oh, shumica e tyre,
Veç bën përpjetë.

Pranë Teje qëndroj çdo çast,
Sepse, duhet ndryshuar kjo botë,
Nëse nuk do ta bëj këtë,
Do të më duket vetja i kotë.

O Prindi Im Qiellor,
Luftërat, plehrat, mbetjet toksike
Vazhdojnë ta mbulojnë globin anekënd.
Ndotin ajrin kufomat politike
Që ulurijnë nëpër sheshe,
Që klithin në parlament.

Marrin jetë përmes ndyrësisë
Fije bari, zogj e fëmijë.
Çdo ditë dhëmbët e ujqërisë
Pa mëshirë shqyejnë ndershmërinë.

Ikin, njerëzia nga mjerimi
Çdo ditë, nga janari në dhjetor,
Ministra kanibalë nga harbimi
Shkatërrojnë trashëgiminë e vëndit,
Strukturat jetike të teatrit njerëzor.

Njerëzit rendin ende drejt horizonteve të largëta
Duke braktisur gjithçka nën gërmadha.
Teksa marrin me vete ato pak gjëra që u duhen,
Të shkujdesur nga ajri i lirisë,
Harrojnë dinjitetin.

“Ku shkoni, o njerëz,
Merrmëni dhe mua, në keni Perëndi!”
Këlthet dinjiteti i coptuar nga turmat
Dhe, bie në agoni.

Në dhomat e hoteleve,
Vajza të reja blejnë prostitucion
Duke shitur shpirtin e përgjakur,
Shqyer në dashuri.

Nën shkrepje verbuese blicesh,
Premtime afaristësh,
Qeveritarë të përjetshëm a sezonalë,
Shesin Shqipërinë.

Në fusha e kodra,
Lugina e male,
Varfëria kultivon pa ndroje
Miliona bimë fatale.

Shpirtit njerëzor
Politika çdo ditë
I shkul nga një lis,
Për ca rrënjë kanabis.

Në plantacionet pafund,
Ku vdekja gjelbëron,
Vërtitet si hije një shpend i zi,
ISIS

O Prindi Im Qiellor,
Kur isha fëmijë,
Shihja gjethet e verdha
Që binin pa pushim,
I rrëzonte vjeshta dhe era e marrë.

Duart e vogla mbushja
E rendja gjithë mundim
Drejt nënës sime, nën ankth,
Duke qarë.

Shihja netëve yje që binin diku larg,
Mbi oqeane shuheshin, shkretëtira e pyje.
Hijet e trishtimit më mbysnin pak nga pak,
Si humbnin tërë këta yje.

U rrita,
O Prindi Im Qiellor,
Mërzitesha sërish
Për gjethet që rrëzonte era.
Veç ndieja,
Se trishtimi ditës nuk i duhet.

Pasditeve të vjeshtës
Nuk shkelja kurrë mbi gjethet e verdha,
As mbi vetminë
E një ylli që shuhet.

Jam burrëruar,
O Prindi Im Qiellor,
Trishtohem sërish
Për gjethet që rrëzon era…

Si për një popull kur humbet lirinë.
Mendoj me burrëri
Se do të vijë pranvera,
Se jeta njeh veç pavdekësinë.

Gjethja e verdhë këputet pa jetë,
Përmbi tokë era e marrë e hedh.
Nuk do të bie, jo, si një fletë,
Gjoksin vdekjes, oh, nuk ia fsheh.

O Motra e Vëllezër të Mi,
Bashkë ndjejmë Agimet e Paqes
Që përgjaken sot mbi botë
Ndjejmë Terrin e Urrejtjes
Që gjunjëzohet
I fshehur,
Nëpër humnera paanë.

Nga dielli që shkëlqen
Dritë merr mendimi,
Hijet nuk na trembin,
Nuk na mposht tundimi.

Ne ndiejmë si koha shket,
Ikën me revan,
Na rreh në gjoks furtuna,
Njerëzori oqean.

Ndizen horizontet
Në katër cepat flakë,
Kërkojmë një Jetë në Paqe,
Urrejtjen e flakim larg.

Në ballin e kohës
Zjarre do të ndezim,
Në vitet e saj
Një ditë do të vdesim…

Nga rrugët e shumta që zgjaten mbi botë,
Zgjodhëm rrugën tënde,
O Prind Qiellor,
Këtë rrugë të ndershme,
Këtë diell të fortë…
Ja, këtë çast,
Kur në kokë
Më godasin miliona mendime,
Përfshihem nga flaka e dashurisë.
Oh, vatrën e ka të ngrohtë
Në Shpirtin Tënd të madh,
Të Nënës Terezë…
Oh, o Nëna Ime..

O Prindi Im Qiellor,
I vetmi që nuk je
As i Majtë,
As i Djathtë,
Në këtë glob që rënkon.

Je i Bardhë,
Je i Zi,
Je i Verdhë,
Je Lëkurëkuq
Në këtë botë që ka uri.

Je Europian,
Je Aziatik,
Je Amerikan,
Je Afrikan,
Ti je veçse Zoti im.

Je Kristian,
Je Musliman,
Je Budist,
Je Bektashian e kushedi,
Je Gjithshka në gjithësi.

Po unë,
Që çdo ditë humbas e tretem,
Kur të falem i përgjëruar,
Çfarë dreqin jam,
Ǒdjallin dua ?

Ma thuaj….!

Ti që je dhe Burrë dhe Grua,
Që më jep çdo ditë fuqi
Veç për njerëzit për të menduar,
Më ndihmo…

Më jep një dorë,
Këta Njerëz të Mirë,
Kurrë për të mos i harruar,
O Prindi Im Qiellor !

Epilog
Kur një ditë,
Të ndahem prej Jush,
O Njerëz të Mirë,
Do t‘ju le trashëgim
Një Dashuri të Madhe:

Lamtumirë !
Me këtë fjalë të vetme,
Të thurur kurorë:
Dua të vij pranë Teje,
O Prindi Im Qiellor !

Për ta mbrojtur nga ujqëria
Teatrin Njerëzor…

Shënimi i autorit: Poemë në mbështetje të protestave të fuqishme të rinisë, të popullit të Tiranës dhe tërë shqiptarëve.

/Gazeta Panorama 

© Panorama.al

Te lidhura