Nuri Seferi ka mbrojtur titullin e kampionit evropian në peshat gjysmë të rëndë në versionin WBO. Boksieri profesionist shqiptar fitoi me nokaut në raundin e tretë ndaj belgut Toni Ingelrest, i pamposhtur deri të shtunën e 24 shtatorit. Ky sukses e çon në 25 numrin e fitoreve të Seferit në 31 sfida profesioniste. 34-vjeçari klasifikohet i pesti në renditjen botërore të WBO-së. Synimi i tij është që të ngrihet në majë të boksit botëror në kategorinë e vet. Seferi njëherësh konsiderohet edhe si ‘Tajsoni shqiptar’. Pas ndeshjes ai do të deklaronte për mediat maqedonase se ndihet shumë i kënaqur me triumfin e arritur. “Isha përgatitur të zhvilloja 12 raunde, mirëpo kundërshtari u dorëzua para kohe. Isha në formë të mirë, kështu që e prisja këtë sukses. Mendoj se në Gostivar pati spektakël dhe për këtë jam shumë i gëzuar dhe mirënjohës të gjithëve”, tha Seferi. Boksierit nga Korita e Gostivarit tashmë pritet t’i jepet mundësia të ndeshet për titullin e kampionit të botës. Pas triumfit, presidenti i Federatës së Boksit Profesionist Shqiptar, Ylli Ndroqi, në një intervistë për “Ora-News” ka përgëzuar vëllezërit Seferi dhe ka theksuar se kjo është një fitore për boksin shqiptar dhe se federata që ai drejton ka në gjirin e saj edhe shumë talente. “Jam shumë i gëzuar që boksi profesionist shqiptar ka arritur një tjetër sukses në arenën ndërkombëtare. Në Gostivar vëllezërit Seferi ngritën lart flamurin kuqezi, duke treguar se janë kampionë të mëdhenj dhe krenaria e boksit profesionist shqiptar. Jam i bindur se kjo është vetëm një pjesë e suksesit për FBPSH-në. Unë kam investuar për ndërtimin e një palestre moderne dhe bashkëkohore për boksin profesionist shqiptar, ku boksierët i kanë të gjitha kushtet. Mendoj se këto investime tani duhet të përkthehen në suksese dhe arritje nga boksierët. Dy vëllezërit Seferi treguan se janë kampionë dhe përfaqësojnë denjësisht boksin profesionist shqiptar, por shumë shpejt do të kemi dhe boksierë të tjerë të federatës sonë që do të konkurrojnë për tituj të tjerë ndërkombëtarë”, ka thënë Ndroqi.
Ndroqi-Qato
Vlen të theksohet se biznesmeni i njohur dhe njëkohësisht, presidenti i federatës shqiptare të boksit profesionist, Ylli Ndroqi ka financuar dhe vazhdon ende të financojë edhe boksierin tjetër të talentuar, Kreshnik Qato, i cili ka fituar titullin në kategorinë WBF.











